Një natë në Stamboll- tregim nga Nonda Bulka


Nata ka mbuluar me krahët e vet Stambollin. Dritat e shtëpive të qytetit po shuhen njëra pas tjetrës. Në një dhomë, buzë një rrugice të ngushtë, dritat nuk shuhen akoma. Është dhoma e punës e një shqiptari të madh.

Nga dritarja e vogël, drita duket ende. Brenda në dhomë ndodhet rilindësi i madh. I rrethuar nga librat, është ulur në një kolltuk të vjetër dhe shkruan.... Nga kalldrëmi i rrugës së ngushtë vazhdon të kumbojë zhurma e hapave të zaptijeve. Dinjitoz, i heshtur, i vrazhdë, i brengosur nga të therurat e gjunjëve, nga reumatizmi i pashërueshëm, ai vazhdon të shkruajë. Kohë pas kohe e lëshon punën mbi tryezë dhe diku i mbërthen sytë. Ai ëndërron dhe shkruan, shkruan dhe ëndërron.

I mbështjellë në ëndrrën e tij të madhe, ai kaloi dete, male, fusha, bregore dhe arriti atje ku ëndërronte kryeqytetin e Shqipërisë së ardhshme në Belsh. Qëndroi para liqeneve dhe në pasqyrën e atyre ujërave të kristalta soditi një botë të tërë përmes ëndrrës së vet. Njeriu me mjekër të gjatë dhe të thinjur para kohe shikonte me sytë e mendjes atë që sot e shikojmë me sytë e ballit. Ai e dinte se ëndrrat e tij s'mund të qëndronin ëndrra; ai e njihte fuqinë shpirtërore të popullit shqiptar, zotësinë e tij, talentin e tij, vetëmohimin e tij dhe, mbi të gjitha, trimërinë e tij legjendare.

Në ato ujëra të kristalta ai soditi Shqipërinë, të lirë, pa shtypës pa pushtues, pa të ligj. Ai kundroi universitetin ku hynin e dilnin mijëra djem e vajza me libra në sqetull. Ai aty pa si në pasqyrë minierat nga të cilat rridhnin lumenj nafte dhe sere, ai pa male plot me krom, hekur e nikel.

E tërë Shqipëria aty ishte. Dhe u mahnit. Një lot shkau si një rubin nga sytë e tij, çau përmes rrudhave të asaj fytyre, u rrokullis në ujërat e kulluara të liqenit e një valëz uji e rrethoi atë lot. Ai buzëqeshi. Ndofta pas kaq e kaq vitesh ishte e para buzëqeshje që zbukuronte fytyrën e tij. Një valëz u përplas lehtas në breg dhe me zhurmën e vet, ndoshta përshëndeti rilindësin e madh.

U zgjua nga ëndrra, erdhi në vete, fërkoi sytë me duart e veta dhe duart iu qullën. Kishte qarë.
Drita e zbehtë e llambës me vajguri vazhdonte të përpëlitej dhe hapat ritmikë të rëndë të zaptijeve dëgjoheshin që nga jashtë. Ngriti pakëz kokën, hodhi sytë rreth e rrotull dhe i mbërtheu me mallëngjim mbi librat që e rrethonin nga të katër anët. Ndoshta desh t'u jepte lamtumirën e fundit. Mori përsëri penën, por pena për herë të parë nuk iu bind dhe i shkau nga dora.

E uli kokën mbi libër, po sytë iu veshën, fytyra iu zbeh, mjekra iu drodh. Pena pret një dorë që të lëvizë, por dora s'lëviz më. Dhe boja u tha mbi libër. Vdiq mbi libra, i rrethuar nga libra, si trimi në fushën e betejës me armë në dorë. 

tregime nga Nona Bulka, Nonda Bulka tregime, tregime te bukura

Related Posts: