Qytetërimi shqiptar më shumë ndodhet nën dhe sesa mbi të. Në viset etnike shqiptare në Mal të Zi, e mbi të gjitha në rajonin e Ulqinit, janë një numër i madh i monumenteve të trashëgimisë sonë nga historia jonë e hershme, ku zë vend edhe qyteti i lashtë i Shasit, sot qytet që nuk banohet.
Nga FAHRI XHARRA
Shasi është vendbanim antik ilir, që ngrihet në malin po me të njëjtin emër. Këndej pari, në periudhën antike ka kaluar rruga e lashtë lidhëse në mes Ulqinit dhe Shkodrës.
Shasi në literaturë njihet si: Suatio, Suaço, Savocci, Svaciao, Fshas etj.
Baza e qytetit të lashtë është ndërtuar nga gurët e mëdhenj, ndërsa murin rrethues stuhitë e kohës e kanë dëmtuar shumë; ky mur bart vlera të mëdha arkitektonike dhe artistike. Edhe sot e kësaj dite aty qëndrojnë dy portat e qytetit.
Shasi për herë të parë u përmend në dekretin e papës Aleksandri i Dytë më 1067 si qytet Ipeshkvi. Në vitin 1183 pushtohet nga Stefan Nemanja dhe me atë rast barbarët e shkatërruan Shasin. Qyteti u mëkëmb, por përsëri pasoi sulmi i mongolëve më 1242, të cilët e shkatërruan krejtësisht.
Mirëpo, kur kemi të bëjmë me veprimin kishtar, Shasi ka pasur kisha aq sa ka ditë viti e që është rast unik në botë, kurse tani shihen vetëm themelet e tetë kishave, të cilat i përmend edhe Justiniani (1533) dhe më vonë Marin Bici (1610), katedralja e Kishës së Shën Gjonit, e ndërtuar me stil gotik dhe Kisha e françeskanëve të Shën Mërisë, të lashta rreth 1300 vjet. Të gjitha kishat në Shas kanë qenë të zbukuruara me dekorime arkitektonike dhe freska, e në disa edhe tani dallohen gjurmët e ngjyrave në mure.
Pjesët e mbetura të fortesës gjenden në shkrepa. Përveç Shasit në periudhën veneciane rreth Liqenit të Shkodrës ishin edhe qytetet Trishti, Danja dhe Sarda.
Arqipeshkvia e Tivarit (mbi 900 vjet) ishte baza kryesore e katolicizmit në Shqipërinë e Veriut, por edhe ipeshkvia e Shasit luante të njëjtin rol për zonën e vet. Në vitin 1443 ipeshkëv i Shasit ka qenë Palë Dushmani.
Edhe Pjetër Bogdani e përmend Shasin në shkrimet e tij duke thënë se shtrihet në perëndim mbi qytetin e Tivarit, në veri deri te Kravari dhe në lindje përfundon me lumin Buna.
Sikur të bëheshin hulumtime nënujore, do të gjendej edhe më shumë nga Shasi; kjo trashëgimi e pa hulumtuar nga ana jonë është fshehur nga sllavët me shekuj. Ka edhe fakte që dëshmojnë se gjatë verës, kur niveli i ujit të liqenit të Shasit është i ulët, shihen pjesë të mureve të shtëpive të dikurshme të banimit.
Periudha ilire
Gjetjet arkeologjike provojnë se qytetin e Shasit, të panjohur deri në shekullin VIII, në të vërtetë e prek krishterimi i hershëm në periudhën ilire. Ilirizmi i kësaj kulture dëshmohet veçmas nga njëjtësia tipologjike e objekteve të kulturës arkeologjike të Shasit me kulturën iliro-arbërore të Komanit.
Shasi më herët u shndërrua në hapësira me vende të fortifikuara sikurse tregon pozicioni i tij në luftën në mes Papatit dhe Bizantit për të zotëruar këtë qytet në kohën e mesjetës. Hulumtimet në lokalitetin e Shasit të vjetër dëshmojnë për ekzistencën e vendbanimit parahistorik si bazë ku është ngritur qyteti i Shasit, pasi u bë zbulimi i kulturës së Komanit, me anë të së cilit u bë përcaktimi më i saktë i datimit të objekteve sakrale që kanë ekzistuar që nga shekujt VI-VII.
Duke iu referuar një shkruesi të panjohur dhe dorëshkrimit të tij “Dulcigno secondo l’antica descrizione…”, thuhet se “në këtë trevë gjendej qyteti shumë i vjetër i quajtur Shasi, ku duken gjurmët e 365 kishave larg nga Ulqini 15 milje…’.
Më tej shkruan se “afër këtij qyteti gjenden liqeni, shpella, burimi ujit dhe mali Lisinjë, Ledhet e Shasit dhe porta ku vdiq Kapedani i Qesarit, duke luftuar tmerrësisht kundër Pompejanit ku janë edhe sot në këmbë dhe si mrekulli një gropë e madhe, ende parrafshuar…”.
Shasi mesjetar
Nuk ka dyshim se Shasi mesjetar si qytet i zhvilluar është përjetësuar edhe në numizmatikë, sepse i ka farkuar monedhat e veta, të cilat e mbanin mbishkrimin Suacium, si dhe ajo që e paraqet figurën e Shën Palit Pagëzuesit, si mbrojtës i qytetit, si dhe pirgun ashtu dhe kështjellën me portën madhështore të këtij qyteti.
Versionet malazeze të kësaj periudhe cekin se Stefan Nemanja (shek XIII) i shkatërroi kishat shqiptare dhe librat e kohës e kreu konvertimin me dhunë të banorëve të mbetur në ortodoks, gjë e cila përputhet me traditën gojore në Shas, ku banorët tani të fshatit Shas thonë “se të gjitha kishat në fillim ishin katolike”.
Kërkimet e para të arkeologjisë jugosllave, që u takojnë viteve 1980, zbuluan një hershmëri më të madhe se ajo që dihej. Ishte pikërisht trashëgimia ilire e kulturës së Shasit që e trembi shkollën arkeologjike të Beogradit. Në vitin 1985 Akademia e Shkencave të Serbisë me ngutje ndërpreu hulumtimet, kur vërejtën se kanë të bëjnë me një qytet të lashtë shqiptar.
Ky pra, është qyteti ilir i 365 kishave, që në fillim u shkatërrua nga sllavët e pastaj e vërteta e gërmadhave të tij u fsheh po ashtu nga sllavët.
Vetëm ne, si njohës të mirë të vetvetes dhe duke mos i mohuar rrënjët tona, mund ta shkruajmë historinë ashtu siç duhet.