Përdorimi dhe keqpërdorimi i lirisë fetare


 Nga Peter Singer


Cili duhet të jetë kufiri i lirisë fetare? Marianne Thieme, lidere e Partisë së Kafshëve në Holandë, e jep këtë përgjigje: “Liria fetare ndalet aty ku fillojnë vuajtjet e njerëzve apo kafshëve”. Partia për Kafshët, e vetmja parti që mbron të drejtat e kafshëve dhe që ka ulëse në parlament, ka propozuar një ligj që parasheh që kafshët të trullosen para therjes. Propozimi ka bashkuar liderët islamë dhe hebraikë në mbrojtje të asaj që e shohin si kërcënim për lirinë e tyre fetare, për shkak se doktrinat e tyre fetare ndalojnë që të hahet mishi i kafshëve që nuk kanë vetëdije kur theren. Parlamenti holandez u ka dhënë liderëve një vit afat për të dëshmuar se metodat e parapara nga fetë e tyre për therjen nuk shkaktojnë më shumë dhimbje, sesa therja me trullosjen paraprake. Po qe se ata nuk mund ta dëshmojnë një gjë të tillë, atëherë kërkesa e partisë do të vihet në fuqi. Ndërkohë, në SHBA, peshkopët e krishterë pohojnë se presidenti Barack Obama është duke shkelur lirinë e tyre fetare, duke kërkuar që punëdhënësit e mëdhenj, përfshirë spitalet dhe universitetet katolike, t’u ofrojnë punëmarrësve të tyre sigurim shëndetësor që përfshin edhe kontraceptivët. Ndërkohë, në Izrael, ultra-ortodoksët, që mbrojnë qëndrimin se ligji hebraik u ndalon burrave të prekin gratë me të cilat nuk kanë lidhje farefisnore dhe as martesore, duan ulëse të ndara për burrat dhe gratë në autobusë, duke e ndalur në të njëjtën kohë planin e qeverisë për t’i dhënë fund përjashtimit nga shërbimi ushtarak të studentëve fetarë (63.000 më 2010). Kur njerëzit pengohen ta praktikojnë fenë e tyre – për shembull me ligjet që e ndalojnë atë në mënyra të caktuara – atëherë nuk ka fare dyshim se liria e tyre e të besuarit është shkelur. Ndjekjet në baza fetare kanë qenë të zakonshme në shekujt e mëparshëm dhe vazhdojnë të jenë të pranishme në disa shtete sot. Megjithatë, ndalimi i therjes me rituale i kafshëve nuk pengon hebrenjtë apo myslimanët që të praktikojnë fenë e tyre. Gjatë debatit rreth propozimit të Partisë për Kafshët, rabini Binyomin Jacobs, kryerabin në Holandë, u tha anëtarëve të parlamentit: “Po qe se njerëzit nuk mund të bëjnë therjen me rituale në Holandë, atëherë nuk do të hamë më mish”. Dhe kjo natyrisht është ajo që duhet të bëhet, po qe se dikush përkrah një fe që parasheh që kafshët të theren në mënyra më pak humane, sesa që do të bëhej me teknika moderne. As Islami dhe as Judaizmi nuk kanë dispozita rreth ngrënies së mishit. Dhe, unë nuk po u bëj thirrje hebrenjve dhe myslimanëve ta bëjnë atë që kam vendosur ta bëj vetë, për arsye etike, për më shumë se 40 vjet. Kufizimi i mbrojtjes legjitime të lirisë fetare drejt refuzimit të propozimeve që pengojnë njerëzit të praktikojnë fenë e bën të mundur të zgjidhen edhe shumë konteste tjera, në të cilat pohohet se në pyetje është vënë liria e fesë.
Për shembull, lejimi i burrave dhe grave të ulen ku të duan në autobus, nuk e shkel lirinë fetare hebraike, për shkak se ligji hebraik nuk e përcakton përdorimin e transportit publik. Ai është vetëm një mjet pa të cilin mund edhe të jetohet. Ngjashëm, vendimi i administratës Obama për të ofruar sigurim shëndetësor që mbulon kontraceptimin nuk pengon të krishterët që të praktikojnë fenë e tyre. Krishterimi nuk obligon përkrahësit e vet që të udhëheqin spitale dhe universitetet. (Qeveria tashmë ka veçuar famullitë dhe dioqezat, duke e bërë në këtë mënyrë dallimin midis institucioneve që kanë rëndësi në praktikimin e fesë dhe atyre që janë periferikë). Natyrisht se Kisha Katolike nuk do të ishte e gatshme që të heqë dorë prej rrjetit të saj të madh të spitaleve dhe universiteteve. Supozimi im është se më parë ata do të fillojnë ta shohin dispozitën e sigurimit shëndetësor në përputhje me mësimet fetare. Por, po qe se Kisha merr vendim të kundërt, duke ia dorëzuar spitalet dhe universitetet e veta organeve që janë të gatshme ta ofrojnë një mbulim të tillë shëndetësor, të krishterët do të vazhdonin ta kenë lirinë e tyre të praktikimit të fesë.
Përjashtimi fetar nga shërbimi ushtarak mund të jetë më i vështirë për t’u zgjidhur, për shkak se disa fe predikojnë pacifizmin. Problemi zakonisht zgjidhet duke ofruar shërbim alternativ, që është po aq i rëndë sa shërbimi ushtarak, por që nuk përfshin luftimin apo vrasjen. Judaizmi megjithatë nuk është pacifist dhe për këtë arsye këtu nuk kemi të bëjmë me problemin e lirive fetare. Ultra-ortodoksët duan përjashtim për ata që e kalojnë kohën duke studiuar Torën, me arsyetimin se studimi i Toras është po aq i rëndësishëm sa edhe shërbimi për mirëqenien e Izraelit. Sigurimi i opsionit të një shërbimi kombëtar joluftarak do ta zgjidhte kontestin. Por, nuk ka arsye që shumica laike e Izraelit ta ndajë qëndrimin se të kesh dhjetëra mijëra ligjërues ultra-ortodoksë që studiojnë Torën i siguron të mira shtetit. Jo të gjitha konfliktet midis fesë dhe shtetit janë të lehta për t’u zgjidhur. Por, fakti se këto tri çështje janë duke shkaktuar aktualisht kundërthënie në këto shtete dhe se nuk kanë të bëjnë me lirinë e të praktikuarit të fesë, tregon se apeli për liritë fetare është duke u keqpërdorur.

Autori është profesor i bioetikës në Universitetin e Princetonit. Shkrimi është botuar në “Project Syndicate”