Numri i katolikëve në Amerikën Latine po bie në mënyrë të shpejtë. Ndryshe nga Europa, ky fenomen nuk është rezultat i zbehjes së shpejtë të ndjenjave religjioze. Tashmë shumë katolikë i kanë varur shpresat te Papa argjentinas për të ndalur trendin negativ.
Për shumë arsye, Amerika Latine e meriton emrin “kontinenti katolik”. Kolonizuar nga vendet me rrënjë të thella katolicizmi ardhur nga gadishulli iberik, për shumë shekuj popullsia e saj i përkiste në mënyrë të vetëkuptueshme Kishës së Romës. Mirëpo, kur futbollistët e Brazilit, Kolumbisë apo Kosta Rikës, gjatë këtyre ditëve të Botërorit ia drejtojnë falënderimin e tyre qiellit, vihet re se jo të gjithë ata e bëjnë këtë sipas ritit katolik. Madje, qysh në fillim të shekullit 20, pra rreth 75 vjet pas pavarësisë së tyre dhe më vonë, pas shumë valësh emigrimesh – mes të tjerash kontingjente që vinin nga vende protestante si Prusia apo ishujt britanikë, por edhe nga Azia e Lindja e Mesme – statistikat për praninë e katolikëve në këto vende kapnin shifra prej 95 deri në 99 për qind. Mirëpo qysh atëherë, numri i atyre që e shpallin veten ndjekës besnikë të Kishës së Romës, po bie ndjeshëm. Sipas një studimi të papublikuar të institutit kilian të sondazheve publike “Latinobarómetro”, rezultatet e ardhura nga 18 vende pjesëmarrëse në sondazh nga rajoni në fjalë, nga viti 1995, krahasuar me ato të vitit 2013, sollën këto shifra: numri i katolikëve të shpallur gjatë kësaj periudhe kohore kishte pësuar rënie nga 80 në 67 për qind. Në vend të katërt, nga pesë persona më 1993, në vitin 2013 tashmë vetëm dy ndër tre amerikanolatinë ndihen katolikë në besim. Kjo vlen madje edhe për vendin më katolik të botës, Brazilin. “Në gjysmën e të gjitha vendeve të rajonit, tashmë katolicizimi nuk është më dominant, e tashmë Amerika Latine është qartazi një vend me shumë besime”, përmbledhin në studimin e tyre autorët e institutit kilian. Se sa i qartë mund të jetë ky zhvillim në besimin botëror, e tregon pamja e tij homogjene: në shtetin ishullor të Republikës Dominikane dhe në Meksikë, vendin më të madh nga 17 kombet që flasin spanjisht në rajon, Kisha Katolike madje ka pësuar një rritje të lehtë kohët e fundit në numrin e anëtarëve të saj. Në vende të tjera, e sidomos në Amerikën Qendrore, numri i katolikëve pësoi një ulje që kap një shifër shumë të konsiderueshme, prej deri 30 përqindësh.
Më mirë i krishterë sesa katolik
Ndryshe nga Gjermania për shembull, ku thuajse çdo njëri ndër tre persona nuk e llogarit veten në asnjërin prej komuniteteve religjioze, shumica e amerikanolatinëve i qëndrojnë besnikë burimit të spiritualitetit të tyre. Vetëm në Uruguai (38 për qind) dhe në Kili (25 për qind) ateistët e shpallur apo agnostikët etj., përbëjnë më shumë se një të katërtën e popullsisë. Në shumicën e vendeve, në vend të katolicizmit po shfaqen linja të reja religjioze: “Qysh prej shekullit të 19, në Amerikën Latine kanë zënë rrënjë kisha të reja të krishtera si: luteranët, anglikanët dhe reformatorët”, thotë sociologu Cristián Parker Gumucio nga Universiteti ‘Santiago de Chile’. Qysh prej mesit të shekullit 20, po përhapen besime të reja si ai evangjelist dhe kishat baptiste, të cilat zakonisht importohen nga SHBA-ja drejt vendeve të Amerikës Latine”. Më i fortë ndikimi i tyre vihet re në Amerikën Qendrore. Në atë rajon, ato kërcënojnë madje ta lënë pas edhe vetë Kishën Katolike. Në vitin 2013, në Honduras, si protestantë e shpallnin veten rreth 41 për qind e popullsisë, thuajse në të njëjtën masë me katolikët (47 për qind), të cilët gjithsesi akoma mbajnë kryesimin.
Fleksibiliteti spiritual ka traditë
Por edhe ndër ata që u ftuan të marrin pjesë në sondazh e që nuk e shihnin veten në asnjë grupim religjioz, gjenden madje me shumë gjasa shumë besimtarë. Në këtë përfundim arrijnë studimet nga Meksika, Argjentina, Kili dhe Brazili. “Ata janë të pakënaqur me atë çfarë u ofron Kisha Katolike dhe kërkojnë për alternativa të reja për ta përjetuar spiritualitetin e tyre”, shpjegon me këtë rast, eksperti kilian i besimeve fetare, Gumucio. Sidoqoftë, ky nuk është një fenomen i ri. “Amerikanolatinët ruajnë një farë tradite në përzierjen e besimeve të tyre të vjetra me ato të reja”, sipas Gumucios. Shembuj të mirëfilltë gjenden në zonën e Karaibeve dhe në zonat e Brazilit verilindor, ku qysh prej shekujsh, religjionet natyrore të skllevërve afrikanë u përzien me katolicizmin e kolonizatorëve iberikë. Por edhe perëndi pagane indigjene u janë shtuar atyre e janë përzier me trinitetin e famshëm katolik.
Një Papë në kohën e duhur?
Aftësia për t’i përzier e mbajtur bashkë tradita të ndryshme religjioze, gjithsesi nuk shpjegon dot faktin se përse sot kanë hequr dorë nga besimi i vjetër kaq shumë amerikanolatinë. Rënia e prestigjit të Kishës Katolike mund ta shpjegojë vetëm pjesërisht këtë fenomen, kjo pasi duhet të mbajmë parasysh se këto fenomene janë shfaqur shumë më herët sesa skandalet e viteve të fundit në Kishën e Romës. Një avantazh strukturor i kishave evangjeliste e atyre të lira, qëndron sidomos në organizmin e tyre të decentralizuar. Ato janë shumë të thjeshta në struktura e rite, e kësisoj më pranë besimtarëve. Hierarkia autoritariste e katolikëve me qendrën e tyre me një pushtet absolut në Romë, por edhe kishat e stabilizuara protestante nga Europa e shpjegojnë deri diku fenomenin. Ato bëjnë thirrje aktivisht dhe masivisht për besimtarë, ku punën në një bashkësi religjioze, ata nuk e shohin vetëm si punë në aspektin spiritual, por edhe më pranë halleve e nevojave reale njerëzore, duke ndihmuar në punësim e arsimim, tejkalimin e mëkateve dhe promovuar paqen familjare. Megjithatë, thotë Gumucio, Kisha Katolike, falë Papës së ri, ka një shans për ta rifituar terrenin e humbur. Më pak kjo, se Papa Françesku vjen nga Argjentina, sesa sepse ai deri pak kohë më parë ka ndikuar atje me punën e tij, duke e ditur se për çfarë bëhej fjalë dhe duke dashur që prej kësaj të nxjerrë mësime: “Ai thekson se katolicizmi nuk mund të ecë më duke u zhvilluar i izoluar e larg fateve personale të besimtarëve”. Nëse bariu i kishës nuk ia del dot të rimbledhë sërish delet e tij të besimit në Amerikën Latine, atëherë nga “kontinenti katolik”, me shumë gjasa pastaj do të kemi thjesht një “kontinent të krishterë”. A.P.





