Nga Erik Jones (Foreign Affairs)
Rasti për një kredi supreme
Po përjetohet krizë në eurozonë, për shkak se liderët europianë kanë dështuar në zbatimin e parimeve të tyre mbi politikën makroekonomike. Marsin e vitit që shkoi, anëtarët e eurozonës ranë dakord për “6 njësi” masash, që do t’i ndihmonte shtetet për të koordinuar më mirë politikën. Por u dështua në zgjidhjen e këtij problemi, kështu që kancelarja gjermane Angela Merkel tashmë po përkrah një lloj kontrate të re fiskale për të shpëtuar BE-në dhe monedhën e saj, euron. Shtetet anëtare mund të bënin parashikimet buxhetore sipas dekreteve të shteteve të tyre dhe Komisioni Europian si dhe Këshilli i Drejtësisë së Europës do të vepronte e detyruar.
Problemi është se ky përafrim supozon që pajtimi është një çështje detyrimi. Por ky arsyetim e shpërfill rolin nxitës – përshtatja e së cilës është e vetmja mënyrë që Bashkimi Europian do të jetë në gjendje të drejtojë rrugën për të dalë nga belaja fiskale.
Dy histori e ilustrojnë ndryshimin midis detyrimit dhe nxitjes.
Së pari, le të marrim si shembull Irlandën. Rrëfimi nis me futjen e këtij vendi në Bashkimin Europian në pranverën e vitit 2000 për të rritur buxhetin e bilancit pozitiv (shënim: bilanc pozitiv, jo deficit) për ta ngadalësuar disi zhvillimin ekonomik, që dukej se po ecte me hapa galopante.
Në këtë pikë qeveria irlandeze po vilte më shumë para nga taksat sesa do shpenzonte.
Duke marrë shkas nga zgjedhjet e pranverës së vitit 2001 Bertie Ahern, kryeministri irlandez vendosi të ulte bilancin pozitiv, në vend që të ulte taksat. Kur Këshilli i Bashkimit Europian për Çështjet ekonomike dhe financiare (ECOFIN) e qortoi qeverinë e tij, Ahern u tregoi kolegëve të tij europianë, që t’u kushtonin vëmendje punëve të tyre më mirë. Ai nuk po e kundërshtonte bashkëpunimin europian, por nuk kishte ndërmend të rriste taksat para zgjedhjeve.
Historia e dytë lidhet me Gjermaninë. Berlini ishte ai që këmnëguli në shtrëngimin e normave kundër deficiteve fiskale të tepruara – në formën e Paktit të Rritjes dhe Stabilitetit të vitit 1997.
Gjatë zgjedhjeve të vitit 2002, kancelari gjerman Gerhard Schroeder ngurroi të plotësonte detyrimet e tij solemne dhe i vuri fre financës në vend. Edhe pas një fitoreje të ngushtë, Schroeder gjeti disa arsye për të qenë më i disiplinuar financiarisht. Që nga nëntori i vitit 2003, deficiti gjerman u rrit shumë dhe kjo nuk mund të shpërfillej nga pjesa tjetër e eurozonës. Komisioni Europian rekomandoi që Gjermania të ulte ose të përballej me sanksionet, meqë dështoi në përmbushjen e detyrimeve
Duke qenë se Franca dhe Italia po përballeshin me problemin e deficitit, qeveria gjermane ishte në gjendje të përpunonte një plan për ruajtjen e rregullave shtrënguese që ishin pezulluar ndërkaq.
Të trija vendet e penguan Këshillin e Ministrave që të formonte maxhorancën, së cilës i nevojitej krijimi i lidhjeve fiskale legale. Disa mund të ankohen që grekët nuk po bëjnë sa duhet për ribalancimin e ekonomisë së tyre, por askush nuk mund ta mohojë vullnetin e Athinës për qëndrimin e mbajtur me synimin për të shpëtuar nga rreziku i përjashtimit nga monedha europiane.
Rastet e Irlandës dhe Gjermanisë tregojnë që problemi është më pak i imponueshëm dhe ndikon shumë te nxitja e pandreqshme. Qeveria irlandeze ka pak stimuj për të ndjekur parimet fiskale. Kjo është e dukshme, madje. Por pjesa tjetër e Europës ka pak nxitje për t’i përforcuar këto rregulla. Këshilli ECOFIN në shkurt të vitit 2001 e qortoi Irlandën duke qenë se populli irlandez po përgatitej të ratifikonte amendamentet për traktatet e BE-së, me të cilat kishte rënë dakord që dhjetorin e shkuar.
Këto amendamente krijuan një mori shqetësimesh në Irlandë – lidhur me konkurrencën e tregut për ekonominë e të ardhmes në Irlandë.
Këshilli i ECOFIN thjesht i shtoi disa tone të ashpra tensionit. Kur elektorati irlandez votoi Traktatin e Nicës, partnerët europianë të Irlandës nxituan të qetësonin nervat e tendosura. Këshilli ECOFIN mori avantazh për të dhënat e ekonomisë së re, duke vendosur që Irlanda nuk kishte më nevojë për t’u angazhuar në funksionimin e bilanceve të larta pozitive.
I gjithë episodi u harrua shumë shpejt.
Papajtueshmëria e Gjermanisë solli një zgjidhje pak a shumë të njëjtë me të. Në korrik të vitit 2004 Këshilli i Drejtësisë së Europës pranoi që Gjermania kishte problem, ajo nuk e kishte më autoritetin për të pezulluar procedurën e BE-së për të manovruar me deficitet e tepruara.
Por as Komisioni Europian, as paditësit e tjerë nuk vendosën të luftonin kundër anëtarit më të fortë të eurozonës.
Ata vendosën të bashkëpunonin me Gjermaninë për të mbledhur forcat në liberalizimin e tregut dhe në mbarëvajtjen e reformave.
Në të vërtetë, komisioni ofroi plane të ndryshme që Pakti për Rritjen dhe Stabilitetin t’i lejonte pjesëtarët e eurozonës, që të kishin liri veprimi në balancimin e buxhetit të tyre.
Shkurt, koordinimi i politikave makroekonomike dështoi, sepse vendet u përballën me stimuj të fortë për të mos mbajtur zotimet e tyre dhe Këshilli ECOFIN u përball gjithashtu me të njëjtët stimuj të fortë për t’i lënë të vazhdonin rrugën e tyre.
Ndonjë përpjekje për sanksionimin e Irlandës më 2001 do ta përkeqësonte humorin e publikut të gjerë irlandez. Po ashtu, ndonjë përpjekje për të detyruar qeverinë gjermane të vazhdonte angazhimin e saj serioz do të zbulonte mungesën e aftësisë së BE-së për të detyruar shtetet anëtare që t’i gjunjëzoheshin vullnetit të tyre. Për shkak të shqetësimeve të brendshme, Berlini nuk do të luante vendit.
Masat e shtruara në tryezë nuk do të ndryshonin dinamikën e eurozonës. Komisioni Europian dhe Këshilli i Drejtësisë së Europës nuk do të tregoheshin të paduruar për hapjen e letrave të shteteve të fuqishme anëtare. Përgatitjet për një debat të ri nuk do ta ndryshonin situatën problematike.
Shtetet anëtare do të binin dakord të kërkonin një supermaxhorancë në Këshillin ECOFIN për të hequr dorë nga sanksionet. Kjo kërkesë do të ishte e besueshme, në një kohë kur testohej një shtet si Gjermania apo Franca.
Perspektiva e tanishme nuk është aspak më e mira. Ligjet kombëtare përmbajnë disa shtigje të ngushta; amendamentet konstitucionale mund të rishikohen po aq lehtë sa edhe u paraqitën dhe përforcimi i tyre do të varej nga vullneti i mirë i shteteve.
Por ka një zgjidhje. Një përafrim më i përkorë do të ishte përqendrimi te nxitja më shumë, sesa tek përforcimi. Kini parasysh për shembull, rastet e Letonisë dhe atë të Greqisë, e besoni ose jo. Letonia kishte ndërmarrë një lloj përshtatjeje makroekonomike që më 2008, sepse besonte në çdo alternativë, veçanërisht atë të detyruarit për të hequr dorë nga norma e tarifës së këmbimit me euron, që do të ishte më keq akoma.
Një monedhë në dobësim mund të shkaktonte rritje çmimesh, duke sjellë edhe rritjen e borxhit të huaj dhe duke e bërë kështu më të vështirë që autoritetet e Letonisë të kishin besueshmëri.
Qeveria greke e ka pranuar që lënia e euros do të provokonte një krizë të rëndë në sistemin banker në vend, duke i ardhur rrotull një rritjeje si të çmimit të importeve, edhe të inflacionit të brendshëm dhe do të bënte pak për të përmirësuar konkurrueshmërinë e vendit.
Ajo gjë për të cilën ka vërtet nevojë Europa është një regjim, që do të nxisë qëndrimin brenda unionit monetar dhe do të marrë masa për partnerët, që shkelin rregullat.
Kompanitë e huaja janë të gatshme të pranojnë standarde për realizimin e këtij qëllimi. Por, gjithashtu, ato e kanë hequr nga mendja që të luajnë pa rregulla.
Bashkimi Europian mund të krijojë një dinamikë të ngjashme duke përforcuar kushte të reja që shtetet anëtare duhet të plotësojnë, që të kenë mundësi për kosto të ulëta. Kushtet e përpikta duhet të negociohen, por pika kryesore është që qeveritë që dështojnë në pajtimin me rregullat, mund ta gjejnë veten jashtë në të ftohtë.
Vendet partnere mund të kenë ndonjë arsye për të ruajtur standardet e larta, sepse vlera e depozitave bankare – gjithashtu edhe kostoja e huasë – do të ndikohej nga ajo e shteteve më të dobëta.
Përfundimisht, ky angazhim nuk do t’i fusë institucionet e BE-së – Këshillin Europian të Drejtësisë apo Komisionin Europian – në një situatë të pambrojtur të sanksioneve të imponuara, të cilat ato nuk mund t’i zbatojnë. Bashkimi Evropian ka shumë arsye për të ruajtur monedhën europiane dhe pak arsye për t’i detyruar ato të koordinojnë politikat makroekonomike.
Po të mos riekuilibrohen këto lloj nxitjesh, përpjekjet për të përforcuar rregullat nuk do të kenë më aq shumë rëndësi. Por nëse anëtarësia ka privilegjet e saj, atëherë BE duhet ta gjejë vetë zgjidhjen.
Përktheu Rudina Dahri