Capello: As Mourinho nuk di si ta ndalë Barcën

Përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello, konsideron se Spanja mbetet favorite për Euro 2012 për shkak të numrit të madh të lojtarëve të Barcelonës që ka në përfaqësuese, të cilët, sipas tij, as Jose Mourinho ende nuk ka zbuluar se si t’i ndalë.
Anglia arriti që në një ndeshje miqësore ta mposhtë Spanjën me rezultat 1-0, mirëpo strategu italian thotë se, sikurse kolegu i tij te Real Madridi që nuk mund ta ndalë Barcën, edhe ai nuk ka gjetur ende formulë për ta ndalur Spanjën.

“Sipas meje, Spanja është favoriti kryesor për Evropianin, sepse në radhët e veta ka shumë lojtarë të Barcelonës. Vitin e kaluar u takuam me ta në një ndeshje miqësore dhe isha i impresionuar për mënyrën se si e mbanin topin në posedim”.

“Shumëkush ka kërkuar mënyra për ta pamundësuar lojën e tillë të Barcelonës dhe përfaqësueses së Spanjës, por nuk ka gjetur zgjidhje, duke e përfshirë edhe Mourinhon në stolin e Realit. Është e dukshme se nuk ka ditur t’i ndalë”, është shprehur ish-trajneri i Real Madridit.