United fiton në derbi

Manchester United ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në Emirates, ndaj Arsenalit, në derbin më të madh të kësaj jave në futbollin evropian.
Loja që nga fillimi ishte e bukur dhe me shumë aksione, por ishte vetëm fundi i pjesës së parë kur u tund për herë të parë rrjeta.

Antonio Valencia shënoi me asistimin e Giggs në fund të pjesës së parë (45+1’), duke u dhënë epërsinë Djajve.

Në vazhdim të takimit në pjesën e dytë u zhvillua lojë tepër e shpejtë dhe interesante.

Robin Van Persie shënoi për 1-1 në minutën e 71-të me ndihmën e Oxlade-Chamberlain i cili ishte fantastik në këtë takim.

Por, Danny Welbeck riktheu avantazhin në 2-1 për Djajtë, që ishte dhe rezultati përfundimtar, pasi Arsenali përkundër përpjekjeve nuk arriti të barazonte rezultatin.

Me këtë fitore Manchester United ndjek me 51 pikë Manchester Cityn, skuadrën lidere me 54 pikë. Arsenali është në vendin e pestë me 36 pikë, pesë më pak se vendi i katërt, Chelsea.