Pse zyrtarisht është gabuar vazhdimisht me 13 tetorin e Migjenit!



Nga Besi BEKTESHI 

*Studiues, përgjegjësi i Arkivit të Muzeut Historik të Shkodrës   


  besibekteshi-info.blogspot.com


(Certifikata dhe gjyqi i “paqit” vërtetojnë 30 shtatorin e 1911-tës si datëlindjen zyrtare të Millosh Gjergj Nikollës)


 Mbas shumë e shumë shkrimesh dhe përkujtimesh, por dhe aktivitetesh të rëndësishme, tashmë 13 tetori kaloi, e Migjeni është vendosur në fokusin e duhur të shoqërisë. Nuk ka fije dyshimi që kjo është diçka e mirë, e bukur, edhe pse ndërmjet polemikave ka edhe qëllime jashtë figurës së tij, ka qejfmbetjet nga e kaluara dhe modele të cilat tentojnë veten, duke përmendur Migjenin. Më e bukura e këtij 100 vjetori është se shoqëria po arrin ta “ç’komunistizojë” figurën e një prej letrarëve më të shkëlqyer të vendit, por absolutisht më të talentuarin e letërsisë shqipe.Mirëpo vërtetësisht çfarë përfaqëson 13 tetori i Migjenit, pikërisht kjo datë, e cila e ka bërë tetorin, muajin e letërsisë dhe që edhe për këtë 100 vjetor po kështu u trajtua?!Por në të vërtetë, zyrtarisht dhe teknikisht kjo datë, nuk përfaqëson ditëlindjen e Migjenit.Zyrtarisht nuk e vërteton ditëlindjen e Migjenit data 13 tetor e vitit 1911 edhe sepse ekziston një dokument zyrtar i gjendjes civile të Shkodrës, i firmosur dhe vulosur nga zyrtari përkatës po në Shkodër, që ka saktësuar datën e lindjes së Millosh Gjergj Nikolla. Sa do hulumtime dhe polemika të ketë, ky dokument i cili vërteton edhe kryerjen e një gjyqi për vitin e lindjes, është dokumenti zyrtar i shtetit shqiptar që ka mbyllur problemin e datës së lindjes së Millosh Gjergj Nikollës. Në dokument thuhet: Unë Hamdi Fatihu, sekretar i Gjendjes Civile të Bashkisë së Shkodrës... vërtetoj se zotni Millosh Nikolla, i biri i Gjokos dhe Sofijes, ka lindur në Shkodër me 30-IX-1911... dhe vazhdon me shkrim viti i lindjes. Por dokumenti zyrtar i dalë nga Bashkia e Shkodrës, ngulmon të sqarojë se: I përmenduni, ditën e regjistrimit 25 maj 1931 asht kenë registrue me datë lindje 1909, por me vendim nr 10 të datës 12-I-1931 të Gjyqit të Paqit të këtueshëm, kte ditëlindje e ka korrigjue në datën 1911. Certifikata është lëshuar në datën 26 janar të vitit 1937.
Problemi ka qenë i madh për Migjenin, sepse shumë pasaporta kanë pasur pikërisht vitin 1909-të të definuar si vit i lindjes së tij, dhe kështu është bërë një gjyqi i “Paqit” në janar të 1931 është vendosur edhe viti i lindjes së Millosh Nikollës.Ky dokument, as që mund të kundërshtohet dhe as mund të interpretohet, sepse është një dokument që bazohet në një gjyq të Shtetit Shqiptar, i cili nuk lejon asnjë ndryshim dhe tjetërsim date. Pastaj nuk ka një dokument deri tani të dalë, që të hedh poshtë këtë vendim dhe këtë certifikatë të Migjenit. Nuk ka asnjë gjyq tjetër dhe as një veprim ligjor tjetër qoftë edhe me urdhër, të ndryshojë datën. Përveç kësaj në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, janë edhe katër deftesa të shkollës në vite të ndryshme të Millosh Nikollës, që janë pikërisht edhe në bazë të regjistrimit, të ditëlindjes 30 shtator 1911. Këto deftesa janë në vite të ndryshme, dhe kanë edhe shënimin mbi bazën e regjistrit dhe amzës në mënyrë të detajuar dhe të rregullt. Janë deftesa në gjuhën serbo-malazeze, dhe fillojnë regjistrimin që nga vitet 1920 dhe vazhdojnë mbas viteve 1930-të. Këto deftesa në fakt, kanë një besueshmëri të madhe, sepse si shkollat dhe regjistrimi, kanë qenë tepër të rregullt dhe të kontrolluar me imtësi të veçantë.Por gjithashtu ekziston edhe një dokument kishtar jo me vulë, por i shkruar më dorë, që ka të bëjë me ditëlindjet dhe ditëvdekjet e familjes së Nikollajve. Normalisht aty nuk ka asnjë shënim mbi datën 13 tetor. Shumë të thëna mbi ndryshimin e datës nga kalendari latin me atë ortodoks, nuk kanë dokumentacion, por shumica dhe tërësia e veprimeve në përputhje me shkollën dhe ligjin në të gjitha certifikatat dhe shkollimet, janë kryer me kalendarin që bota e asaj kohe në Europë dhe Ballkan, pranonte dhe njehsonte.Atëhere si ka mundësi 13 tetori, kur letrat janë krejt të qarta dhe gjyqin Migjeni e ka bërë së bashku me familjen e tij, për të pasur datën e rregullt të lindjes, ose së paku ditën e duhur të lindjes së tij?!Në një nga shkrimet, ku njerëz të pushtetit të dikurshëm dhe po ashtu letrarë të pikërisht pushtetit kanë lënë ka një sqarim ku është thënë se “Migjeni ynë i madh ka lindur në muajin e tetorit, kur kemi revolucionin, (i cili festohej në nëntor) kur ka lindur shoku Enver dhe kur kemi edhe muajin e letërsisë dhe arteve”.Ndoshta kjo, mund të sqarojë diçka në këmbënguljen e madhe mbi 13 tetorin. Në fakt, pavarësisht të ndjesive dhe polemikave, zyrtarisht dhe defenitivisht, ditëlindja e poetit dhe prozatorit të madh shqiptar është në 30 shtator të vitit 1911. Nuk ka fije dyshimi se vetë Migjeni ka dashur të jetë kjo datë, ai vetë ka bërë gjyqin dhe ka pranuar pikërisht atë përfundim. Mosmarrëveshjet në dokumenta pastaj janë një problem tjetër që tregojnë se pikërisht kjo datë ishte një vështirësi e madhe për Migjenin në atë kohë, të cilën e zgjidhi me gjyqin që vërtetoi plotësisht se ai ka lindur ne 30 shtator të vitit 1911.*

Related Posts: