Sprova e Turqisë, si një fuqi globale që duhet të jetë kujdestare stabiliteti

Nga Anne-Marie Slaughter


 

Derisa bota po shikon asgjësimin e qytetit sirian të Homsit dhe kriza po përhapet në Libanin fqinj, është koha që të pyetemi se çfarë i ndan fuqitë e mëdha prej fuqive të vogla. Reputacioni ndërkombëtar i Turqisë është ngritur vazhdimisht gjatë viteve të kaluara, derisa kryeministri Rexhep Tajip Erdogan po glorifikohet në shumë shtete të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore dhe ministri i Jashtëm, Ahmet Davutogly, po udhëton nëpër botë si përfaqësues i një shteti me ndikim. Në të vërtetë, Turqia dhe Indonezia i janë bashkuar BRIC (Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës) në listën e protagonistëve gjithnjë e më të rëndësishëm globalë. Tani, në masakrën e Sirisë, Turqia është duke u përballur me një sprovë kritike të aspiratave të saj rajonale dhe globale. Ka ardhur koha që liderët e saj të mos flasin dhe të mos veprojnë. Davutoglu e kishte paraqitur i pari idenë e vendosjes së një tamponzone për opozitën siriane në kufirin Siri-Turqi rreth tre muaj më parë, kur numri i viktimave në Siri ishte pothuajse gjysma e atij që është tani. Deri nga mesi i nëntorit, Erdogan ishte lideri i dytë rajonal (pas mbretit të Jordanisë, Abdullah), që i bëri haptazi thirrje presidentit sirian, Bashar al-Assad, që të tërhiqet. Nga fundi i nëntorit, Davutoglu sërish konfirmoi se qeveria turke ishte duke shqyrtuar plane të shumta humanitare, përfshirë mundësinë e një tampon-zone. Megjithatë, aksioni i vërtetë që nga ajo kohë nuk ka ardhur nga Turqia, mirëpo nga Liga Arabe, e cila ka dërguar monitorë dhe ka formuluar një plan për transicion politik në Siri. Pasi që Rusia dhe Kina i vënë veto atij plani në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe derisa forcat siriane rreth Homsit (dhe Zabadanit) po jepnin indikacione se janë bërë gati të bëjnë rrafsh me tokë gjithçka që u del në rrugë, Davutoglu propozoi mbajtjen e një konference “sa më shpejt që të jetë e mundur” për “promovimin e mirëkuptimit ndërkombëtar me të gjitha shtetet”. Konferencë? Turqia faktikisht po propozon më shumë bisedime, duke mos bërë asgjë që ndikon në terren.

Mturkey

Vrasja nuk është një nismë që duhet të ndërmerret pa menduar. Turqit kanë shumë arsye për t’u brengosur rreth pasojave të dërgimit të ushtarëve të tyre në Siri, madje edhe për qëllimet më të pastra humanitare. Turqia dhe Siria ende kanë konteste kufitare; për shumë sirianë skenat e ushtarëve turq që e kalojnë kufirin, madje edhe për të luftuar përkrah luftëtarëve opozitarë sirianë, do të ngrinte krenarinë nacionaliste dhe do ta përforconte retorikën e Assadit për terrorizëm të inspiruar nga jashtë dhe për kryengritje. Megjithatë, Turqia është në pozitën më të mirë për t’ia demonstruar Assadit se bashkësia ndërkombëtare e ka seriozisht punën e ndërprerjes së fushatës së përgjakshme. Duke bashkëpunuar ngushtë me komitetet lokale koordinuese, ajo duhet të ofrojë ndihmë logjistike, të inteligjencës, armatimit, stërvitjes dhe madje edhe mbështetjes ajrore, për të ndihmuar Free Syrian Army (FSA) opozitën në vendosjen e tampon-zonave përgjatë kufirit veriperëndimor të Sirisë. Në veçanti, Turqia mund ta ndihmojë FSA-në që të shkëpusë linjat e komunikimit ushtarak sirian, duke u mohuar forcave qeveritare qasjen në rajone të tëra, përmes shfrytëzimit të koordinuar të inteligjencës së paralajmërimit të hershëm, ashtu si edhe armëve kundërblinduese dhe kundërajrore.
FSA-ja më pas do të jetë në gjendje të izolojë komandantët lokalë sirianë dhe të tentojë të arrijë armëpushime, duke e pasur si synim përfundimtar ndërtimin e një zinxhiri të mbrojtshëm të qendrave të populluara. Po qe se dështon ajo strategji, Turqia dhe shtetet e Ligës Arabe do të duhej ta shqyrtonin mundësinë e dërgimit të ushtarëve këmbësori, me mbështetjen e madhe logjistike dhe të inteligjencës nga NATO-ja. Ky leksion vlen edhe përtej Sirisë, e madje edhe Lindjes së Mesme. Fuqia rrjedh jo vetëm nga madhësia, lokacioni strategjik, ekonomia e fuqishme, diplomacia dhe kapaciteti ushtarak. Për të duhet edhe vullneti për të vepruar – duke e kuptuar se udhëheqja e vërtetë nënkupton guximin për të marrë dhe për të zbatuar vendimet e drejta, që janë tejet të jopopullarizuara në disa qarqe. SHBA-ja nganjëherë ka qenë tejet e gatshme që ta përdorë forcën. Pushtimi i Irakut, pa dëshmi bindëse të armëve të asgjësimit në masë, pa legjitimitet ndërkombëtar apo përgatitje të mjaftueshme për përgjegjësitë që do të pasonin, është një kujtues i fuqishëm i kostos njerëzore dhe materiale të hyrjes në luftë. Në anën tjetër, veprimi i vendosur i presidentit Bill Clinton në Kosovë më 1999 shpëtoi një shtet, mu ashtu sikurse intervenimi i NATO-s në Bosnje katër vjet më herët që solli palët në tryezën e diskutimeve dhe u dha fund vrasjeve. Ngjashëm me këtë, gatishmëria e Britanisë për të vendosur trupa në brigjet e Sierra Leones më 1999, ndihmoi në përfundimin e një konflikti të tmerrshëm për disa javë, dhe intervenimi i Francës në Bregun e Fildishtë pranverën e kaluar, nën mandatin e OKB-së, ndaloi një luftë civile paszgjedhore që shumë shpejt doli jashtë kontrollit.
Gatishmëria e Australisë për të dërguar trupa në Timor-Leste më 1999, nën mandatin e OKB-së, mund jo vetëm të shpëtonte atë shtet, por do të ndihmonte edhe në transformimin e Indonezisë po ashtu. Në të vërtetë, një shenjë e ndikimit në rritje të Indonezisë është ajo se ushtria e saj – e cila kishte terrorizuar dhe masakruar banorët e Timorit Lindor – mund të thirrej sot për t’u shërbyer të drejtave njerëzore në rajonin e vet. Përndryshe, vendimi i Brazilit për të dërguar trupa në Haiti më 2004, si pjesë e një force të stabilizimit të OKB-së ka përmirësuar imazhin e vendit si një fuqi e përgjegjshme rajonale. Siria është një angazhim dukshëm më i rrezikshëm se Haiti, padyshim, por nëse, le të themi, qeveritë e Paraguait apo Uruguait do i brutalizonin qytetarët e tyre në mënyrë masive, bota me të drejtë do t’i kthente sytë nga Brazili për t’i prirë një përgjigjeje. Në Afrikë trupat nigeriane shpesh kanë luajtur një rol kritik ose nën mandatin e Unionit Afrikan ose të Komunitetit Ekonomik të shteteve të Afrikës Perëndimore. Shtetet e interesuara për ta gëzuar statusin meritor të një fuqie të madhe – me agjendat e mbrojtjes të dakorduara nga diplomatët e tyre, bastet e niveleve të larta globale të vëna një pas një dhe konferencat e rëndësishme diplomatike në vend, si dhe supozimi se ata duhej konsultuar për ngjarjet apo krizat e mëdha në rajonet e tyre – duhet të pranojnë barrën që shkon bashkë me “famën”. Ata duhet të përgatiten jo vetëm për të folur, por edhe për të vepruar.

Anne-Marie Slaughter, ish-drejtoreshë e planifikimit politik e Departamentit amerikan të Shtetit (në vitet 2009-2011), është profesoreshë e politikave dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Princeton. 
Marrë nga “Project Syndicate”