Mourinho: Mund të arrijmë në gjysmëfinale

Kemi gjasa për të arritur në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit dhe do mundohemi ta bëjmë këtë- ka deklaruar trajneri i Real Madridit, Jose Mouronho, në një konferencë për media.
Mbretërit e kanë humbur ndeshjen e parë në Santiago Bernabeu me rezultat 1-2, ndërsa të mërkurën mbrëma janë mysafirë të Barcelonës në Camp Nou për ndeshjen kthyese të Copa del Rey.

Trajneri portugez ka thënë se është i vetëdijshëm për kundërshtarin dhe rezultatin, porse nuk ka hequr dorë nga ky trofe.

Duke pasuar parasysh kritikat e kohëve të fundit, ai e ka vënë në pah suksesin e tij që pas arritjes në Santiago Bernabeu. Portugezi ka shpjeguar se para arritjes së tij, Real Madridi ishte ‘mësuar’ të eliminohej nga Kupa e Mbretit nga ekipe të vogla, por pas arritjes së tij e fitoi atë. Po ashtu, ka shpjeguar se derisa në vitet paraprake Los Blancos e kishin humbur shkëlqimin në Ligën e Kampionëve, këtë edicion ata arritën një rekord në fazën grupore të kësaj gare.

Për më shumë, Mourinho ka thënë se Real Madridi është lider në La Liga me pesë pikë më shumë se “skuadra të cilën të gjithë e konsiderojnë si më të mirën në botë”.

Drejtuesi i Realit ka njoftuar se Pepe do të luajë nëse do të riaftësohet, ndërsa për Graneron dhe Lassin do të vendoset në momentet e fundit për shkak të problemeve, megjithatë ai nuk e ka bërë të ditur njëmbëdhjetëshin startues.