“Washington Post”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, me shpalosjen e strategjisë së re ushtarake, ka bërë të njëjtin gabim që e kanë bërë gati të gjithë paraardhësit e tij që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ai ka thënë: “Për më tepër, ne duhet të kujtojmë mësimet nga historia. Ne nuk mund ta përballojmë përsëritjen e gabimeve të së kaluarës, pas Luftës së Dytë Botërore, pas Vietnamit, kur ushtria jonë është lënë keq e përgatitur për të ardhmen. Si komandant suprem, unë nuk do të lejoj që kjo të ndodhë përsëri. Jo, nën mbikëqyrjen time”. Por, për fat të keq, plani i tij e bën pikërisht këtë. Ai nuk i kujton mësimet e historisë. Ja, dhe disa fakte për këtë: Heri Trumën, duke mos dashur të përsërisë koston e Luftës së Dytë Botërore, ka zvogëluar ushtrinë nga tetë milionë ushtarë në më pak se gjysmë milioni. Pa ndërhyrjen e Kongresit, ai do ta eliminonte tërësisht Korpusin e Marinës. Rezultati ishte eliminimi i dy shërbimeve tokësore në Kore.
Më pas vjen ish-presidenti Duajt Ajzenhauer me strategjinë “Vështrimi i Ri”, e cila kërkonte një tjetër reduktim të ushtrisë dhe marinës, për të lejuar krijimin e një force shërbyese bërthamore përreth Komandës Strategjike Ajrore. Së bashku me këtë vjen edhe Vietnami. Dhe, në vitet 1970 ushtria profesionale e SHBA-së shpërbëhet dhe zëvendësohet nga një trup amatorësh. Rezultati ishte humbje, me 58 mijë të vrarë.
Pas Vietnamit, administrata e Niksonit shkatërroi ushtrinë sërish. Në mesin e saj kishte varësi nga droga, vrasje në kazerma dhe mosdisiplinë kronike, e shkaktuar kryesisht nga një trup i dërrmuar oficerësh. Pason shpërfillja e Xhimi Karterit që çoi në “ushtrinë e uritur” – një ushtri që dështoi tmerrësisht në përpjekjet e saj për të shpëtuar pengjet amerikane në Iran.
I vetmi përjashtim i kësaj historie të dështuar ishin vitet e Reganit, kur shërbimet tokësore morën fonde të mjaftueshme për të pajisur dhe trajnuar veten.
Por, tragjedia ndodhi përsëri kur administrata e Klintonit reduktoi shërbimet tokësore, me qëllim mbështetjen te “transformimi” – një program ky që do të paguante më shumë për anije dhe avionë dhe do të reduktonte ushtrinë nga 16 divizione në 10. Në administratën e Xhorxh Bushit, Donald Ramsfeld ka vazhduar politikën e zëvendësimit të komponentëve njerëzorë me teknologji të informacionit. Sikur të mos ndodhnin sulmet e 11 Shtatorit, ushtria do të shpërbëhej në më pak se tetë divizione.
Andaj, historia po rikthehet. Administrata e Obamës do të zvogëlojë forcat tokësore për të paguar diçka që quhet “Beteja Ajrore - Detare” – një strategji që parasheh blerjen e më shumë anijeve dhe avionëve, në mënyrë që t’i kundërvihet Kinës me teknologji në vend se me njerëz.
Kjo strategji paraqet një shkallë të historicizmit që tejkalon çdo administratë të post-Luftës së Dytë Botërore. Pra, mjaft shumë për të kujtuar mësimet e së kaluarës. Amerika tashmë ka mësuar se nuk mund t’i zgjedhë armiqtë e saj – armiqtë e saj do ta zgjedhin atë. Dhe, siç kanë bërë gjithnjë në të kaluarën, do të kërkojnë të dominojnë në tokë, ajër dhe hapësirë.