Nga Zaki Laidi
Presidenti Obama shpesh ka një plan A, mirëpo kurrë nuk ka një plan B. Kur është fjala për vënien në jetë të një politike të suksesshme të jashtme, plani A nuk mjafton kurrë
Gati menjëherë pasi që presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i priti në shtëpi ushtarët amerikanë, që po ktheheshin nga Iraku, duke e lavdëruar stabilitetin e atij shteti dhe demokracinë, një valë e dhunës – në Bagdad e gjetkë – e zbuloi seriozitetin e krizës politike të Irakut. A është ajo krizë përjashtim fatkeq, apo mos është simptomë e dështimit të diplomacisë së Obamës në Lindjen e Mesme, prej Egjiptit deri në Afganistan? Menjëherë pasi që mori detyrën, Obama i caktoi katër objektiva në Lindjen e Mesme: stabilizimin e Irakut para largimit prej tij; tërheqjen nga Afganistani prej një pozicioni të fuqisë dhe mbi një bazë të konvergjencës minimale politike me Pakistanin; arritjen e një suksesi të madh në procesin paqësor të Lindjes së Mesme duke e shtyrë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu që ta ndërpresë ndërtimin e kolonive dhe hapjen e një dialogu me Iranin rreth të ardhmes së programit të tij bërthamor. Sa u përket këtyre katër objektiveve të mëdha, Obama ka arritur shumë pak.
Sa i përket Irakut, që nga presidenca e George W. Bushit, SHBA-ja është munduar që të ushtrojë paksa ndikim mbi pushtetin shiit, në mënyrë që në këtë shtet të krijohet një sistem më përfshirës politik – në mënyrë specifike, duke miratuar një ligj të ri për ndarjen e të ardhurave nga eksportimi i naftës midis komuniteteve shiite, sunite dhe kurde. Fatkeqësisht, pikërisht e kundërta ka ndodhur. Kurdistani është nisur në një rrugë drejt autonomisë, derisa sunitët janë tejet të margjinalizuar nga një qeveri qendrore e ndarë në baza sektare dhe e dominuar nga shiitët. Kjo gjë ka implikime për balancën rajonale të pushtetit, për shkak se Iraku është duke u afruar me Iranin në mënyrë që ta zbusë ndikimin e Turqisë, e cila konsiderohet se është duke i mbrojtur sunitët. Komenti i kryeministrit irakian, Nouri al-Maliki, gjatë një vizite të kohëmëparshme në Washington, se ai ishte më shumë i shqetësuar rreth Turqisë, sesa rreth Iranit, e dëshmoi hendekun e thellë që ekziston midis Irakut dhe SHBA-së, shtetit që tani duket se ka humbur ndikim të konsiderueshëm politik mbi problemet irakiane. Në të vërtetë, në një zhvillim shqetësues, SHBA-ja vendosi që të mos e shfrytëzojë kartën e vet të fundit në përballjen me Al-Malikin: shitjen e armatimit. Nuk ka më fije dyshimi se okupimi i Irakut ishte një disfatë e madhe strategjike për SHBA-në, për shkak se një gjë e tillë në fund i shkoi në favor vetëm fuqizimit të Iranit. Megjithatë, Obamës i mungon një plan afatmesëm për t’u përballë me këtë gjendje të rënë, gjë kjo e cila herët ose vonë do t’i kushtojë shumë SHBA-së. Në këtë mes ekzistojnë dy skenarë: Sanksionet që i janë vënë Iranit mbi eksportet e naftës ose do ta dobësojnë këtë shtet, ose do ta forcojnë atë, duke e shpënë SHBA-në në mënyrë të pashmangshme drejt një lufte të re në Lindjen e Mesme. Ka shumë gjasa që individë të caktuar brenda qarqeve të politikës së jashtme amerikane e konsiderojnë krizën e thelluar në Irak si pjesë të argumenteve pro ndërhyrjes ushtarake në Iran.
Megjithatë, Obama i di gjërat. Ai e ka kuptuar armiqësinë e Kongresit Amerikan ndaj Iranit dhe dëshirën për t’u përballur ushtarakisht me Republikën Islame. Ai megjithatë beson se mund t’u shmanget zgjidhjeve ekstreme: në diplomaci gjithçka mund të ndodhë dhe skenari më i rëndë kurrë nuk është i garantuar. Problemi është se Obama ka një tendencë të fuqishme që ta mbivlerësojë aftësinë e Amerikës për të ndikuar në shtetet me më pak ndikim. Kjo mund të shihet si në rastin e Irakut, ashtu edhe atë të Afganistanit: Obama mund të krenohet se ka eliminuar Osama bin Ladenin, gjë që pa dyshim se ishte sukses i madh, mirëpo ai ka dështuar që ta zgjidhë problemin në rrënjë. Me gjithë praninë dhjetëvjeçare ushtarake, që ka përfshirë angazhimin e më shumë se 100.000 ushtarëve dhe ka kushtuar 550 miliardë dollarë, SHBA-ja ende nuk ka arritur ta krijojë një alternativë kredible karshi Talebanit. Për më tepër, aleanca e saj politike me Pakistanin është dobësuar.
Në të vërtetë, raportet SHBA-Pakistan ndodhen në nivelin që mbretëronin para 11 shtatorit 2001, periudhë kur ekzistonte një mosbesim i thellë reciprok. Liderët pakistanezë bartin një përgjegjësi të madhe për këtë gjendje. Megjithatë, po qe se SHBA-ja nuk ka qenë në gjendje ta përfshijë Pakistanin në zgjidhjen e konfliktit afgan, ai dështim thjeshtë pasqyron refuzimin e Amerikës që t’u japë pakistanezëve atë që donin: një ndryshim të balancës rajonale të ndikimit, në dëm të Indisë. Pakistani, në pajtim me këtë, e ndali bashkëpunimin me SHBA-në, për shkak se liderët e saj nuk panë ndonjë përfitim që u vinte nga luftimi i Talebanit. Ekziston rrezik se kur të fillojë tërheqja amerikane nga Afganistani, SHBA-ja do të mundohet që t’i vërë sanksione Pakistanit, një shteti jostabil bërthamor që do të reagojë, duke i përforcuar lidhjet me Kinën.
Obama po ashtu u mundua që ta shfrytëzojë ndikimin e Amerikës për ta zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez, në kuadër të strategjisë së tij për një Lindje paqësore të Mesme. Ai fillimisht mendonte se duke e detyruar Netanyahun të ndërpresë ndërtimin e kolonive, do t’ia dilte ta ringjallte procesin paqësor. Megjithatë, ai u mposht me shpejtësi dhe me shkathtësi nga aleati i tij, që e di se sa i rëndësishëm është Izraeli për politikën e brendshme amerikane. Duke e vënë Obaman në kurs të përplasjes me pjesën tjetër të administratës amerikane, Netanyahu e detyroi të tërhiqej. Më 2009, Obama e paraqiti vizionin e zgjidhjes së konfliktit përmes zotimit të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare. Më 2011 ai deklaroi se vetëm vullneti i të dyja palëve mund ta sigurojë një zgjidhje. Është e qartë se SHBA-ja nuk mund të bëjë shumë për ta zgjidhur konfliktin. Nuk ka ndonjë sqarim gjithëpërfshirës për dështimet e njëpasnjëshme të Obamas në Lindjen e Mesme, mirëpo ekzistojnë disa faktorë që ia vlen të përmenden: rritja e numrit të konflikteve asimetrike, në të cilat shfrytëzimi tradicional i forcës është tejet joefektiv, linjat e paqarta midis aleatëve të vështirë dhe kundërshtarëve si dhe dallimet e mëdha politike midis presidentit amerikan dhe një Kongresi që dominohet më shumë se kurrë nga idetë ekstreme. Megjithatë, edhe Obama ka një pjesë të madhe të fajit. Në kundërshtim me atë që mund të mendohet, ai nuk ka vizion të qartë strategjik të botës. Obama shpesh ka një plan A, mirëpo kurrë nuk ka një plan B. Kur është fjala për vënien në jetë të një politike të suksesshme të jashtme, plani A nuk mjafton kurrë.Autori është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në “Institut d’études politiques” të Parisit. Shkrimi është botuar së pari në “Project Sindycate”





