Nasri: Nuk e zgjodha Cityn për para

Anësori francez, Samir Nasri, e ka mbrojtur kalimin e tij te Manchester City duke thënë se zgjedhja e tij nuk ishte e bazuar në paratë që iu ofruan.
24-vjeçari shkoi në Etihad stadium nga Arsenali, ndërsa jo rrallë është kritikuar se e kishte marrë këtë vendim për shkak të parave që ia ofroi City. Këtë e ka pohuar edhe ish-trajneri i tij, Arsene Wenger.

“Kur je një tifoz i një klubi, nuk e di se çfarë ndodh përbrenda. Gjëja më e lehtë që mund të thonë tifozët është: ‘Ai shkoi atje për para, ai na tradhtoi’”.

“Unë kam pasur një propozim më të mirë (financiar) në një vend tjetër, të cilin nuk e zgjodha. Po kam pagë të mirë këtu, nuk mund të mohoj, por secili lojtar ka pagë të mirë. Nëse luan te Arsenali ke pagë më të mirë se diku tjetër”.

“Nuk e kam zgjedhur Manchester Cityn për para. Tabela e Ligës Premier e tregon këtë”, ka thënë Nasri për The Times.