Largohem, nëse do të ma kërkojnë sirianët
Zoti President, a mendoni se tensioni mes Sirisë dhe Turqisë pas goditjes së avionit turk do të sjellë konflikt?Në lidhje me avionin e goditur, a bëhet fjalë për një akt ndërkombëtar të urdhëruar nga ju, sikundër deklaron edhe qeveria turke?
Të pohosh një gjë të tillë, do të ishte qesharake. Mos vallë e urrejmë popullin turk? Avioni është goditur nga një armë që ndodhej të paktën 2 kilometra larg tij, që do të thotë se avioni ndodhej 2 kilometra e gjysmë larg territorit sirian. Në kohë paqeje nuk goditen avionët, për më tepër avionët e një vendi mik si Turqia. Por ne jemi në situatë lufte dhe kur identiteti i një avioni të tillë është i panjohur, prezumohet se është një avion armik. Kjo sepse avioni fluturonte në kuotë shumë të ulët dhe për këtë arsye, nuk ishte i dukshëm për radarët. Por ka edhe një të dhënë tjetër të rëndësishme, për të cilën nuk është folur: është dhunuar hapësira ajrore në të njëjtën pikë në të cilën ka kërkuar edhe Izraeli gjithmonë ta bëjë.
Përse nuk u nisën sinjale paralajmërimi?
Kjo do të ishte bërë në rast se avioni do të ishte shfaqur në qendrën e ekranit të radarit. Por kur nuk ekziston asnjë informacion, ajo instruksion në lidhje me kalimin e avionit, atëherë rregullat parashikojnë që ushtari të hapë zjarr pa komandë, sepse e gjithë kjo ndodh brenda disa sekondash. Në brendësi të ujërave territoriale, nëse një avion fluturon në kuotë të ulët, radarët nuk mund ta shohin. Këtë e dëshmon edhe avioni izraelit, që fluturoi në të njëjtën zonë për të bombarduar një zonë ushtarake siriane në vitin 2007, duke iu shmangur pra radarëve sirianë. Për më tepër nuk ekzistojnë raketa kundërajrore në atë zonë. Pra, bëhet fjalë për gënjeshtra të pastra.
Ju si reaguat ndaj lajmit për goditjen e avionit?
Në nivelin psikologjik nuk ishte e këndshme, sepse turqit janë një popull vëlla. Për sa i takon armikut, ai është vetëm Izraeli. Por kemi pasur ndjesinë se Erdogan dhe qeveria e tij duan që ta shfrytëzojnë këtë incident, për të arritur avantazhe politike. Dhe kjo është shumë e rrezikshme.
Ndërkohë kanë humbur jetën dy pilotë, të dy të rinj. Çfarë do t’u thonit familjeve të tyre?
Pavarësisht se politika e Erdoganit është burim gjaku dhe shkatërrimi për popullin sirian, vdekja e një qytetari turk është për ne vdekja e një vëllai. Për këtë arsye, i dërgojmë familjeve të viktimave ngushëllimet tona më të thella. Babai i njërit prej pilotëve iu kthye Erdoganit dhe i tha: “I vdekuri është im bir dhe ne nuk duam që ky incident të manipulohet për të provokuar luftë”. Ky është një pozicion i nderuar.
Qeveria turke, tani është duke vendosur trupa në kufirin me Sirinë. Cila do të jetë përgjigjja e Sirisë në një rast të tillë?
Dy momentet më të këqija në marrëdhëniet mes të dyja vendeve kanë ndodhur në vitin 1998, kur Turqia vendosi ushtrinë dhe në vitet ‘50, në kohën e aleancës me Bagdadin. Pavarësisht kësaj nuk e kemi konsideruar kurrë Turqinë një vend armik dhe nuk duam që ta bëjmë as sot dhe as në të ardhmen. Në fakt, Siria nuk do ta dërgojë ushtrinë kundër Turqisë.
Në Turqi po diskutohen rregulla të reja: do të hapet zjarr ndaj çdo avioni, tanku apo pjese të artilerisë siriane, që do t’i afrohet kufirit turk…
Asnjë shtet nuk ka të drejtë që të hapë zjarr, nëse territori i tij nuk do të dhunohet. Në rastin hipotetik që do të qëllojnë një shënjestër që do të ndodhet brenda kufijve siriane, atëherë ky do të konsiderohet një akt agresioni kundër Sirisë.
Si e gjykoni takimin e Gjenevës dhe pikat e përmendura nga Kofi Anan?
Nuk ka pasur asnjë kontakt të drejtpërdrejtë mes nesh, Ananit, apo rusëve, por janë bërë deklarata precize. Së pari, vendimi i takon popullit sirian dhe ky është dhe pozicioni ynë. I duhet dhënë fund dhunës, grupet e armatosura duhet të çarmatosen dhe këto gjithashtu janë pozicionet tona. Duart e bëra pis me gjakun sirian, siç e tha edhe Anan nuk ekzistojnë vetëm në Siri, por edhe jashtë saj. Kjo dëshmon edhe rolin e vendeve të tjera të përfshira. Të gjitha pikat janë thelbësore, por më e rëndësishmja është se gjithçka duhet që të vendoset në Siri dhe jo jashtë saj.
Sipas Klinton, plani i Anan parashikon që ju si President të jepni dorëheqjen. Ju si e interpretoni një gjë të tillë?
Pozicioni amerikan është armiqësor ndaj Sirisë në këtë krizë dhe për ne, fjalët e tyre nuk kanë besueshmëri. Shtetet e Bashkuara janë pjesë e problemit. Mbështesin bindshëm terroristët. Për këtë arsye, nuk na interesojnë kushedi se çfarë fjalët e tyre.
Në Gjenevë u fol për një tranzicion në Siri me apo pa presidentin dhe për kërkesa të brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare për të kënaqur reformat. Ju si mendoni?
Ne nuk pranojmë presion të jashtëm. Gjithçka do të zgjidhet nga brenda. Nëse interesi im i vetëm, personal do të ishte që të ruaja presidencën, do t’i kisha kënaqur amerikanët dhe kushtet e tyre dhe në këmbim të petro-dollarëve (parave të naftës) do të kisha shitur parimet. Për më shumë: do të kisha pranuar që të instaloja një raketë në Siri.
Po nëse dalja juaj nga skena politike do të shërbente për të shpëtuar popullin dhe Sirinë, ju do të largoheshit?
Nëse do të ishte në interesin e Sirisë, Presidenti duhet të largohet. Kjo është e qartë. Nuk duhet që të qëndrojë në detyrë asnjë ditë të vetme, nëse populli nuk e do. Është populli ai që duhet të shprehet përmes zgjedhjeve.
Kjo do të thotë se nuk mendoni që të qëndroni në pushtet përgjithmonë?
Po, e përsëris: detyra nuk ka asnjë vlerë për mua. E rëndësishme është ajo që arrij të bëj.





