Aljula Jubani: Drejtshkrimi nuk përmirësohet me qëndrime ekstreme



Oliverta Lila


Aljula Jubani
Aljula Jubani, përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë e sheh të domosdoshëm përmirësimin e drejtshkrimit të shqipes. Sipas saj, qëndrimet ekstreme, të shfaqura nga gjuhëtarët gjatë këtij debati, nuk janë në të mirë të gjuhës. Duke komentuar mbledhjet e tejzgjatura të Këshillit Ndërakademik dhe mungesën e statistikave të sakta për disa forma gjuhësore, Jubani dyshon edhe mbi objektivitetin e këtyre tryezave. Sipas saj, ndryshimet gjuhësore të këtyre 20 viteve duhet të pasqyrohen në standard, por gjithçka duhet bërë mbi kritere shkencore.

Mbledhja e pak ditëve më parë e Këshillit Ndërakademik për gjuhën shqipe ka rihapur debatin mbi çështjen e standardit. Duket tashmë se ka një pozicionim të gjuhëtarëve pro dhe kundër. Cili është gjykimi juaj në këtë rast?


Një nga problemet e këtij diskutimi është mediatizimi i tepruar që iu bë një çështjeje që, në fund të fundit, është studimore dhe teknike dhe që duhet të zgjidhet nga profesionistët. Kjo ndoshta ka ndodhur edhe për faktin se pjesëmarrësit në këtë Këshill Ndërakademik kanë tejzgjatur arritjen e propozimeve për përmirësimin e drejtshkrimit të shqipes. Do të ishte më e thjeshtë nëse diskutimet do të nisnin pas një studimi dhe kjo është përsëritur disa herë. Çështja më e fundit e diskutuar në Këshillin Ndërakademik ishte përdorimi i “ë”-së së patheksuar, por duke mos pasur të dhëna të sakta statistikore, qëndrimet mes gjuhëtarëve janë kundërthënëse. Disa mendojnë të hiqet në rastin kur ajo funksionon si “ë” mbështetëse, të tjerë e kundërshtojnë këtë duke thënë se në disa fjalë, në këto raste, formohet një grup bashkëtingëlloresh që shkakton vështirësi shqiptimi. Nëse studiuesit do të kishin statistikë të saktë, e cila mund të realizohej edhe nga dy-tri punime studentësh, atëherë do të mund të diskutohej objektivisht dhe jo mbi shembuj të veçantë fjalësh. Unë mendoj se drejtshkrimi i shqipes, po të marrim si shembull “ë” e patheksuar, ka një mori problemesh, veçanërisht sa u takon rregullave të drejtshkrimit, të cilat brenda tyre përfshijnë shumë përjashtime e përzierje të parimeve të drejtshkrimit pa ndonjë kriter të saktë. Përdoruesi e ka të vështirë të mbajë mend listat e pafundme të fjalëve që përbëjnë përjashtime dhe, në këtë situatë, është detyrë e gjuhëtarëve ta rishikojnë këtë drejtshkrim, bazuar në studime paraprake, për të përmirësuar cilësinë e përdorimit të gjuhës. Duhet të vendosen rregulla që shmangin përjashtimet.

A është i domosdoshëm pasqyrimi i zhvillimeve gjuhësore të këtyre 20 viteve në drejtshkrim?


Gjithë shoqëria jonë ka ndryshuar shumë në harkun kohor të 20 viteve. Gjuha, po ashtu, ka ndryshuar shumë, kështu që ne ndiejmë nevojë për ta përmirësuar. Kjo është edhe arsyeja se pse ekziston ky Këshill Ndërakademik: për të përmirësuar standardin e shqipes. Megjithatë duket se puna po ecën shumë ngadalë dhe kjo shton edhe diskutimet, shpeshherë jo profesioniste. Ne vazhdojmë të shkruajmë “Evropë” në të gjitha dokumentet zyrtare, ndërkohë që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që përdoret “Europë”. E njëjta gjë vlen edhe për përdorimin e “ë”-së, meqenëse kjo ishte çështja e fundit e diskutuar në Këshillin Ndërakademik. Disa çështje të tilla po mbajnë peng përmirësimin e drejtshkrimit edhe në fusha ku ndryshimet janë të pranuara nga të gjithë, si përdorimi i shkronjës së madhe (p.sh. fjala Zot duhet shkruar me shkronjë të vogël, por sekretar partie, me shkronjë të madhe).
Mjetet e komunikimit kanë kaluar në një revolucion të vërtetë, me përdorimin e internetit dhe digjitalizimin e shkrimit, por rregullat e drejtshkrimit dhe të pikësimit s’thonë asgjë për këto, p.sh. ç’lloj germe duhet përdorur për një dokument zyrtar, ku vihen thonjëzat, sipas llojeve të ndryshme, si do të bëhen shkurtimet, cilat emërtime të institucioneve dhe funksioneve zyrtare do të shkruhen me shkronjë të madhe, tashmë që struktura e tyre nuk është më ajo e vitit 1972. Të gjitha këto, dhe shumë më tepër se kaq, duhet të marrin udhë.

Këshilli Ndërakademik mbetet një organizëm i shumëdiskutuar madje edhe i mohuar nga disa gjuhëtarë. Mendoni se është zgjidhja e duhur për të bërë përmirësimet në drejtshkrim?


Pozicionimet ekstreme rrallëherë lidhen me argumentin shkencor dhe nuk i shërbejnë asnjë objektivi,aq më pak shqipes dhe drejtshkrimit të saj. Këshilli Ndërakademik ka në përbërje të tij autoritete të gjuhësisë në Shqipëri, Kosovë, por edhe në diasporë, të cilët i kanë të gjitha mundësitë të arrijnë zgjidhjet më të mira. Unë besoj se ky Këshill është i përgjegjshëm për seriozitetin e punës që ka marrë përsipër dhe shpresoj që sa më shpejt të kemi në tryezat tona propozimet konkrete, në mënyrë që të mos mbetet në nivel diskutimesh, pasi këto nuk i vlejnë as shoqërisë e as gjuhës.

Këshilli Ndërakademik sugjeron, por nuk ka fuqi vendimmarrëse. Do të ishte një Kongres i dytë, zgjidhja për përmirësimin e standardit?


Vende të ndryshme e zgjidhin këtë gjë në mënyra të ndryshme. Në Shqipëri ndoshta mund të lindë nevoja për një institucion të përhershëm, i cili, në mënyrë periodike, të rishikojë probleme të veçanta të drejtshkrimit, të cilat janë çështje teknike studimore dhe nuk ka pse të kthehen në probleme të marrëdhënieve mes personave, qofshin këta studiues, gjuhëtarë apo çfarëdo tjetër. Mendoj se, më shumë sesa për një arenë gladiatorësh, do të kemi nevojë për një institucion të tillë, që herë pas herë të ndërhyjë me vendime për përmirësimin e drejtshkrimit të shqipes, sipas propozimeve të dala nga Këshilli Ndërakademik.