Këtu, në Bistricë, pat jetuar dikur një përbindësh, një gjarpër i madh.
Hante njerëz dhe bagëti ky gjarpër i pangopur, prishte pemë dhe të mbjella, rrëzonte kasolle dhe shtëpi, shkretonte vendin rreth e rrotull, tek vërtitej si i tërbuar.
Pse s'e vrisnin? E si ta vrisje? S'ishte gjarpër sidokudo, po katana. Ai, sapo shikonte dikë, ose nxirrte zjarr jeshil dhe e përvëlonte ose e kollofiste pa një pa dy.
Po një plak i varfër vendosi:
- Do vete, - tha, - ta vras përbindëshin. Dhe, në më përpiftë, unë e hëngra çairin tim. Se s'durohet i mallkuari.
Ngarkoi plaku një gomar me eshkë, e vuri përpara dhe u nis. Kur u afrua te gjarpri, ky flinte. Plaku ndezi me uror dy copë eshka dhe i hodhi njërën në një thes të barrës, tjetrën te thesi i dytë. Filluan të ndizen dy thasët me eshkë, por me ngadalë e si fshehurazi, se kështu e ka eshka. Pastaj plaku u fsheh dhe filloi ta gjuante gjarprin me gurë, që ta zgjonte. Gjarpri u zgjua, pa gomarin e u turr dhe e përpiu me gjithë barrën. Por eshka digjej në bark të gjarprit. Kështu u ndez vetë përbindëshi.
Dha e mori të shuhej, po ëhë! Atëherë thirri:
- Ku je, o nënë Bistricë, dhe ti, o det vëllai! Më ndihmoni!
Bistrica vajti me të shpejtë ta shuante gjarprin, por s'mundi. Deti nuk lëvizi, se gjarpri i thirri "vëlla", kurse Bistricës "nënë".
Gjarpri e kuptoi gabimin dhe thirri:
- Ndihmomë, o baba det!
Atëherë deti u nis të shkonte të shuante gjarprin, por, sa erdhi ai në Finiq, gjarpri u dogj krejt. Dhe deti u kthye prapë poshtë.
Kështu mbaroi ky gjarpër përbindësh e i patën mbetur vetëm kockat. Thonë se disa nga këto kocka i morën ustallarët dhe i bënë shtylla, kur ndërtuan manastirin e Mesopotamit.