Villas Boas është që një kohë të gjatë nën presion nga drejtuesit e klubit pas rezultateve të dobëta të ekipit. Duket se humbja nga WBA të shtunën pasdite rezultoi me shkarkimin e 33 vjeçarit, i cili i kushtoi Chelseat plot 30 milionë euro për t’u transferuar nga Porto.
“Andres Villas Boas nuk është më menaxher i Chelseat. Bordi dëshiron të falënderojë atë për punën e bërë dhe zhgënjimin e thellë që marrëdhënia është dashur të shkëputet aq herët. Fatkeqësisht rezultatet dhe paraqitjet e ekipit nuk kanë qenë të mira dhe nuk kishte shenja për përmirësime në një fazë kyçe të sezonit”.
“Klubi është ende duke garuar në Ligën e Kampionëve dhe FA Cup, kështu që po synojmë që të arrijmë sa më larg në të gjitha frontet. Kështu, kemi ndjerë se ky është opsioni i vetëm për të bërë ndryshimin në këtë moment”, shkruan në komunikatën e klubit londinez.
Me efekt të menjëhershëm është emëruar trajner i ekipit të parë asistenti Roberto Di Matteo, deri në përfundim të këtij sezoni.