Pse Evropa mendon se Amerika po lulëzon

Nga Fareed Zakaria ("CNN")

 

Fareed_zakaria


 

Një sondazh i ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tregon se amerikanët janë ende të frustruar thellë nga rimëkëmbja e ngadaltë ekonomike. Kjo është e kuptueshme. Papunësia mbetet kryeneçësisht e lartë. Por, unë sapo jam kthyer nga Evropa, dhe ata mendojnë se Amerika po lulëzon. Merreni parasysh këtë: Ekonomia amerikane është në rrugë të mbarë për të shënuar një rritje prej 2 deri në 3 për qind këtë vit. Në dallim nga kjo, në Evropë, gjysma e ekonomive të Eurozonës do të kenë tkurrje këtë vit - e as edhe një ekonomi e madhe Evropiane nuk do të rritet me më shumë se 1 %. Të enjten e kaluar, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ish-ministrja franceze e Financave, Kristine Legarde, tha se mbi rimëkëmbjen e ekonomisë globale po rrinë pezull “re të zeza” dhe se Eurozona ishte në “epiqendër të rrezikut potencial”. Kostot e huamarrjes së shteteve si Spanja, Italia dhe Greqia vazhdojnë të rriten. Çfarë po ndodh? A nuk u duk sikur evropianët kishin arritur ta shmangin krizën vetëm pak javë më parë? Po, ashtu dukej. Shefi i ri i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, kishte adoptuar një version të politikave të Ben Bernakes dhe injektoi para në ekonominë e sistemin evropian të financës. Por, këto përpjekje tani po gjunjëzohen nga Bundestagu gjerman, i cili reflekton obsesionin e Gjermanisë lidhur me inflacionin, madje edhe nëse kjo i kushton pengimin e rritjes ekonomike. Dështimi më i madh, i shpërndarë anekënd Evropës, kanë qenë masat e tepërta shtrënguese. Kini parasysh të dhënat me të cilat e nisëm. Ekonomia amerikane, e cila mori nxitje monetare dhe fiskale, do të rritet me më shumë se 2% këtë vit. Ekonomitë evropiane që kanë ndjekur rrugën e shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjes së taksave për të reduktuar deficitet po e gjejnë veten në një spirale rënieje: shkurtim i shpenzimeve do të thotë pushim i njerëzve nga puna, kjo sjell me pak kërkesa për të mira e shërbime, gjë e cila nga ana e saj çon në tkurrjen e ekonomisë, çka - ironikisht - do të thotë më pak të ardhura tatimore e kështu deficit më të madh buxhetor. Hidhni një vështrim mbi Britaninë. Britania ka ndjekur një plan të ashpër kursimi, duke reduktuar shpenzimet qeveritare dhe duke rritur taksat. Përfundimi, rritja e ekonomisë britanike ka ngecur; ajo mezi do të rritet me 0.8% këtë vit. Dhe teksa deficiti buxhetor parashikohej të ishte nën 13 miliardë dollarë në shkurt, në fakt rezultoi të ishte 24 miliardë dollarë për vetëm këtë muaj. Pas programeve të saj të kursimit, papunësia në Spanjë ka arritur në 20% - 50% tek të rinjtë - dhe tanimë ky shtet një deficit buxhetor shumë më të madh nga sa ishte projektuar. Evropës i duhen reforma strukturore që do të shkurtojnë shpenzimet në afatin e gjatë - duke rritur moshën e daljes në pension dhe pakësimin e përfitimeve. Por, asaj po ashtu i duhen reforma pro rritjes ekonomike që t’i hapin tregun e punës. Por ç’është më e rëndësishmja për tani, Evropa ka nevojë t’u japë fund masave shtrënguese ndaj ekonomisë në depresion dhe të mësojë diç nga shembulli përtej Atlantikut. 2 ose 2.5 % rritje ekonomike mund të mos duket diçka e madhe në Amerikë, porse është tepër më e mirë se 0.3 përqindëshi negativ, i cili është parashikimi aktual për rritjen ekonomike të Eurozonës.

Related Posts: