ISUF KALO
![]() |
ISUF KALO |
Më 23 janar 1922, ora 11:00, ditë e hënë, në një spital të Torontos në Kanada, dr. Valter Kampbell po hezitonte. Më në fund vendosi. Guxoi të ndërmerrte një tentativë të fundit të dëshpëruar për shpëtimin e jetës së të sëmurit 14-vjeçar, Leonard Thomson. Ai vuante nga diabeti dhe ishte në gjendje ekstremisht të rëndë, pranë vdekjes së sigurt. Djali ishte i varfër dhe shtrimi e mjekimi i tij po kryhej nga spitali si lëmoshë.
Dr. Kampbell i injektoi atij një “lëng” mjekues krejt të ri, të paprovuar asnjëherë më parë te njerëzit. Por ishte treguar i aftë dy muaj më parë të ulte nivelin e sheqerit në gjak te një qen eksperimental me emrin Marjori. Bari i ri qe izoluar pak muaj më parë në laboratorin e profesorit Maclod në Toronto nga mjeku kanadez, Frederik Banting, i ndihmuar nga studenti i mjekësisë, Carl Best. Ata e nxorën atë nga gjëndra e pankreasit të kafshëve ose më saktë prej një grumbulli qelizash të posaçme si ishuj, që e prodhonin atë, e që prandaj u emërua insulinë. Lëngu u pastrua e u përpunua kimikisht më tej në laborator nga Xhems Kolip, por ende nuk ishte përdorur te pacientët me diabet për mjekim. Dr. Kampbell, pasi kreu injeksionin e parë, priti me ankth. Ai nuk e dinte që pas pak çastesh do të ndodhte magjia. Nuk e dinte që ai dhe djaloshi Thomson do hynin në historinë e lavdishme të mjekësisë. Sepse po hapnin për të sëmurët me diabet një botë të re plot shpresë. Ata po bëheshin protagonistë të një epoke të re në historinë e përballjes së mjekësisë dhe njerëzimit me diabetin, me këtë sëmundje të mbrapshtë, e cila u merrte në mënyrë të pamëshirshme jetën viktimave të tij, sidomos fëmijëve e të rinjve. Në sytë e çuditur të mjekut, insulina e injektuar atë ditë filloi ta “mposhtte sheqerin”. Analiza e glicemisë në gjak, orë pas ore, tregonte shifra në rënie. Djali u shpëtoi mrekullisht thonjve të vdekjes. Pak nga pak, ai doli nga koma e pashpresë. Leonard Thomsoni u bë kështu pacienti i parë në botë, që falë insulinës iu shpëtua jeta nga vdekja e sigurt. Kurse, dr. Banting, dr. Kolip, dr. Kampbell e studenti i mjekësisë Best dhe bashkëpunëtorët e tjerë pionierë e arkitektë të kësaj sfide unikale u ndjenë atë ditë njerëzit dhe mjekët më të lumtur në botë.
Epokë e re
Zbulimi e përdorimi i insulinës për mjekimin e diabetit e ndau historinë e kësaj sëmundjeje në mes. Ajo la pas epokën mijëravjeçare të dështimit e tragjedisë së pacientëve që vuanin atë sëmundje. Epoka e mundësisë të shumëpritur të shpëtimit dhe rikthimit të jetës me të gjithë gamën dhe koloritin e saj u hap për ta atë ditë. Që atëherë kanë kaluar plot 90 vjet. Disa miliona njerëz në botë me diabet kanë mundur të jetojnë, të punojnë, të prodhojnë, të krijojnë familje dhe gëzojnë jetën falë këtij bari mrekullues. Elisabet Hughes, pacientja amerikane 12-vjeçare, e bija e ish-sekretarit të Shtetit dhe ish- kryebashkiak i New Yorkut, Carl Hughes, ishte një nga ato. E dënuar të humbiste fatalisht jetën që në moshën fëminore nga kjo sëmundje, ajo mundi pas fillimit të mjekimit me insulinë, në të njëjtën vit me Leonard Thomsonin, të jetonte thuajse normalisht edhe 58 vjet të tjerë më pas. Para se të fillonte të mjekohej me barin e ri magjik, ajo ishte si një skelet kockë e lëkurë, që me zor mbahej gjallë falë dietës drakoniane të urisë, që praktikonte diabetologu më i famshëm i asaj kohe, Frederik Alen. Kura e tij qe për të sëmurët më torturuese se vetë sëmundja. Por ajo ishte alternativë e vetme e zgjatjes sadopak të ditëve të jetës. Motoja qe “më pak ushqim, për më shumë jetë”. Bari insulinë e ndryshoi kryekëput këtë dramë. Ajo nuk e shëroi diabetin, por e bëri të përballueshëm dhe të mposhtëm atë.
Kur Elisabeta u nda nga jeta në vitin 1981, ishte një grua e lumtur, e plotësuar, me arsim të lartë, me karrierë e veprimtari të pasur profesionale e shoqërore, e martuar me familje me fëmijë të saj dhe gjyshe e gëzuar me 7 nipër e mbesa. Ajo kishte bërë në trup deri ato ditë 42 mijë injeksione insulinë. Një rekord ky, që sot mund të kalohet nga shumë pacientë të tjerë me diabet në botë. Por mesazhi që ajo dha, është ende i vlefshëm për të gjithë: Falë insulinës, sëmundja e diabetit nuk përbën më pengesë për suksesin, cilësinë dhe aspiratat e jetës njerëzore.
Besoni ëndrrat!
Historia e zbulimit të insulinës dhe përdorimi i saj me sukses në mjekimin e diabetit përbën pa dyshim një nga sagat më fashinante e më frymëzuese të mjekësisë në tërësi. Në të u përzien një mori faktorësh, pasionesh, lojëra dramatike të fatit dhe mrekulli të papritura të tij. Vëzhgime dhe ide befasuese, si të ardhura nga qielli, këmbëngulje, dështime, solidaritet, ambicie, lakmi, xhelozi, intriga, rivalitete nacionaliste dhe personale, si dhe integritet, humanizëm, bujari e mirënjohje të karakterit njerëzor dhe profesional. Rruga e zbulimeve të mëdha duket se e tillë është: plot hendeqe, humnera e mjegullnaja, e njëkohësisht me të përpjeta, por edhe me dritë të papritur dhe me engjëj të çuditshëm që të marrin në krahë e të çojnë lart në majën e dëshiruar. Askush nuk e di misterin e datës 31 tetor 1920. Pse atë natë, në orën 2 të mëngjesit, kirurgu deri atëherë jo aq i suksesshëm, Frederik Banting, u zgjua befas nga gjumi në dhomën e vogël të shtëpisë së tij në qytezën London të Ontarios në Kanada? Përse kërkoi ta rilexonte përsëri me kuriozitet përvëlues një artikull mjekësor, që e pati parë shkarazi para se të flinte, në të cilin përmendej mundësia e ndikimit të një lëngu të prodhuar nga disa grupe qelizash brenda gjëndrës së pankreasit ndaj nivelit të sheqerit në gjak. E zgjoi ndonjë zhurmë? Ndonjë ëndërr? Apo ideja fatlume e ardhur papritur? Gjysmë i ngritur në shtrat, ai hapi dritën dhe rilexoi ngadalë e ngultas artikullin. Pastaj nxitimthi shënoi në bllokun që ishte në komodinë: “Diabet; Lidhim kanalin e gjëndrës së pankreasit te një qen. E mbajmë gjallë qenin gjashtë javë sa gjëndra të thahet e të mbeten vetëm qelizat që prodhojnë lëngun, që thuhet se ndikon mbi sheqerin e trupit. Prej tyre nxjerrim lëngun dhe provojmë efektin te qeni”. Kaq. Të shkruara në anglisht, gjithsej 25 fjalë. Fleta ku u shkrua, ruhet në po atë shtëpi të shndërruar në muze, një farë “Meke e diabetologjisë”. Ajo ka hyrë në histori si zanafilla e një prej zbulimeve më të mëdha të mjekësisë. Pas asaj nate, Bantingu si somnambul i magjepsur nuk do i ndahej dot më idesë të lindur në gjumë. “Të gjitha ëndrrat mund të bëhen realitet – pati thënë Walt Disney – nëse i besojmë ato dhe u shkojmë pas me vendosmëri. “Bantingu arriti t’i realizonte ato që shkroi në fletën e bllokut. Ai zbuloi e prodhoi insulinën, çelësin magjik të shumëkërkuar të mjekimit të diabetit. Me 14 nëntor 1921, ai dorëzoi për botim rezultatet e zbulimit të tij. Atë ditë qe ditëlindja e tij e 30-të. Federata Botërore e Diabetit do e shpallte 14 Nëntorin më pas Ditën Botërore të Diabetit. Më tepër se talenti apo dituria ishin këmbëngulja, besimi, sakrificat dhe përkushtimi i pashoq që do të determinonin suksesin mrekullues të tij.
Fataliteti i ëndrrave të ndërprera
Zbulimi i insulinës qe finalizimi i një sërë përpjekjesh, i një morie hapash, njohurish, arritjesh, por edhe decepsionesh e dështimesh të grumbulluara në këtë fushë. Disa pionierë të tjerë patën ndjekur thuajse të njëjtën ide, kishin ndërmarrë iniciativa të ngjashme ose të njëjta, e ndonjë prej tyre ishte dokumentuar si e suksesshme. Minkovski dhe Mering patën vërejtur që në 1889-n shfaqjen e diabetit tek qentë, pas heqjes eksperimentale të gjëndrës së pankreasit. Në 1901-shin, Eugen Opi vërejti se vetëm heqja e plotë e disa qelizave të veçanta në formë ishujsh brenda tij ishin përgjegjëse për këtë. Në 1906-n, Ludvig Zulcer përdori ekstraktin e këtyre qelizave ishullore për të mjekuar diabetin e shkaktuar eksperimentalisht te qentë. Nuk dihet pse nuk shkoi më tej. Në 1911-n, E. Scot në Çikago në mënyrë të ngjashme pakësoi sheqerin në urinën e qenve me diabet, por drejtori i tij nuk e besoi dhe e ndaloi të vazhdonte. Më 1915-n dr. Israel Kleiner demonstroi të njëjtën gjë në universitetin “Rokfeler”, por shpërthimi i Luftës së Parë Botërore e bllokoi. Në 1916-n, profesor Nikollai Paulevski në Rumani thuajse e preku suksesin. Ai arriti të nxjerrë një ekstrakt të tillë nga pankreasi I kafshëve, të cilin ai e emërtoi pankreinë. Lufta e Parë Botërore e detyroi edhe atë të ndërpriste punimet. Por në vitin 1921, ndërkohë që punonte në Paris, ai botoi 4 artikuj në të cilët paraqiti efektin e suksesshëm të këtij ekstrakti tek kafshët dhe pati nxjerrë edhe një patentë zyrtare për prodhimin e saj. Artikujt nuk qenë në gjuhën angleze. Vetëm 8 muaj më pas, dr. Banting mori meritat edhe lavdinë e zbulimit. Ai e pati cituar rumunin, por tha se nuk kishte mundur t’ia lexonte artikujt! Për dreq, Paulevski u ngatërrua edhe në disa pikëpamje antisemitiste dhe ndofta pati kryer kështu, pa e kuptuar as vetë, vetëvrasjen e lavdisë e meritave shkencore të tij. Ne vitin 2003, Bashkia e Parisit për shkak të protestës së një grupi izraelit anuloi vendosjen e bustit të tij para spitalit ku ai pat punuar. Dy vjet më pas, Federata Botërore e Diabetit refuzoi të merrte në konsideratë rivlerësimin e tij si zbuluesi i parë i insulinës. Dukej se koha dhe pacientët pas një padurimi të gjatë donin që zbulimi i madh të finalizohej. Ato dhe fati u bën përfundimisht me dy kanadezët Banting dhe Best. Ata qenë të vetmit që, përveç eksperimenteve me kafshë, e dëshmuan suksesin edhe në klinikë, te njerëzit.
“E përkëdhelura” e çmimit Nobel
Fill pas zbulimit, insulina u bë menjëherë lulja ku u sulën për të gjetur nektar shkencor një mori kërkuesish të fushave të mjekësisë, biologjisë dhe kimisë. Zbulimet e lidhura me të e bënë atë kampionen e paarritshme në fitimin e çmimit “Nobel”. Çmimi i parë i tillë iu dha dr. Frederik Bantingut dhe prof. Xhon Macleod, i cili i pati ofruar atij në Universitetin e Torontos laboratorin, 10 qenër eksperimentalë, si dhe mbështetjen shkencore për këtë zbulim. Por ata të dy për solidaritet e ndanë atë vullnetarisht, i pari me studentin Best dhe i dyti me dr. Xhems Kolip. Në vitin 1951, një tjetër Frederik me mbiemër Sanger do merrte çmimin “Nobel” për zbulimin e strukturës molekulare të insulinës. Ajo u bë proteina e parë e që hapte misteret e aminoacideve brenda saj. Ai u pasua nga nobelistja e vitit 1969, Dorothe Hockin, që me metodën kristalografike do zbulonte konfiguracionin hapësinor insulinik. Në vitin 1974, Kristian de Duve do nderohej me çmimin “Nobel” për efektet e insulinës në nivel qelizor, kurse 3 vite më vonë, në 1977-n, Rosaline Jallou do merrte Nobelin përsëri për insulinën: dozimin e saj në gjak me metoda radio-imunologjike, çka i hapi më pas rrugën dozimit të gjithë hormoneve të tjera.
Një numër pa fund studimesh dhe iniciativash do e bënin insulinën objekt të perfeksionimit kimik e strukturor. Do t’i maksimalizonin efekteshmërinë, si dhe do ndërmerrnin industrializimin e komercializimin e shpejtë dhe mbarëbotëror të saj. Insulina ndryshoi rrënjësisht diabetin. Dhe po aq diabeti e ndryshoi dhe po e përmirëson pandërprerë atë.
Hapësira të papara
Në historinë e industrisë dhe biznesit farmaceutik, rasti i insulinës përbën pa dyshim një nga megasukseset më ekcepsionale. Ishte së pari kompania farmaceutike amerikane “Eli Lilly”, e cila që në vitin 1921 nxitoi të përfshihej në prodhimin industrial të këtij bari të ri jetëshpëtues. Në fund të vitit 1922, ajo arriti të mbulonte të gjitha nevojat për të në kontinentin amerikan. Ndërkohë, një protagonist tjetër, nobelisti i vitit 1920 në mjekësi, danezi August Krogh, do e çonte i pari zbulimin e madh të ofruar bujarisht nga miku i tij, prof. Macleod, nga Kanadaja në Danimarkë. Gruaja e tij, Maria, ishte me diabet. Ai themeloi kompaninë daneze Nordisk, më pas Novo Nordisk dhe në mars 1923 insulina filloi të përdorej edhe në Kopenhagë. Në sinergji e konkurrim me njëra-tjetrën, Eli Lilly dhe Novo Nordisk u vunë në garë për perfeksionimin e pandërprerë të preparateve insulinike. Një numër kompanish, si Sanofi e Hochst etj. i shoqëruan shpejt ato në këtë rrugë. Deri në vitin 1960, prodhimi i insulinës kryhej vetëm duke u ekstraktuar prej pankreasit të viçit dhe të derrit, mjaft të ngjashme me atë njerëzore. Thertoret u shndërruan paradoksalisht në “male me pankreasë shtazorë” si burim jete për të sëmurët me diabet. Por nevojat e prodhimit u rriten me shpejtësi, çka çoi në zbulimin e llojeve të shumta të insulinës me variacione të shpejtësisë e kohëzgjatjes së veprimit, me kombinime dhe pastërti sa më të lartë të saj. Në vitin 1960 u krijua insulina e parë sintetike me të njëjtën përbërje si ajo njerëzore, kurse në vitin 1977 Herbert Bayer, duke përdorur bakterin E. Coli, mundi ta krijojë në laborator insulinën njerëzore me anë të inxhinierisë biogjenetike. Një perspektivë e re e paparë u hap kështu për prodhimin e pashtershëm të saj. Në vitin 1982, insulina e tillë u fut gjerësisht në përdorimin klinik të mjekimit të diabetit.
Insulina e vitit 1922 e kishte të pamundur tani të njihte veten. Ajo pati kushtuar gjithsej 14 mijë dollarë për t’u zbuluar dhe, në tërësi, 24 mijë dollarë fitim nga Nobeli për të katër shkencëtarët, ndërsa tani sjell vetëm për dy kompanitë e mësipërme rreth 6-8 miliardë dollarë të ardhura në vit. Një progres marramendës ndodhi paralelisht në mjetet e teknikës së injeksionit të saj, së pari me perfeksionimin e shiringave majëholla, pastaj me pena si stilograf, që mundësuan injektimin thuajse të padhembshëm, si edhe “pompat e insulinës” për injektimin e saj të ngjashëm me atë fiziologjik.
Insulina flet edhe shqip
Ajo ka shumë vite që ka ardhur dhe po përdoret te ne. Mbi 5 mijë e të sëmurëve tanë me diabet ia dedikojnë jetën dhe mirëqenien e tyre asaj. Prandaj, në këtë 90-vjetor, urime të panumërta prej tyre edhe prej ne, mjekëve, u shkojnë zbuluesve, prodhuesve dhe heronjve të parë të saj.