Finalja do të zhvillohet në Allianz Arena, që ka një kapacitet prej 66 mijë ulësesh. Ky stadium do të jetë në ngjyrat e finales dhe jo të Bayernit para finales. Zakonisht para ndeshjeve të Bayernit bëhej i tëri i kuq nga jashtë duke shfaqur imazh spektakolar. Jo më pak spektakolare do të jenë ngjyrat sonte.
Sigurimi i biletave për finalen e madhe ka qenë shumë i vështirë. Sidoqoftë, pos stadiumit kryesor, Allianz Arena, është edhe Stadiumi Olimpik i Munichut me kapacitet 65 mijë ulëse që do ta mundësojë ndeshjen me anë të monitorëve gjigantë. Tani mund të jetë vonë për të siguruar një biletë për këtë lokacion, pasi të gjitha biletat janë shitur tre ditë pas gjysmëfinales. Një vend tjetër atraktiv është edhe sheshi i quajtur Theresenwiese, që ka kapacitet të zë 30 mijë njerëz, edhe ky, një vend tashmë i rezervuar.
Mbi 2000 policë do të jenë rrugëve të Munichut për të garantuar sigurinë në mesin e tifozëve, teksa trafiku do të jetë i stërngarkuar. Për këtë, Bashkia e Munichut ka vënë në funksion edhe 20 trena të shpejtë, për të lehtësuar ngarkesën në komunikacion. Preferohet frekuentimi me biçikletë, për vizitorët tanë që janë në Munich, ose ndonjë tifoz shqiptar që do ta përcjellë finalen.
Një gjë është e garantuar - Munichu dhe Allianz Arena do të ofrojnë eksperiencë të pa harruar për mijëra tifozë të pranishëm në qytetin gjerman.





