Për një qasje të ndershme të marrëdhënieve SHBA-BE

Nga Patryk Pawlak
“EUobserver.com”

Eu_usa_locator

 Për shkak të trysnive që ushtrohen nga të gjitha anët, SHBA-së dhe BE-së u nevojitet sot më shumë se kurrë një debat i ndershëm në lidhje me ortakësinë e tyre. Ato duhet t’i bien lapsit se si të forcojnë sa më shumë fuqitë e tyre dhe të përllogarisin drejtimin e hapave që duhet të hedhin. Viti zgjedhor në SHBA i vendos evropianët përpara një sfide, por njëherazi u ofron edhe mundësinë që të marrin në shqyrtim gjendjen faktike të ortakërisë transatlantike dhe të shpalosin vizionet e tyre në këtë pikë. Presidenca e radhës nuk do të korrektojë imazhin e Amerikës, por do të dëshmojë udhëheqësinë globale të SHBA-së. Në mesazhin e tij për këtë vit, Barack Obama argumentoi se “ripërtëritja e udhëheqësisë amerikane do të ndjehet anembanë globit” dhe “gjithkush që flet për të kundërtën, çdokush që ju thotë se Amerika është në tatëpjetë”... “nuk di se çfarë po flet”. Konkurrenti i tij republikan, me gjasa Mitt Romney, dëshiron të ringjallë supremacinë amerikane duke ngulmuar te “një fuqizim ushtarak në atë masë sa askujt nuk do t’i shkonte ndërmend ta sfidonte”. Se cili prej kandidatëve republikanë do të jetë fituesi i paraprakeve, Mitt Romney a Newt Gingrich, kjo është një zgjidhje ende në ajër. Të dy kandidatët kanë këshilltarë kalibri për politikën e jashtme, por përplasjet në rritje mes dy kampeve amerikane janë shqetësuese për evropianët. Pavarësisht se kush do të jetë ai që do të ulet në Zyrën Ovale për katër vitet e ardhshme, tri çështje do të kenë përparësi në agjendën transatlantike. Së pari, për shkak të shkurtimeve buxhetore në SHBA, çdo lloj operacioni ushtarak në rrafsh global do të shoshitet mirë përpara se të ndërmerret. Por, kur interesat kombëtare amerikane vihen në rrezik, hesapet e imta nuk vihen në refene. Në një përplasje të mundshme Izrael-Iran, SHBA-ja do ta ndjejë veten të detyruar të dëshmojë “qendrimin e vendosur ndaj sigurisë së Izraelit”. Ndonëse Obama i mëshon idesë së zgjidhjes diplomatike për të ndalur Iranin të zotërojë armët bërthamore, ai nuk ka përjashtuar asnjë mundësi tjetër. Konkurrentët e tij republikanë flasin më troç për një ndërhyrje ushtarake, duke e akuzuar Obamën se ka dështuar “t’i tregojë Iranit se SHBA-ja i ka të gjitha aftësitë ushtarake që ta detyrojë të heqë dorë nga armët bërthamore”. Çdo lloj përplasjeje në rajon do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për Evropën - përfshirë edhe atë ushtarake - nëse Irani përgjigjet me të njëjtën monedhë. Së dyti, i duhet dhënë drejtim shqetësimeve amerikane për peshën në rritje të Kinës, si dhe drojës së shtuar të Kinës. Nisur nga ligjërimi i Romnit, “Kina e ka bërë të qartë synimin se do të bëhet një superfuqi ekonomike e ushtarake”, por mbetet të shihet nëse udhëheqësit e saj “do ta udhëheqin popullin drejt një epoke të re lirie e begatie, apo do të përudhen drejt shtegut të errësirës dhe frikësimit të fqinjëve”. Ndonëse 58% e amerikanëve janë për një fuqizim të marrëdhënieve SHBA-Kinë, 20% janë të mendimit se Kina përbën një kërcënim madhor - 11% e këtyre janë shtuar qysh nga nëntori i vitit 2009. Duke fuqizuar praninë e tyre ushtarake në Azi-Paqësor, të cilën Obama dhe sekretarja e shtetit, Hilari Klinton, e bënë me dije gjatë vizitës së tyre të fundit në rajon, SHBA-ja po dëshmon qëndrimin e saj se do të mbetet fuqia e Paqësorit. Për të vepruar si një ledh mbrojtës ndaj vërshimit rajonal kinez, Obama propozoi një ortakësi ambicioze “transpaqësore”, me synimin për të krijuar një “Njësi Mbikëqyrëse Tregtare”, me qëllim hetimin e praktikave të pandershme tregtare. Por këto plane kanë ngjallur shqetësime në radhët e evropianëve, të cilët i druhen faktit se këto nisma do të shquhen si sfida të drejtpërdrejta nga pala kineze, duke i dhënë shkas një gare të re në rajon. Edhe më e sikletshme është gjuha e garuesve republikanë që bëjnë thirrje për një fuqizim të aftësive ushtarake në Paqësor, si dhe thellim të bashkëpunimit me Indinë dhe aleatë të tjerë rajonalë. Së fundmi, normalizimi i marrëdhënieve me vendet arabe dhe myslimanët, do të vijojë të mbetet goxha sfidë. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të administratës së Obamës, prania e trupave amerikane në Afganistan dhe pozicionimi i qartë në konfliktin izraelito-palestinez, bëjnë që skepticizmi i botës muslimane të mbetet i pranishëm. Ndërkohë që Obama beson se “status quo-ja është paqëndrueshme, e që edhe Izraeli duhet të hedhë hapa të spikatur përpara në procesin e paqes”, rivalët e tij republikanë theksojnë problemin e “rritjes së sigurisë për Izraelin” dhe bëjnë thirrje “për të rritur nivelin e ndihmës ushtarake dhe bashkërendimit (Romni)”, ndërkohë që i përshkruajnë palestinezët si “popull i shpikur (Gingriç)”. Të tilla qëndrime ngjallin panik në radhët e evropianëve, të cilët orvaten të shmangin të tilla këndvështrime bardhezi. Një qasje sa më e kujdesshme merr rëndësi madhore, duke vlerësuar faktin që në botën arabe po ndodhin shndërrime vigane. Sigurisht, mënyra se si Uashingtoni do t’i përgjigjet këtyre sfidave, do të ketë pasoja edhe për Evropën. Por në vend që të shpresojnë të ndodhë më e mira, evropianët duhet të veprojnë së toku dhe të përqendrohen në tre synime kryesore: një rishikim të mirëmenduar të strategjisë evropiane të sigurisë, vënia në zbatim e një strategjie të besueshme e të detyrueshme për Azinë; dhe fuqizimi i politikave ndaj fqinjëve jugorë dhe shtetësisë palestineze. Në vend të kësaj, ne kemi në dorë një katalog masash gjysmake. Krijimi i “European External Action Service” ishte një veprim kuturu, por kjo nuk mund shërbejë pafundësisht si shfajësim për paveprueshmërinë dhe mungesën e politikave.