“Sulltani” i Rusisë, Vladimir Putin

 Nga Chrystia Freeland (Reuters)


Vladimir_putin

 

Revolucioni rus nis këtë muaj. Do të duhen një apo 2 dekada, derisa populli rus të dalë në rrugë për të rrëzuar diktatorin – kjo do të varet nga çmimi i naftës më shumë se nga ndonjë gjë tjetër. Kjo, sepse deklarata e presidentit Dmitri A. Medvedev javës që kaloi, se do ta lejonte Putinin t’i kthehej Kremlinit ishte një deklaratë që pohonte se klika sunduese kishte dështuar ta institucionalizonte pushtetin në vend. E kemi ditur gjithnjë që më 1996 se Rusia nuk kishte demokraci. Ne tashmë e dimë edhe se Rusia nuk ka një diktaturë të kontrolluar nga një parti apo një dinasti. Është një regjim i sunduar vetëm nga një njeri. “Partia nuk ekziston”, është shprehur një prej ekonomistëve të pavarur rus. “Politika zhvillohet vetëm përmes një personi”. “Putini mbetet ende i përfshirë personalisht dhe mban drejtimin e sistemit të tij për të funksionuar”. Realiteti i ri duket se do të jetë një triumf për Putinin. Por, ama, është një triumf me cene. Vazhdimi i një pushteti absolut është gjithashtu një pohim, që ai dhe miqtë e tij kanë dështuar në projektin që bënë më 2008. Ky dështim është bërë si thembra e Akilit për presidentin e ardhshëm, Putin. Projekti kishte synim të krijonte një bazë institucionale për regjimin që solli Putini në fuqi më 2000, kur mori pushtetin pas Boris Yelstin dhe zbërtheu strukturat e reja demokratike, që lideri i parë i Rusisë së pavarur e kishte toleruar. “Më 2008, mesazhi i Putinit ishte ‘Ne nuk jemi si një republikë e Azisë Qendrore, nuk kemi ndërmend të ndërtojmë një regjim personal, do të kemi institucione”. Ivan Krastev, kreu i Qendrës për Strategjitë liberale në Sofia, më tha një ditë “E gjitha është shfuqizuar tashmë. Ideja e një partie qeveritare dhe një partie karriere, siç është në Kinë, nuk funksionon”. Transformimi i Rusisë në atë që dijetarët politikë e quajnë një regjim sulltani apo neo-trashëgimtar, është një çarje si për historinë e Rusisë, edhe për prirjen globale. 
Kremlini ka qenë një strehë për shumë diktatorë gjakatarë. Por, carët e Rusisë e fituan legjitimitetin e tyre nga gjaku dhe nga fati i tyre. Sekretarët e përgjithshëm zotëronin pushtet në partinë dhe ideologjinë e tyre. Sundimi i Putinit është i bazuar vetëm tek vetja e tij, tek uni. Spostimi i Rusisë drejt sulltanizmit nuk ecën me një hap me pjesën tjetër të botës. Pranvera Arabe ishte një revoltë kundër disa neo-sulltanëve më të fuqishëm të botës; nuk është e rastësishme që shumë diktatura të Lindjes së Mesme janë vendosur nga monarkitë dinastike, jo nga më të fortët. Kina është padyshim autoritare, por është një shtet me një parti, pikërisht ajo që dëshironte të krijonte Putini, por që nuk ia doli. Një karakteristikë e regjimeve paternalistike është se sundohet përmes frikës dhe poshtërimit – kujtojmë këtu protestat nëpër rrugët e Tunizisë dhe Egjiptit për rifitimin e dinjitetit. Një analist i cili gjithnjë më ka folur hapur, më kërkoi të mos e citoja. Ndjesia e poshtërimit është më e madhe. “Shumë shokë të mi janë mjaft të zhgënjyer që vendimi privat i dy miqve mund të përcaktojë fatin e vendit të tyre”, shprehet një oligark nga ish Bashkimi Sovjetik. Më i poshtëruari nga të gjithë ishte presidenti Medvedev, të cilit iu kërkua të shpallte një abdikim. “Medvedev tashmë është simboli i fundit i dobësisë”, u shpreh Krastev. “Liberalët e urrejnë atë shumë më tepër se Putinin”. Sidoqoftë, nuk pritet që biznesi perëndimor të shfaqë pakënaqësi. Një shef ekzekutiv evropian u shpreh “Ne e miratojmë këtë kandidaturë. Putini e ka përkrahur industrinë në një mënyrë vërtet të jashtëzakonshme”. Diçka tjetër që shefi ekzekutiv perëndimor e pëlqen lidhur me diktaturat është stabiliteti i përftuar. Ky nuk është tërësisht një mit – shihni Ukrahinën për të kuptuar se sa i trazuar mund të jetë një shtet post-sovjetik, kur eksperimenton me demokracinë – po kjo nuk është totalisht e vërtetë. Regjimet paternalistike mund të jenë shumë të forta, por ama janë shumë të brishta. Ato kanë 2 dobësi të mëdha. E para është paraja. Frika dhe poshtërimi janë hallka të rëndësishme për një burrë të fuqishëm neo-trashëgimtar, por ai ka nevojë për para në dorë. Një ekonomist rus me të cilin komunikova për të llogaritur çmimin e naftës që po bie deri në 60$ për fuçi, më tregoi që pushteti i Putinit mund të vihet shumë shpejt në rrezik. E dyta është trashëgimia. Problemi kryesor me një regjim të krijuar vetëm nga një njeri – dhe arsyeja pse Putini u përpoq të institucionalizonte autoritetin rus – është se ai nuk zotëron mekanizma për transferimin e pushtetit. “Kjo ndodh, sepse ky lloj regjimi ka vetëm një sukses, vetëm një trashëgimtar, ai klonon veten”, tha Krastev. “Më 2008, Putini dëshironte të na bindte se, ashtu si Jelcin, do të tërhiqej. Tashmë, nuk ekziston më kjo mundësi për Putinin. Ai duhet të vdesë në Kremlin”. 
Përktheu Rudina Dahri