Valeria Dedaj
![]() |
| Amik Kasoruho |
Eseja dokumentare “Një ankth gjysmëshekullor. Shqipëria e Enver Hoxhës” i Amik Kasoruhos sapo ka njohur botimin e katërt në gjuhën italiane. Libri u shkrua italisht, “Un Incubo Di Mezzo Secolo: L'Albania Di Enver Hoxha” (Besa) dhe botimin e parë e pati më 1993. Historia e diktaturës që përshkruan Kasoruho, 1946-1990, ka qëllim njohës, për të kuptuar pasojat e shtypjes te një popull i tërë.
Në këto njëzet vjet italianët e njohin Shqipërinë përmes emigrantëve, por historinë e tyre të vërtetë mund t’ua tregojnë librat që akoma nuk janë përkthyer në gjuhën italiane apo ata që akoma nuk janë shkruar. Kasoruho beson te ky funksion i librit dhe i prozës dokumentare në veçanti.
Aktualisht përkthyesi dhe publicisti që është vendosur përgjithmonë në Shqipëri, po punon për një përmbledhje të publicistikes së tij, ndërkohë që është bërë mjaft aktiv në fushën e përkthimit letrar.
Për këto motive flet në intervistën për “Shekullin” Amik Kasoruho, pa harruar atë moment kur një rrymë e opinionit publik e shikonte Kasoruhon si kandidat për president.
Z. Kasoruho, “Një ankth gjysmëshekullor” ribotohet për herë të katërt në italisht. Ju gëzon kjo?
Libri është botuar së pari në gjuhën italiane, në dhjetor 1993, shkruar drejtpërdrejt në atë gjuhë prej meje dhe më pas ka ardhur në shqip, në mos gaboj, në vitin 1996, në një periudhë kur botohej rrallë, sidomos publicistikë e atij lloji. Në italisht ka tërhequr vëmendje, dhe këtë e dëshmon fakti që sapo ka dalë ribotimi i katërt i tij. Mendoj ta sjell të ribotuar edhe në shqip, sërish, pasi nga botimi i parë nuk ka më libra në librari. Edhe në gjuhën shqipe e kam sjellë vetë.
Ky libër ka pasur rëndësi për faktin se atëherë njihej pak gjysma tjetër e Shqipërisë, ajo që mbeti këtu. Italianët njohën Shqipërinë përmes qindra mijëra emigrantëve, por historinë e asaj kazerme të madhe diktatoriale nuk e njihnin. Ndaj besoj se libri ka ngjallur interes te lexuesit (fakti që këto ditë ka dalë nga shtypi botimi i katërt mendoj se e dëshmon këtë) sidomos te gazetarë të ndryshëm.
Njëzet vjet pas rënies së regjimit komunist, çfarë di lexuesi italian për këtë periudhë tonën të historisë? Nëse do të ishte për ju, çfarë veprash do të ishin themelore për t’u përkthyer dhe që do t’i shërbenin vendit pritës për të njohur fqinjët që u dyndën në disa valë emigracioni pas ‘90-s?
Jo vetëm për lexuesin italian, por për këdo lexues të huaj, interes do të kishte çdo botim që do të rrëfente atë Shqipëri të mohuar, figura të harruara, ngjarje që ose u shtrembëruan, ose u tjetërsuan nga historiografia e Hoxhës. Por mendoj se mbi të gjitha do të kishin interes botime të cilat të dëftejnë shpirtin e shqiptarit, as të nxirë, as të zbardhur, por ashtu si është, me të mirat dhe të këqijat e veta, pasi në fund të fundit është një shpirt, një komb që i ka mbijetuar një eksperimenti çnjerëzor, atij të diktaturës komuniste.
Romani juaj i fundit autobiografik “Ikje nga trilli i perëndive” është gjithashtu një zhanër më pranë prozës dokumentare. Pse kjo mënyrë rrëfimi?
Libri u botua së pari në gjuhën italiane. Dhe në Itali ka njohur dy botime. Kishte kohë që më mundonte mendimi për ta sjellë në gjuhën shqipe. Ishte historia e jetës sime. Nuk mund ta mbaja brenda vetes sime, pasi do më rrënonte. Mendova ta “hiqja” nga vetvetja, t’ ia lija barrën lexuesit për atë histori. I dha fund atij ngurrimi një kolegia juaj, Miranda Haxhia e cila e kishte lexuar në italisht dhe më sugjeroi ta sillja në gjuhën shqipe. Ishte këmbëngulja dhe nuhatja e saj se libri do lexohej me interes në shqip. Ajo është kujdesur për botimin e tij me shtëpinë botuese “Buzuku” në Prishtinë, dhe u kujdes për përhapjen tij. Ishte një gjë e mirë, pasi ishte një “kthim aty ku kishte mbretëruar trilli i perëndive”, sepse ai libër pothuaj më ktheu në vendin tim. Nëse në romanin tim flitet për një udhëtim në ikje, me gjithë historinë e jetës sime, tashmë po përjetoj rrugën e kthimit në atdhe. Dhe ndihem shumë mirë.
Si përkthyes aktiv sot me disa autorë viktorianë apo të letërsisë italiane, ka ndryshuar marrëdhënia juaj me shtëpitë botuese, me tregun?
Nga përvoja ime, mendoj se është shumë pozitiv për përkthyesin një libër dhe një autor i mirë. Në raste të tilla i rritet edhe vlera përkthimit. Por nuk i zgjedh gjithmonë përkthyesi librat. Unë kam përkthyer edhe për nevoja të shtëpive botuese, duke u përpjekur të jap më të mirën e mundshme. Ka qenë një mendim i ndonjë përkthyesi se, po të ishte autori i mirë, siguroje sukses. Dhe kjo besoj se ka njëfarë të vërtete. Por kam patur fat të përkthej edhe libra që i zgjedh vetë, dhe këto i kujtoj me shumë kënaqësi mes pothuaj 70 librave të përkthyer gjatë gjithë jetës sime.
Me siguri ndiqni punët e përkthimit. Çfarë vëreni, që nga selektimi i titujve te rezultati final?
Krahasuar me atë brez përkthyesish të shkëlqyer që punuan në vitet 1960-’70 emrat e të cilëve ia vlen t’i kujtosh një e nga një, si: Pashko Gjeçi, Bujar Doko, Sotir Caci, Halit Selfo, Vedat Kokona, Robert Shvarc, Petro Zheji, Henrik Lacaj, Sotir Papahristo, Frano Alkaj, Mark Dema etj.. Përkthimet e sotme janë një lloj kërkimi drejt “identitetit” të përkthyesve. Përmend një përkthyese të shkëlqyer, Drita Çitaku që ka sjellë në shqip “Muzeu i pafajësisë”, “Unë jam e kuqja”, apo Ledia Dushi që ka sjellë në formë të mrekullueshme Umberto Eccon. Pa harruar përkthimet mjeshtërore të Aurel Plasarit. Apo përkthimin e Afrim Koçit, “Mali magjik”. Ndoshta përvoja e gjatë me librat më bën të dalloj pa shumë vështirësi një përkthim të mirë nga një i dobët. Mendoj se përkthyesit e rinj duhet të punojnë më shumë për të njohur gjuhën shqipe, leksikun, sintaksën dhe gjithë atë pasuri që ajo fsheh. Për shembull, në një roman lexoja: I hodhi një vështrim elokuent... Përkthyesi nuk duhet të bëjë gabime të kësaj natyre, pasi mund të thoshte: vështrim kuptimplotë, i thellë, i qartë, depërtues, domethënës (sipas rastit) por jo elokuent, e cila lidhet me të folurën, e mbi të gjitha nuk është fjalë shqipe. Shembuj të tillë ka shumë.
Është përkthimi i keq ka ndikuar në rënien e lexueshmërisë?
Mendoj se lexuesin e largon më shumë letërsia e dobët, ajo e shkruar keq, apo edhe ajo e përkthyer shkeleshko dhe jo lloji i letërsisë. Leximi është zgjedhje e lirë, le të lexojë secili llojin e librit të tij, por është e domosdoshme që librat të jenë shkruar bukur, të jenë përkthyer mjeshtërisht dhe botuar me sqimë.
Së fundi do të lakoheshit nga një rrymë e opinionit publik si kandidat për presidentin konsensual. Po të mbajmë parasysh përvojat mjaft të hidhura që familja Kasoruho ka patur për shkak të politikës, një lloji tjetër politike nën diktaturë, do të pranonit që t’i hynit një aventure politike?
Ju falënderoj për këtë detaj që pothuaj e kam harruar. E çmoj kur më përshëndet shitësi i dyshekëve te lagjja, apo kur kamerieri poshtë shtëpisë ulet dhe pi një kafe me mua. Kam shumë miq dhe nuk dua t’i humbas kurrsesi. Besoj se vendi im është në anëcakun e kulturës, sidomos të përkthimit. Po punoj të sjell një përmbledhje të publicistikes sime të botuar në Itali dhe në Shqipëri. Natyrisht, kam shkruar dhe vijoj të shkruaj mendimin tim si qytetar, duke iu gëzuar jetës në një vend të lirë, pasi përjetova gjatë diktaturën. Politika në vetvete nuk më ngjall shumë interes. Shprehja e lirë dhe qëndrimi qytetar, po.
Ndiqni një ritual ditor për ta ruajtur mendjen dhe trupin në gjendje të gjallë të vazhdueshme?
Puna dhe koha ime kryesore i përket librave. Lexoj dhe përkthej. Përkthej dhe lexoj. Gjumin e kursej, me sigurinë që do kem kohë të fle “gjatë”. Jam i lumtur që do festoj në vendin tim 80-vjetorin e lindjes një javë para 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Ushqimin... si çdokush në moshën time.
Biografi
Amik Kasoruho është lindur në Tiranë më 1932. Në moshën 17-vjeçare u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg. Ndërkohë i ati, Qemal Kasoruho, pushkatohet pa proces, vetëm 5 ditë pas arrestimit, bashkë me 21 intelektualë. Pas burgut, bashkë me familjen jetoi për 27 vjet në internim. Përkthimi në burg dhe më pas gjithë jetës është zanati i tij, krahas krijimtarisë origjinale dhe publicistikës. Ka përkthyer letërsi nga Pirandelo, Ibanjezi, Alende, Robins, Brontë, Haëthorne. Dy vitet e fundit ka botuar në Kosovë romanin autobiografik “Ikje nga trilli i perëndive”. Jeton në Tiranë.






