Ishte kjo një sfidë që si zakonisht në Anfield u përball me mungesë të golave dhe rasteve. Kjo ndoshta u diktua edhe më shumë nga formacionet kontraverse.
Steven Gerrard luajti nga fillimi i takimit si i rikthyer nga lëndimi, përderisa befasia ishte lënia në stol e Wayne Rooneyt dhe Chicharitos, pasi skocezi Ferguson vendosi t’ia fillonte takimit të madh me Ryan Giggs dhe Danny Welbeck në sulm.
Në fraksionin e dytë shohim ndeshje komplet tjetër. Liverpooli filloi ta atakonte me seriozitet portën e Djajve, ndërsa efektet vërehen tek pas një ore lojë.
Një gjuajtje të lirë për mrekulli e ekzekutoi Steven Gerrard (68’), gol me të cilin e kaloi në epërsi Liverpoolin dhe shënoi rikthimin e tij të fuqishëm në fushat e blerta pas lëndimit.
Kjo pasi Chicharito shfrytëzoi një harkim në zonë për të shënuar me kokë për 1-1 dhe barazimin e rezultatit. Edhe njëherë Hernandez tregoi se di ta bëjë diferencën atëherë kur duhet më së shumti, pa marrë parasysh se kishte një ‘hektar’ hapësirë në zonën e The Reds (81’).
Ndeshja vazhdoi dhe Liverpooli ishte shumë pranë golit të fitores me anë të Kuyt, por tentimet e The Reds u treguan të kota dhe kështu, beteja e parë direkte këtë sezon përfundoi pa fitues.
Me këtë barazim Manchester United do të ketë 20 pikë në pozitën e parë në tabelë, duke i dhënë mundësi Manchester Cityt që ndaj Aston Villas ta marrë kreun e klasifikimit. Liverpooli mbetet në pozitën e pestë me 14 pikë.