Iniesta: Duhet të jemi të përsosur ndaj Realit

Barcelona duhet të bëjë një performancë të përsosur nëse dëshiron ta eliminojë Real Madridin nga Kupa e Mbretit. Kështu mendon mesfushori blaugran, Andres Iniesta.
Katalunasit fituan me rezultat 2-1 në takimin e parë të zhvilluar në Santiago Bernabeu, ndërsa spanjolli konsideron se ata duhet të japin më të mirën nga vetja edhe në ndeshjen kthyese që zhvillohet të mërkurën mbrëma në Camp Nou.

“Madridi do të na detyrojë të bëjmë një lojë të përsosur. Nuk guxojmë të relaksohemi. E vetmja gjë që dua është që skuadra të bëjë një paraqitje të mirë”.

“Do ta kemi mbështetjen e tifozëve tanë, por edhe pse kemi një rezultat të mirë nga ndeshja e parë, kjo nuk do të thotë asgjë, ky është futbolli dhe ka edhe 90 minuta lojë të shkëlqyer mes dy skuadrave të mëdha”, u ka thënë Iniesta gazetarëve.