Home »
» Historia e karatesë në Evropë
Historia e karatesë në Evropë
Në fillim të viteve '60 të shekullit të kaluar, në Evropë karateja ushtrohej në kuadër të klubeve të xhudos (judo). Atëbotë karatekat e parë (karateka – karateist) i mësonin instruktorët japonezë, të cilët qëndronin në Evropë me direktivat e Asociacionit japonez të karatesë (Japan Karate Association), që angazhohej për afirmimin dhe përhapjen sa më të madhe të karatesë, veçanërisht në kontinentin evropian dhe amerikan.
Në vitin 1961 në Francë u themelua federata e parë kombëtare e karatesë në Evropë, që ishte anëtare e federatës së xhudos, kurse kryetar i parë i saj ishte Zhak Delkur (Jacques Delcourt), i cili shumë vite ishte edhe kryetar i Federatës Botërore të Karatesë (WKF), kurse sot është kryetar nderi i saj.
Gara e parë ndërkombëtare e karatesë u mbajt në Belgjikë në vitin 1963 dhe në të morën pjesë Belgjika, Franca dhe Britania e Madhe.
Më 15.12.1963 në Francë u mbajt kongresi i parë evropian i karatesë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shtatë federatave kombëtare: Italisë, Belgjikës, Zvicrës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Spanjës. Në kongres u mor vendimi që të kontaktohen federatat kombëtare të xhudos të vendeve evropiane, në kuadër të të cilave ushtrohej karateja. U konstatua se ishte i pamundur unifikimi i teknikave, andaj mbeti që edhe çështja e unifikimit të rregullave të referimit të zgjidhej në kongresin e ardhshëm.
Kongresi i dytë evropian i karatesë u mbajt në Paris më 24.05.1964, me ç'rast delegatët zgjodhën për kryetar Jacques Delcourt-in, si dhe drejtorinë në përbërje: nënkryetarë Brief (Gjermani), Cherix (Zvicër), Fannoy (Belgjikë), sekretar Sebban (Francë) dhe ndihmëssekretar Goetz (Belgjikë). Në kuadër të kongresit u mbajt edhe kursi për gjyqtarë, që e udhëhoqën instruktorët japonezë.
Kongresi i tretë evropian i karatesë u mbajt më 21.11.1965 në Paris dhe në të numri i anëtarëve u rrit në dhjetë, me inkuadrimin e delegatëve nga Jugosllavia, Austria dhe Portugalia. Këshilltari teknik, francezi Henry Plee zgjodhi për këshilltarë katër instruktorë japonezë: Kono, Yamashima, Toyama dhe Suzuki. Në kongres u miratua statuti dhe u themelua Unioni evropian i karatesë (EKU), ndërsa në zgjedhet e reja u zgjodh kryetari Jacques Delcourt dhe drejtoria në përbërje: nënkryetar i parë Fannoy (Belgjikë), nënkryetar i dytë Cherix (Zvicër), sekretar me funksionin shtesë të arkatarit Sebban (Francë) dhe ndihmëssekretar Goetz (Belgjikë).
Në kongres u miratuan edhe plani financiar dhe rregullat e referimit, si dhe u vendos që kampionati i parë evropian të mbahet më 7.05.1966 në Paris (garat ekipore me 5 garuesë plus një rezervë dhe gara vetja pa kategori të peshave dhe me numër maksimal prej katër garuesish për çdo federatë kombëtare.
Kampion i parë evropian më 1966 u bë ekipi i Francës, i cili në finale mundi Zvicrën. Në finalen e garave vetjake Baroux mundi Sauvin-in (që të dytë nga Franca). Kampionatin e parë e karakterizoi numri i madh i lëndimeve të rënda. Në kongres u zgjodh edhe komisioni i gjyqtarëve, kurse këshilltarë u zgjodhën Suzuki dhe Mochizuki.
Në vitin 1967 në Romë u mbajt seminari i parë ndërkombëtar për gjyqtarë, i cili zgjati një javë dhe në të cilin u harmonizuan rregullat e referimit, të bazuara në rregullat e JKA.
Kampionati i dytë evropian u mbajt më 05.05.1967 në Londër, kurse në kongres u vendos që seminari i dytë ndërkombëtar për gjyqtarë të mbahet në vitin 1968 në Split.
Në vitin 1968 në Paris u mbajt kampionati i tretë evropian dhe kongresi i gjashtë i Unionit evropian të karatesë (EKU), kampionati i katërt dhe kongresi i shtatë i EKU u mbajtën në Londër në vitin 1969, kurse në vitin 1970 në Hamburg të Gjermanisë u mbajtën kampionati i pesë evropian dhe kongresi i tetë i EKU, në të cilin u miratuan sistemi i repesazhit i garave dhe kategoritë e peshës.
Po atë vit, më 1970, u miratua statuti dhe u themelua Unioni Botëror i Karatesë (WKU), ndërsa kampionati i parë botëror u mbajt më 10.10.1970 në Tokio (Japoni).