Takimi i parë i zhvilluar në Stamford Bridge përfundoi me rezultat 1-0 në favor të Chelseat, ndërsa pas sfidës kthyese në finalen e Munihut do të luajnë Blutë.
Ekipi vendas e dominoi në tërësi fraksionin e parë, mirëpo mysafirët mbroheshin mirë duke mos lejuar depërtimin e Blaugranëve. Ishte minuta e 19-të kur Leo Messi u gjet përballë Cech pas asistimit të Fabregas, mirëpo portieri i Chelseat reagoi për mrekulli.
Në vazhdim e gjithë loja zhvillohej në gjysmëfushën e anglezëve, porse nuk kishte raste të vërteta shënimi. Përmendim dy ndërrime të detyrueshme të mbrojtësve nga secili ekip – Gary Cahill (Chelsea) dhe Gerard Pique (Barca), e lanë fushën për shkak të lëndimeve.
Menjëherë pas (37’), John Terry u përjashtua me karton të kuq për shkak një goditjeje të qëllimshme ndaj Alexis Sanchez.
Kur dukej se gjërat po bëheshin të lehta për katalunasit, doli në skenë Ramires. Pa përfunduar pjesa e parë (45’+1), Frank Lampard dërgoi një top te braziliani, i cili me një gol të bukur ktheu shpresat e skuadrës mysafire për t’u kualifikuar në finale.
Në minutat e para të kësaj pjese (49’), Didier Drogba ndërhyri në mënyrë të palejuar në Cesc Fabregas dhe gjyqtari akordoi penalti, mirëpo Lionel Messi goditi transversalen nga pika e bardhë.
Përmendim një gol të anuluar të Dani Alves, si edhe një goditje të shtyllës nga Lionel Messi, kundrejt skuadrës të cilën e përcillte një fat i jashtëzakonshëm.
Në finalen e 19 majit, Chelsea do ta presë fituesin ndërmjet Real Madridit dhe Bayern Munich.





