Ishte kjo një sfidë e dominuar tërësisht nga Manchester City, teksa Manchester Unitedit nuk i mjaftoi tradita dhe përvoja e madhe që të mbajë distancën me rivalin lokal në sfidën kruciale për titullin.
Sfida nis e baraspeshuar, me Manchester Cityn që ka iniciativën. Sidoqoftë, vendasit përkundër tentimeve për të organizuar aksionet, vështirë gjenin hapësirat për të goditur në portën e De Geas, kjo falë mbrojtjes së hekurt të vendosur nga Sir Alex Ferguson.
Djajtë e Kuq pothuajse nuk treguan asgjë në pjesën e parë, pasi kërkonin të rrezikonin nga kundërsulmi. Sidoqoftë, përkundër dështimit për të shënuar nga ana e Tevezit dhe Agueros, në fund të pjesës së parë u thye mbrojtja e Djajve.
Një harkim të jashtëzakonshëm nga këndi të David Silvas e shfrytëzoi më së miri me një shkëputje fantastike mbrojtësi i Manchester Cityt, Vincent Kompany, i cili realizoi me kokë për 1-0 dhe epërsinë e Manchester Cityt (45’). Me këtë rezultat përfundoi dhe pjesa e parë.
Deri në fund United tentoi të rifitonte në posedim dhe të organizonte aksione pas hyrjes në lojë të Valencias dhe Young, por këto lëvizje u treguan të dështuara, pasi Manchester City mbajti epërsinë dhe arriti të mbyllë ndeshjen me rezultat 1-0.
Kështu, dy javë pa përfunduar sezoni, Manchester City është lideri i ri i tabelës në Ligën Premier me 83 pikë, po aq sa ka edhe Manchester United në vendin e dytë, por me golaverazh më të dobët.