Pse u bashkua me ballistët Ilir Meta?



b_95_75_16777215_0___images_0POL_meta.gifNuk është në traditën e skraparasve, sepse gjatë luftës ballistët thyen kokat në Skrapar, por pas kaq vitesh na del një pronje syerrur dhe na bashkohet me ta. Me sa dimë, Skrapari e ka quajtur djalë të tij, Ilir Metën, por ai harroi vendlindjen e traditat e Skraparit dhe nuk e njeh më për prind. Ai i mashtroi skraparllinjtë, sa u mori votën e u fut në politikë, siç kanë mashtruar ballistët gjatë luftës. Kur e panë që s’ fitonin dot me luftë, nisën mashtrimet. Në gjurmët e tyre ecën edhe ballisti i ri, Ilir Meta. Është bërë mjeshtër në gënjeshtra e mashtrime, është bërë servil, sa mund të ketë hequr ndonjë vertebër, vetëm për një të shkretë karrige. Kur bëri aleancë me ballistët, Iliri ka dhënë një deklaratë të çuditshme: “Nga ne nuk vjen kurrë prishja e qeverisë”. Ç’do të thotë kjo? Le ta shkelë Berisha me këmbë, le ta djegë Shqipërinë, le t’i bëjë dhe menderen në kokë, ai nuk luan nga istikami i ballistëve. Me ç ‘shikojmë Ilir Meta me pazvanët e tij, do ta ketë studiuar para se të bënte koalicion strategjinë që përdori Balli gjatë luftës, pa u bashkua me ta. Na premtoi se do të merrte nja 40 deputetë në zgjedhjet e vitit 2009, por me të vjedhur mezi i mori katër. Në zgjedhjet e fundit të pushtetit vendor, deklaroi se do të merrte 100 komuna e 20 bashki, por me të vjedhur e me para mezi mori nja 7 a 8. Si e pa që nuk mori dot bashkinë e Beratit e të Kuçovës, siç deklaroi në një emision televiziv, nisi nga mashtrimet, për të gënjyer këshilltarë socialistë e të merrte Kryetarin e Qarkut Berat. Këtë manovër mashtruese përdori edhe në Fier e Vlorë. Por pushteti nuk mbahet e merret me mashtrime se një ditë del kallaj dhe mbetesh hurup.Çfarë bëri Balli gjatë luftës? Unë nuk kam qenë në luftë, por në arkivin e Beratit kam gjetur nja dy dokumente që tregojnë mashtrimin e tyre. Nga mezi i qershorit 1943 në fshatin Radësh, vete një letër nga këshilli i fshatit Çerenisht, ku shkruajnë “Jemi të lidhur si mishi me thuan, por na ka turbulluar Muharrem Kapllani, i cili ka ardhur disa herë dhe na thotë të kthehemi me Ballin, se dhe Radëshi është me ne. Na duket e pabesueshme prandaj, u dërguam Hasan Taren të merremi vesh”. Dhe Radëshi i përgjigjet: “Mos u besoni fjalëve të gënjeshtarëve e fytyrave tradhtare. Radëshi është i vendosur si një shkëmb graniti që s’ka armik ta kthejë nga rruga jonë”. Të njëjtën gjë ka bërë Xhelal Staravecka kur u kthye me Ballin si Iliri. Ai vajti në Radësh dhe tha: “Partizanët do të bashkohen me ballistët, prandaj bindini dhe ata që nuk duan”. Edhe në Krastë e Backë bënë të njëjtën gjë, por ata u thanë: “Shporruni këtej sa s‘ është vonë e mos hidhni miza në popull, se do t’u hanë ju”. Thonë këndej nga ne, se djalë të mirë të bën babai dhe unë kam dëgjuar që Iliri ka një baba të mirë, por si duket nuk e dëgjon dhe i bëri skraparasit perrende, perrende. Nuk e di nëse është e saktë, po flitet se edhe në kohën e Zogut paska qenë një farë Veiz Xhindi, që i ka dhënë votën Zogut. Dhe tani na del një i ashtuquajtur skraparas, me emrin Ilir Meta, i cili vdes për një çikë karrige dhe bashkohet me ballistët. Karrigia nuk merret me mashtrime, as me të paguar ca rrogëtarë militantë, që kanë në themel interesin e çastit. Një ditë, kur t’ i drejtohet greminës antiburri i Skraparit, sepse këmba i ka shkarë, janë ata të parët që do ta shtyjnë drejtë të tatëpjetës. Ata s’ kanë pikë respekti për Partinë, sepse kurrë nuk e kanë lexuar programin e saj, por as Ilirin nuk e kanë në refene, duan vetëm karrige. Po Partia nuk mund të ketë prokopi me karrigexhinj. Ata që lëvizin, siç lëvizi Iliri nga një parti në tjetrën, janë vetëm bravarë, që shkojnë e bëjnë zarare nëpër “arat” e botës dhe ikin sërish. Si mund të jetë e qëndrueshme një Parti, kur ka interesaxhinj të paqëndrueshëm? Unë nuk kam dëgjuar e parë skraparas dredharak si Ilir Meta e Veiz Xhindi me Xhelal Staraveckën. Skraparasit e vërtetë kanë bërë vend në histori, me të cilët është mburrur i gjithë kombi. Vërtet kanë qenë e janë të varfër, po shtëpinë e kanë mbajtur gjithmonë të pastër si dëbora në majën e malit Tomorr. Haram e pastë bukën e Skraparit të varfër ky mengene, që e ngjyen kafshitën në çdo pjatë! 

Related Posts: