Ç’po ndodh me dy vendet pas Pranverës Arabe?
Nga F. Stephen Larrabee
(Foreign Affairs)
Një nga elementët më të diskutueshëm të politikës së jashtme turke ka qenë përpjekja nga ana e partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) për të mbajtur lidhje të ngushta me Iranin. Afrimi rishtas i Kryeministrit Erdogan me Teheranin ka sjellë shqetësime për kryeqytetet perëndimore, duke qenë se Ankaraja po shkon drejt rrjedhës së Perëndimit. Ndryshimet në programin bërthamor Iranian e kanë shtuar këtë frikë edhe më shumë. Në kundërshtim të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarë të tjerë të NATO-s, si dhe Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, Turqia ka minimizuar këtë rrezik që vjen nga politika për programin bërthamor nga ana e Iranit dhe po përpiqet të shmangë detyrimet e imponuara nga Traktati Bërthamor.
Shembulli më tipik është ai i qershorit 2010, kur duke iu kundërvënë aleatëve perëndimorë, Ankaraja votoi kundër një regjimi të ri sanksionesh të Kombeve të Bashkuara, që kishin objektiv ushtrinë iraniane.
Shqetësimet lidhur me Ankaranë e ekzagjeruan shkallën e interesave të rëndomta midis Turqisë dhe Iranit. Nën një lustër miqësore, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë shenja mosbesimi dhe ankthi. Turqia dhe Irani kanë qenë kundërshtarë strategjikë shekuj më parë, që në kohën e dinastisë perse Safavidë dhe Perandorisë Osmane. Pranvera Arabe ka sjellë përjetime të reja për rivalët historikë. Që nga vera e vitit 2011, konfliktet midis dy vendeve janë bërë më të dukshme në Siri, në Palestinë, Irak dhe për kauzën kurde. Në një kohë kur është intensifikuar më shumë presioni për demokraci në Lindjen e Mesme, Turqia dhe Irani kanë dalë hapur kundër njëra-tjetrës dhe secila prej tyre dëshiron të zgjerojë ndikimin e vet me çmimin e tjetrit.
Siria ka qenë burimi më serioz i mospajtimit. Kritikët e potershëm të Ankarasë për presidentin sirian Bashar al-Assad, si dhe mbështetja për opozitën siriane, i ka irrituar tej mase liderët iranianë. Siria është aleati më i ngushtë i Iranit. Rënia e Assadit do të ishte një humbje e madhe për ambiciet rajonale të Iranit dhe do ta linte më të izoluar Teheranin. Si pasojë, në muajt e fundit, ajatollahët në Iran e kanë akuzuar Erdoganin se po ndërhyn hapur në punët e brendshme të Sirisë. Tensionet u shtuan edhe më shumë në fund të qershorit, pasi Siria u bë shkak për rrëzimin e një avioni luftarak turk. Në përgjigje, Erdogani paralajmëroi Damaskun që t’i mbante larg trupat nga kufiri Turqi-Siri dhe kërkoi një takim me aleatët e NATO-s për të diskutuar për një përafrim tjetër mes dy vendeve.
Përtej Sirisë, marrëveshja e Ankarasë shtatorin e kaluar për të drejtuar një radar paralajmërues të NATO-s në tokën turke, i ka zemëruar së tepërmi ajatollahët. Tetorin e shkuar, gjenerali Massoud Jazayeri, kreu i forcave të armatosura iraniane bëri thirrje që Turqia të ‘mendohej edhe një herë për interesat strategjikë dhe të nxirrte mësime nga përvojat e hidhura historike të vendeve të tjera”. Turqia, sidoqoftë, nuk ka dhënë shenja për tërheqje.
Si për t’i shtuar edhe pak fyerje ofendimeve iraniane, në të njëjtin muaj kur u bë shpallja për radarin e NATO-s, Erdogan bëri një tur vizitash në Afrikën veriore. Në Kajro, vërejtjet e tij për rëndësinë e kundërlaicizmit sollën kritika të forta nga lidershipi Iranian. Krerikët në Teheran, duke përfshirë edhe Ajatollahun Mahmoud Hashemi Shahroudi, ish kreu i gjyqësorit dhe një këshilltar i ngushtë i liderit suprem Ali Khamenei, akuzoi Turqinë se po përkrahte një version perëndimor të Islamit për të avancuar më tej me ambicjet e veta rajonale.
Kritika e Shahroudit, reflektoi mbi shqetësimin e Teheranit për popullaritetin e modelit turk, duke i vënë theksin demokracisë dhe kundërlaicizmit.
Por ka ndikuar edhe te frika në Iran se mos Turqia po fiton një betejë politico-ideologjike për aleancën e një numri të madh myslimanësh në Lindjen e Mesme.
Por Erdogani nukmori nëpër këmbë vetëm problemet që Teheranii konsideron të vetat, në Kajro. Në përkrahje të të drejtave të palestinezëve, Erdogani foli për çështjen e palestinezëve. Mbështetja e tij dhe kritika e tij për sulmin izraelit në Gaza ia rriti edhe më shumë popullaritetin në botën arabe. Sot, ai shihet nga shumë arabë si lideri mysliman që i është kundërvënë Izraelit dhe mbron interesat myslimane.
Në fund të vitit 2011, Iraku është shfaqur si një fushë beteje e rëndësishme midis Turqisë dhe Iranit. Tërheqja e forcave luftarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lënë një vakum pushteti atje, që Irani ka dashur ta shfrytëzojë.
Turqia ka interes për një Irak të qëndrueshëm, ekonomikisht të begatë dhe të pavarur. Ajo nuk dëshiron ta shohë vendin të shndërruar në një satelit Iranian apo të bëhet një pedanë kërcimi për përhapjen e ideologjisë radikale islamike.
Sidoqoftë, vitin që shkoi, marrëdhëniet e Erdoganit me kryeministrin irakian Nouri al-Maliki janë prishur. Ai është parë gjithnjë nga Ankaraja si njeriu i Teheranit në Bagdad. Ai ka lidhje të forta me lidershipin Iranian, që e ka krijuar gjatë viteve të mërgimit në Iran gjatë sundimit të Sadam Huseinit. Që nga tërheqja e trupave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Iraku, ai ka kërkuar më këmbëngulje të konsolidojë pushtetin e tij politik.
Përpjekja e tij për të forcuar lidhjet me grupin ushtarak radikal, Asaib Ahl al-Haq me ushtrinë amerikane mendohet se është financuar dhe drejtuar nga Forca Qud e elitës së Iranit. Kjo gjë ka alarmuar zyrtarët turq, që kanë frikë se këto lidhje mund të prishë ekuilibrin e pushtetit politik në Bagdad në favor të Iranit.
Tensioni midis Malikit dhe Erdoganit u intensifikua janarin e këtij viti, pasi Maliki nxorri një urdhër arresti për zv/Presidentin Iraken Tariq al-Hashimi, një sunit që u akuzua për nxitës terrorizmi.
Hashimi më pas fluturoi për në Irakun verior, ku ka qenë nën mbrojtje të qeverisë rajonale kurde, që e refuzoi kërkesën e Bagdadit për ekstradimin e tij. zyrtarët turq e shohin hapin e parë të Malikit si një përpjekje për të goditur sunitët dhe kurdët dhe për të rritur ndikimin politik të Shias. Ata kanë frikë se përpjekja e Malikit për të pakësuar ndikimin sunit dhe kurd do të rrisë rrezikun e dhunës dhe do të çojë në shkatërrimin e Irakut, me kurdët në veri që po fitojnë pavarësi të plotë.
Përveç kësaj, si pasojë e ankthit në rritje në Siri, çështja kurde po kërkon një dimension të ri e të rëndësishëm. Ajo nuk është më një çështje e ndryshme për vende të ndara, ku jetojnë komunitetet kurde. Kontakti midis kurdëve në Irak, Iran, Siri dhe Turqi po rritet drejt një përafrimi të koordinuar. Në të njëjtën kohë, PKK (Partia e Punëtorëve Kurdistanë që ka luftuar kundër Turqisë për pavarësinë kurde që nga viti 1984) ka vijuar sulmet në malet Qandil në Irakun verior. Zyrtarët turq shqetësohen që Irani dhe Siria e kanë mbështetur PKK, ashtu siç kanë bërë edhe më 1980 dhe në fillim të viteve ’90, me qëllim që të dobësojnë Ankaranë.
Problemet ekonomike midis Turqisë dhe Iranit gjithashtu janë shtuar. Gjatë dekadës së fundit, lidhjet tregtare dhe ato financiare janë shtuar, sidomos në fushën e energjisë. Irani është furnizuesi i dytë më i madh i gazit natyror për Turqinë, pas Rusisë, që është në vend të parë. Gjithashtu ajo siguron 30% të importit bruto të naftës në Turqi. Në disa raste të veçanta, Irani e ndërpret furnizimin me gaz për Turqinë për javë të tëra. Këto ndërprerje, që vijnë për shkak të infrastrukturës së vjetëruar të Iranit, kanë sjellë mjerime të mëdha për ekonominë turke dhe kanë shkaktuar humbjen e shkëlqimit të reputacionit të Iranit si një partner të besueshëm.
Natyra e mbyllur e ekonomisë iraniane ka sjellë vështirësi të mëdha. Eksportuesit turq përballen me tarifa të larta për ushqimin e përditshëm, me ndryshime të shpeshta në taksa, me vonesa në lejet për importin etj.
Këto hendeqe bëjnë që shumë eksportues të heqin dorë nga biznesi me Iranin dhe të kërkojnë më shumë tregje të hapura.
Më në fund, paqëndrueshmëria në rritje në Lindjen e Mesme shkaktuar prej Pranverës Arabe ka nxitur Ankaranë që të mbajë lidhje më të ngushta me Uashingtonin. Veç vendimit për zhbllokimin e radarit paralajmërues të NATO-s, në muajin prill Erdogani, në linjën e sanksioneve amerikane, ra dakord të ulë shitjet e naftës nga Teherani me 20%. Këto ndryshime shënojnë një spostim të rëndësishëm të politikës turke kundrejt Iranit. Ashtu si në të kaluarën, Ankaraja ka të ngjarë që të ngurrojë për të bërë koalicion të hapur me anti-iranianët. Sidoqoftë, nuk ka për të pasur ndonjë muaj mjalti mes Turqisë dhe Iranit. Në dekadën që vijon, beteja për ndikimin rajonal mes dy fuqive ka të ngjarë të rrisë dhe të riformësojë politikën e Lindjes së Mesme.
Përktheu Rudina Dahri






