Milani tërhiqet, Interi pranë Tevezit

Interi duket ta ketë fituar derbin e parë para derbit të vërtetë të Madonninës me Milanin të dielën, pasi Adriano Galliani ka konfirmuar tërheqjen nga bisedimet për Carlos Tevez.
Adriano Galliani kishte udhëtuar drejt Londër për t’u takuar me zyrtarët e Cityt. Galliani kërkoi huazim pa obligim blerje, por City kërkoi obligimin e blerjes prej 27 milionë eurosh, gjë e cila e detyroi Milanin ta shqyrtonte shitjen e Patos.

Në ndërkohë presidenti i Interit, Massimo Moratti, si mjeshtër i vërtetë e futi në kurth Milanin duke ua uruar Rossonerëve nënshkrimin me Carlos Tevez, pasi tashmë pronari i Interit e dinte se kuq e zinjtë do të ballafaqoheshin me telashe.

Dhe këto telashe sa vinin e shtoheshin. Për të transferuar Tevez, Milani kishte nevojë për para, ndërsa për këtë duhej shitur Pato te PSG i Leonardos, që ishte optimist për ofertën prej 35 milionë eurosh drejt Milanit.

Sidoqoftë, kur të gjithë prisnin që Galliani të kthehej në Milanello me Tevezin në duar, nuk ndodhi kështu. Në fund ndikoi Silvio Berlusconi, i cili me dëshirën e vajzës së tij Barbaras, ka kërkuar që Pato të mos preket dhe që Adriano Galliani të kthehet në Milano duke u tërhequr nga lufta për Tevez, e duke lënë Interin në pole pozicion.

“Tevez nuk vjen tek ne, le të shkojë te Interi. Pato qëndron dhe nuk e blejmë Tevezin. I kam premtuar Cassanos se nuk do të ketë sulmues të pestë”, theksoi Galliani.

Interi tani është favorit për ta transferuar Carlos Tevezin, pasi është ky i fundit ai që dëshiron Interin edhe pse oferta e PSG prej 30 milionë eurosh është më e lartë se ajo e Nerazzurëve.