AUK: Jemi prezantuar me simbolet shtetërore

Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK), me anë të një komunikate për media ka hedhur kategorikisht poshtë pohimet e mediave serbe se AUK është paraqitur në universiadën e Barcelonës pa logot dhe flamurin e Republikës së Kosovës.

Mediat serbe të motivuara nga universiteti serb që ka marrë pjesë në universiadën e Barcelonës, kanë raportuar se AUK u ka kërkuar falje studentëve serbë për praninë e logove shtetërore, me ç’rast këto të fundit më pas janë larguar fare dhe studentët e AUK vazhduan pjesëmarrjen të privuar nga përdorimi i logove shtetërore.

Sidoqoftë, këto pohime janë totalisht të pa vërteta për zyrtarët e AUK, të cilët me anë të një komunikate kanë hedhur poshtë raportimet e mediave serbe.

“Ju njoftojmë, dhe në të njejtën kohë demantojmë lajmin e publikuar në portalet serbe të lajmeve dhe në faqen e universitetit pjesëmarrës nga pala serbe në "EuroEsade 2012" në Barcelonë, ku shkruhet se pala kosovare, me përfaqësim nga Universiteti Amerikan në Kosovë, me presionin e diskualifikimit nga turneu, i ka kërkuar falje studentëve te universitetit nga Serbia, dhe janë privuar nga shfaqja e flamurit të Kosovës, me qëllim të vazhdimit të garës”.

“Ne kemi garuar nën flamurin e Kosovës dhe e kemi shpalosur e valvitur me krenari, me përkrahjën e plotë të organizatorëve. Ju ftojmë të mos i besoni, dhe plotësisht t'i injoroni propagandat e pabaza serbe, të cilat me çdo kusht synojnë ndalimin e simboleve të shtetit të Kosovës, dhe integrimin e saj në arenën sportive ndërkombëtare, qoftë në nivelin profesional apo universitar”, shkruan në komunikatën e AUK.