Dëshpërimi në rritje i Iranit

Nga Fareed Zakaria (The Washington Post)


Mideast-iran-women-at-the-front-2009-6-24-15-22-12

 

Këto ditë gjithandej diskutohet lidhur me forcën e Iranit. Mit Romni, udhëheqësi i garës mes republikanëve (për t’u bërë kandidati zyrtar i kësaj partie për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012) e përshkruan Iranin si “kërcënimin më të madh që i kanoset botës në dekadën e ardhshme”. Tek ai dhe tek të tjerët kanë lënë gjurmë deklaratat e fundit të Iranit lidhur me kapacitetet bërthamore dhe testet e raketave. Newt Gingrich e ka krahasuan sfidën iraniane me rigjallërimin e Gjermanisë së Hitlerit. Komentues të tjerë më të matur po ashtu shohin rritje të influencës dhe fuqisë së Iranit në Lindjen e Mesme. Në fakt, e vërteta është se Irani është i dobët dhe po dobësohet gjithnjë e më shumë. Sanksionet e kanë shtyrë ekonominë e tij drejt një pikiate. Sistemi politik është i thyer dhe duke u copëtuar. Nga jashtë, aleati më i ngushtë dhe regjimi i të cilit është pothuajse mbështetësi i tij i vetëm - Siria - po shkërmoqet për vete. Monarkinë e Gjirit Persik janë bërë tok së bashku kundër Iranit dhe në anën tjetër kanë rritur marrëdhëniet me Uashingtonin. Arabia Saudite, javën e kaluar përfundoi marrëveshjen për blerjen e sasisë më të madhe të armatimit nga SHBA-ja në historinë e saj. Ndërkohë, Evropa është fare pranë miratimit të sanksioneve edhe më të ashpra kundër Teheranit. Masa më e thjeshtë për matjen e fuqisë së Iranit është monedha e tij. Kur Barak Obama u bë President, ju mund të blinit 9 700 rialë me një dollar. Që prej asaj kohe, vlera e dollarit kundrejt rialit iranian është rritur me 60%, ç’ka do të thotë se aktualisht ju mund të blini 15 600 rialë me një dollar. Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, i tha rishtazi Parlamentit se sanksionet e fundit ishin “më gjithëpërfshirëse se kurrë” dhe se “ky është sulmi më i furishëm ekonomik kundër një kombi në histori”. Reuters-i raportoi këtë javë se gjatë muajve të fundit, çmimet e lëndëve të para të ushqimeve janë rritur me 40%. Reagimi i Teheranit ndaj sanksioneve të ardhshme të cilët i dëmtojnë eksportin e naftës tregon dëshpërimin e tij. Ditët e fundit, zv/Presidenti i Iranit - drejtues kukull pa fuqi - dhe një nga admiralët e tij kërcënuan se do të bllokojnë ngushticën e Hormuzit - duke përdorur shprehjen perse se kjo do të ishte po aq e lehtë sa “pirja e një gote uji”. Por një komandant i lartë i Gardës Revolucionare - vendburimi kryesor i fuqisë së Iranit - bëri një hap prapa kthehu me shpejtësi, duke shpjeguar se Teherani nuk kishte asnjë synim të bllokonte ngushticën. Do të ishte marrëzi kryerja e një veprimi të tillë ngase Irani do ta vuante më shumë se çdo shtet tjetër. Bllokimi i ngushticës do të rezultonte në mbyllje të plotë të eksporteve dhe importeve të Iranit; me 60% të ekonomisë së Iranit që vjen nga eksportimi i naftës, kjo do bënte që qeveria të rrinte në vend numëro. Këto mosmarrëveshje publike janë pjesë e rrëmujës së sistemit politik të Iranit. Vetëm dy vite më parë, Ahmadinexhad ishte i afërt me liderin suprem të vendit, Ayatollah Ali Khamenei. Tani ata janë kundërshtarë. Blloku reformist, përfshirë kandidatin për President Mir Hossein Mousavin dhe ish-Presidentit Mohammad Khatamin, është po ashtu kundërshtar me Ahmadinexhadin. Klerikët janë të ndarë dhe po humbasin pushtet. Në krye të të gjithëve është Garda Revolucionare, e cila po e kthen teokracinë e Iranit në një diktaturë pothuajse ushtarake. Asnjë prej këtyre nuk tregon stabilitet politik apo forcë. Ndërkaq, program bërthamor i Iranit po përparon. Kjo është e pashmangshme: Teknologjia bërthamore është 70-vjeçare; Irani ka një komunitet serioz shkencëtarësh dhe programin bërthamor e shikon si emblemë të sigurisë dhe krenarisë kombëtare. Por, a e mendojmë ne Korenë e Veriut si të fortë dhe në rritje vetëm e vetëm se ka disa pajisje të papërpunuara bërthamore? (Vlen të vihet në dukje për ata, të tillë si Gingrich, të cilët e shohin ndryshimin e regjimit si “zgjidhje”, që Mousavi dhe liderët e tjerë të Lëvizjes së Gjelbër të Iranit e mbështesin fuqimisht programin e tij bërthamor dhe kanë kritikuar Ahmadinexhadin për shumë lëshime në bisedimet me Perëndimin). Administrata Obama e ka vënë Iranin nën presion të llahtarshëm, në disa fronte - shumë më tepër nga sa që në gjendje të ushtronte administrata Bush. Kjo pjesërisht sepse presioni është siguruar në bashkëpunim me shtetet e tjera, kur ka qenë e mundur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk blejnë naftë nga Irani. Por, shtetet evropiane, Japonia dhe Koreja e Jugut blejnë. Nëse këto shtete vazhdojnë me një raund të ri sanksionesh, Irani përballet me perspektivën e vërtetë të një pikiate ekonomike. Administrata Obama duket se ka arritur në përfundimin se regjimi iranian nuk është gati apo i aftë të bëjë një pajtim strategjik me Perëndimin. Regjimi është tepër i ndarë dhe Khamenei, autoriteti kryesor i vendit, shumë i ngurtë ideologjikisht. Kështu që tani për tani, Uashingtoni dëshiron të ushtrojë presion mbi Iranin me shpresën se ai do ta detyrojë regjimin të futet në negociata serioze për disa çështje. Kjo strategji është e kuptueshme. Por gjithashtu rrezikon të ndërtojë presione të cilat mund të krijojnë një rrjedhë të tyren, me pasoja shpërthyese. Çmimi i naftës po rritet gjatë krizës globale vetëm për shkak të këtyre rreziqeve politike. Pa një strategji të shqyrtuar me kujdes, këto rreziqe do të rriten. Vendet e dobëta, regjimet e të cilëve përballen me presion, ngandonjëherë mund të shkaktojnë më shumë probleme se shtetet e forta.