Beteja e radhës: Turqi vs. Iran

Nga Soner Cagaptay (Nju Jork Tajms)


 

Të dyja shtetet po tregojnë dalëngadalë shtrirjen e tyre në lojën e vjetër të pushtetit në rajon. Në Lindjen e Mesme ka ende vend për një shah apo një sulltan, por jo edhe për që të dy njëherësh

 

Erdogan-and-ahmadinejad

Zor se kalon një ditë pa kërcënimet e ndonjë zyrtari iranian në adresë të Turqisë. Merreni si shembull kërcënimin e fundit të gjeneralmajorit Yahya Rahim Safavi bërë Ankarasë: “Turqia duhet t’i rishqyrtojë në mënyrë radikale politikat e saj karshi Sirisë, mburojës raketore të NATO-s dhe promovimit të shekullarizimit mysliman në botën arabe, ose përndryshe do të hasë në telashe nga vetë populli i saj dhe fqinjët”. Kjo nuk është ndonjë befasi e madhe. Rivaliteti turko-iranian daton me shekuj, që nga sulltanët osmanë dhe shahët safavidë. Marrëdhëniet ishin përmirësuar për pak kohë gjatë shekullit të 20-të, kur Turqia u bë një shtet-komb që shikonte punët e brendshme, duke lënë një vakuum në Lindjen e Mesme. Në dekadën e fundit, megjithatë, rritja ekonomike e Turqisë dhe shfaqja e saj si një gjigant rajonal nën Partinë e Drejtësisë dhe Zhvillimit, apo AKP, kanë ngjallur qëndrimet e vjetra. Që nga kryengritja në Siri në konvulsionet sektare në Irak e deri në synimet bërthamore të Iranit, Ankaraja ishte sfiduesi kryesor i vullnetit të Iranit për të dominuar rajonin.
Menjëherë pas ardhjes në pushtet të AKP-së më 2002, turqit, në fillim, nuk ishin shumë të interesuar për garën me iranianët dhe marrëdhëniet ndërmjet Ankarasë dhe Teheranit dukeshin më se të ngrohta. Të dyja shtetet mbronin kauzën palestineze. Ankaraja nuk dukej e kërcënuar nga projekti bërthamor i Iranit. Vizitat e niveleve të larta ndërmjet dy qeverive u shndërruan në rutinë dhe tregtia mes tyre lulëzoi.
Ndërkohë, kundërshtimet e përbashkëta ndaj luftës në Irak duket se i lidhën turqit dhe iranianët. Irani madje ndaloi rebelët e strehuar të Partisë Punëtore të Kurdistanit, apo PKK-së, të cilët i kishte inkurajuar që të sulmojnë Turqinë për shkak të qëndrimit pro-Perëndim të Ankarasë. Pas luftës në Irak, Teherani nisi bombardimin e kampeve të ndryshme të PKK-së, për të cilat më herët kishte dhënë leje që të ndërtoheshin në territorin e saj, duke fituar në këtë mënyrë pikë te turqit. 
Pastaj erdhi Pranvera Arabe. Kryengritja në Siri i vuri Ankaranë dhe Teherani në skaje krejtësisht të kundërta të spektrit rajonal dhe politik. Bazuar në traditat e saj demokratike, Turqia mbështeti revolucionin dhe anoi nga protestuesit; Irani autoritar e vazhdoi mbështetjen e vet për regjimin e Assadit dhe mbështeti shtypjen e tij brutale mbi civilët. Kryengritja siriane u shndërrua në një lojë me zero-pikë: As Bashar al-Assadi nuk do të fitojë, e as demonstruesit nuk do të triumfojnë. Gjithashtu, ajo u shndërrua në një luftë fuqish ndërmjet Teheranit dhe Ankarasë, në të cilën do të kishte vetëm një fitues.
Prandaj, e gjitha tani është një lojë fer ndërmjet Ankarasë dhe Teheranit. I inkurajuar nga Teherani, Assadi injoroi këshillën e Turqisë për reforma. Turqia tani mbështet, mirëpret dhe armatosë rregullisht opozitën siriane. Përgjigjja e Iranit ishte që të sulmojë Turqinë me të mbështetur përsëri PKK-në, e cila ka ndërmarrë dhjetëra sulme vdekjeprurëse, duke lënë të vrarë më shumë se 150 turq që nga vera e vitit 2011.
Gara rreth Sirisë ka mobilizuar po ashtu edhe përgjegjësitë e fajit në Irak, ku Turqia dhe Irani kishin mbështetur kampe kundërshtare. Që nga zgjedhjet e para demokratike në Irak më 2005, Irani ka mbështetur partinë shiite Dawa të Nuri Kamal al-Maliki, ndërsa Turqia lëvizjen shekullare panirakiane të Ayad Allawit. Pas disa muajsh grindjeje që pas zgjedhjeve të vitit 2010, Maliki formoi një qeveri në Bagdad, duke shënuar fitore për Teheranin. Maliki ka ndërmarrë masa energjike ndaj fraksioneve të mbështetura nga Ankaraja, duke lëshuar fletarrestim ndaj Tariq al-Hashimi, nënpresident i Irakut dhe lider i komunitetit sunit të vendit. Hashimi ka ikur në pjesën kurde të Irakut. Kurdët, të cilët deri para pak kohësh përbuznin arabët sunitë për persekutimin që u kishin bërë kurdëve nën sundimin e Saddam Husseinit, tash po bëjnë përmirësime. Ata po ashtu po rreshtohen nga afër me Turqinë për të balancuar ndikimin iranian përbrenda Irakut.
Rivaliteti turko-iranian ka hapur kapakun e një kutie me krimba: liderët iranianë sulmuan “islamin shekullar” të Turqisë dhe kërcënuan “ta sulmojnë Turqinë” nëse Ankaraja vepron për ta jetësuar përkushtimin e vet në mbështetje të projektit të mburojës raketore të NATO-s, duke i vendosur radarët në territorin e vet. Turqia, anëtare e NATO-s dhe e orientuar karshi Lindjes së Mesme, sot është një kërcënim më i madh për interesat iraniane se sa një Turqi kryesisht properëndimore e para një dekade. Ekziston një shans që Irani të mund të bëhet më agresiv: Disa analistë sugjerojnë se forca Quds e Iranit, njësit i operacioneve speciale të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, mund të bashkohet me PKK-në në Irakun verior për të marrë në shënjestër si Turqinë ashtu edhe kurdët e Irakut.
Të dyja shtetet po tregojnë dalëngadalë shtrirjen e tyre në lojën e vjetër të pushtetit në rajon. Në Lindjen e Mesme, ka ende vend për një shah apo një sulltan, por jo edhe për që të dy njëherësh. 

Soner Cagaptay është një partner i lartë i Institutit për Politika të Lindjes së Afërt në Washington