Një libër i ri me poezi nga Erina Pavle Çoku



Gjurma e gjethes

Thuajse gjithnjë, sa herë mendohemi e përpiqemi të gjejmë një përse brenda nesh, erëra fryjnë në thellësi të shpirtit tonë e gjethe shpërndahen.
Ardhjet e të gjitha mëngjeseve janë të bardha, thuajse të pakapshme dhe lënduese, por na  pëlqen të marrim pak qiell kur agu na sjell tejdukshmërinë e jetës.
Ritmi i ngjan pothuaj regëtitjes, frymëmarrjes, një vallëzimi me sy të mbyllur e shpirt të lirë.
Asgjë s’na ndal e asgjë s’na e trazon ecjen këmbëzbathur.
Kudo ka pemë e ti ke lirinë, sepse ti e ke mundur trupin tënd, qenien tënde të zakonshme. Lartësuar prej kësaj rendjeje ku shpirti fiton e ndjenjat paqtohen, gjurmët e pakapshme të gjallimit janë aty e na rrëfejnë për nesër...

Erina



Ardhshёm

Vij,
dhe nuk gjej mё asgjё
paska mbetur vetёm buzёqeshja e mbrame
qё lashё
kur koha dhimbte nё mua

si një sёmbim i sjellë nga vranёsia
si njё dashuri me emёr tё papёshpёritur

Erdha,
dyert kanё ngjyrёn e zbehtё tё harresёs
nuk puthiten mё
veçse rёnkojnё nёn prekjen e butё

aq sa ditёt qё nuk tё njoha
aq sa orёt qё mё mori malli

Do tё vij,
vjeshtueshёm largёsia rёndohet nё heshtje
ditёt ankohen se era fryn e s’marrin dot rrugё
pёr atje, pёr mbёrritshёm...

krejt si zgjimi i njё shpirti
krejt kёndueshёm, mirё e di...

Etem pёr ardhje
mbёshtillem nё njё pritje
kudo, kurdo mund tё tё gjej...

Ardhur kam,
nё labirintin e shpirtit tim tё tё shёtis
ty,
qё veten pyet ku rrugёtesa ime ёshtё

si njёherё...
sa njё hap qё vetёm dёgjohet
stinёs sё padukshme.


Ardhje e ëngjëllt

Ti je bulëza ime,
krijesë mahnitëse e çdo mëngjesi
më përfshin me vështrimin e pamatshëm
që pyet me kthjelltësinë e ujshme të pafajësisë

Ti je qeliza ime e përsosur
e më dhuron sythe delikate të një frymëmarrjeje
që muzikuar e ka shpirtin tim me ardhjen tënde
në këngëzimin e jetës

Ti e përgjallove krejtësinë
që unë ta dua më në fund ajrin
e të gjej së paku një përse....

Është e imja buzëqeshja jote përkundëse,
ndërsa ti vjen me gugatjen e jetës duke më dashur
me shikimin e plotë që e nxë shpirtin tim krejt të ngazëllyer

Je si një qiell i bukur që emër s’i vë dot kush
E shqisa  ime bëhet vrapuese për në ty
teksa dëshirueshëm dua ta rrok qenien tënde të qashtër
Në mëkimin e kohës

Qumësht i ëmbël i vetëdijes
Mëton veç diellin e ngrohtë të së tashmes
e nuk e kursen rrëzëllitjen
Ndaj keq s’më vjen tek i shoh minutat të ngjizen
e të bëhen lodër për gurgullimën tënde
që rrokullisur tej e ka lëngatën e përditshmërisë mahitëse

Ndjesia e bardhë e prehjes buron nga ty,
e ëngjëllt, nanuritëse
Mund ta mbash në duar fluturimin e shpirtit të mëmës
ai i përket gjallimit tënd të lëmuar
që ngazëllen ajrin me aromën e paqtë të përqafimit
E i ka bërë të gjitha fjalët të heshten
Se asnjëra s’di ta thotë
ardhjen tënde
O sythi im i bekuar!