Në fillim të ndeshjes, Robinho pati një rast të qind për qindtë, mirëpo braziliani dështoi të shënonte. Më pas Lionel Messi kërcënoi ekipin vendas, mirëpo aty ishte Abbiati.
Pas një ndërhyrjeje të portierit rossoner kundrejt Alexis Sanchez, ishte një situatë e dyshimtë për penalti, por kështu nuk mendoi gjyqtari. Zlatan Ibahimovic pati një rast shumë të mirë për t’i kaluar vendasit në epërsi, mirëpo Valdes rezultoi më i suksesshëm.
Edhe në fraksionin e dytë të lojës, Blaugranët vazhduan me posedimin e topit, mirëpo vetëm për pak minuta diktuan tempin e lojës.
Megjithatë, edhe në vazhdim, katalunasit ishin skuadër më e mirë sa i përket menaxhimit të lojës, përkundër se nuk mund ta thyenin mbrojtjen e fuqishme të Rossonerëve.
Ana pozitive e këtij rezultati për Milanin është mospranimi i golit në terren vendas, ndërkohë që sa i përket Barcelonës, tifozët në Camp Nou do të jenë një shtytje e madhe. Sido që të jetë, gjithçka është hapur.





