Djali i madh ka kërcënuar se do të bllokojë hetuesit. Kuvendi miratoi ligjin dy ditë më parë
Ndërkohë Mersini, djali i madh i “Shtëpisë së verdhë” aq shumë të përfolur, ka deklaruar dje për të përditshmen kosovare “Koha Ditore” se ai dhe familja e tij nuk janë dakord që EULEX-i të rikthehet në shtëpinë e tij për hetime e kontroll, pasi një gjë të tillë ata si familjarë e kishin kërkuar për 8 vjet me radhë.
Ai ka kërcënuar se do të bllokojë hetuesit e EULEX-it, ashtu siç vepruan më 10 gusht të vitit 2009 me reporterët e KE-së. Në mars të vitit të kaluar, të zotët e shtëpisë së cilësuar nga deputeti zviceran Dick Marty si “shtëpia e verdhë”, kanë paditur raportuesin e Këshillit të Europës për shpifje dhe dëm moral në gjykatën e Tiranës. Duke u shprehur në padinë e tyre se janë dëmtuar moralisht pasi Dick Marty në raportin e tij ka bërë objekt hetimi shtëpinë e tyre pa asnjë argument dhe duke shpifur, kur e ka cilësuar si një spital ilegal ku ish-ushtarët e UCK-së kryenin transplantet ilegale të organeve njerëzore, kanë kërkuar 10 milionë lekë dëmshpërblim për dëmin që u është shkaktuar.
Raporti i Dick Marty
Raporti i Dick Marty
Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX-i zbuloi rastin e klinikës Medicus në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.
Më tej përmendej se: “kjo çështje për herë të parë u përmend në librin autobiografik të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, e cila e përmend trafikimin e organeve të njerëzve në kampet e UÇK-së, veçmas në Burrel, në vendin e njohur si Shtëpia e Verdhë. Organizatat ndërkombëtare pas vendosjes në Kosovë, në përpjekje për të pasur qasje pragmatiste duke siguruar stabilitetin në vend e rajon, sakrifikuan disa parime të drejtësisë. Ushtarët dhe UÇK-ja u amnistuan për krimet kundër civilëve”, shkruan raporti. Marty pretendon se: “pas luftës u zhdukën shumë dëshmi e dokumente, ndërsa dëshmitarët janë frikësuar”. Pritet që ish-senatori zviceran, Dick Marty, të japë dëshminë e tij për rastin “Medicus” më 18 qershor në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Kryetari i trupit gjykues, Arkadiush Sadek, ka thënë se ende nuk e di nëse Dick Marty do të vijë personalisht në Kosovë për të dëshmuar apo këtë do ta bëjë nëpërmjet ndonjë video-konference.





