Në moshën 85 vjeçare, ka vdekur në Prishtinë profesor, doktor, Gani Luboteni. Ai u lind në Prizren, në vitin 1927. Studimet e Albanologjisë i kreu në Beograd. Një kohë ka punuar në Prizren dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe pasurimin e arsimimit kombëtar e sidomos në përgatitjen profesionale të mësuesve të parë shqiptarë të Kosovës. Në vitin 1960, sapo u hapën fakultetet e para në Prishtinë, Gani Luboteni u zgjodh profesor i teorisë së letërsisë në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik. Profesor Gani Luboteni ishte në mesin e pedagogëve më të shquar të Universitetit të Prishtinës. Është autor i disa teksteve shkollore nga fusha e letërsisë shqiptare, si dhe ka nxjerrë në dritë punime të shumta shkencore. Ka qenë edhe mbledhës i shquar i folklorit shqiptar. Është autori i parë i tekstit “Teoria e Letërsisë”, një tekst mjaft i avancuar shkencor për kohën, nga i cili mësuan, nxënësit studentët, por edhe studiuesit e letërsisë. Varrimi i trupit të profesor, doktor, Gani Lubotenit u bë sot, në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.
Home »
» Në moshën 85 vjeçare, ka vdekur në Prishtinë profesor, doktor, Gani Luboteni





