Lidhja Demokratike, sipas të gjitha gjasave, do të garojë me Sabri Hamitin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Aty, ai gëzon përkrahje. Ndryshe qëndron puna me Veton Surroin. Nënkryetari Haki Rugova shprehet se ish-Kryetari i Partisë ORA s’ka asnjë shans të jetë kandidat i LDK’së për president të Republikës.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë filluar të përmenden emrat e kandidatëve të mundshëm për të garuar nën petkun e kësaj partie për president të Republikës shumë më herët sesa në subjektet e tjera.Partia e Isa Mustafës tradicionalisht ka mbajtur postin e Presidentit të Kosovës, e kjo duket të jetë një shtysë e madhe për njerëzit e kësaj partie që sërish të tentojnë të kthehen në zyrën që aktualisht mbahet nga Atifete Jahjaga.
Burime të gazetës Express thonë se, jozyrtarisht, anëtarët e Kryesisë së kësaj partie po lobojnë që Sabri Hamiti të jetë kandidat i LDK’së për president në zgjedhjet presidenciale që mendohet të mbahen vitin e ardhshëm.
“Z. Hamiti është i vetmi emër që aktualisht përmendet nga udhëheqësit e LDK’së”, ka thënë për Express një zyrtar i lartë i LDK’së.
Ai ka përjashtuar çdo mundësi që i nominuari i LDK’së për këtë post të jetë publicisti Veton Surroi, pavarësisht se emri i tij preferohet nga njerëz të ish-Partisë Reformiste Ora, të cilët janë akomoduar mirë pranë Isa Mustafës.
“Ky është një grup i vogël, gati i papërfillshëm”, ka sqaruar zyrtari i LDK’së që foli në kushte anonimiteti për Express.
Në të njëjtën kohë, një betejë e madhe për të qenë kandidat i LDK’së për president të Republikës po zhvillon edhe Fatmir Sejdiu, ish-President dhe ish-Kryetar i kësaj partie, i mundur në Kuvendin e fundit Zgjedhor nga Isa Mustafa.
Burime të afërta me ish-Presidentin thonë se aktualisht ai po punon me degë dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së.
Partitë politike nuk e kanë të saktësuara në statutet e tyre nominimin e kandidatit për president të Republikës, pasi që Kosova për herë të parë pritet të mbajë zgjedhje presidenciale vitin e ardhshëm.
Por, në kampin e Fatmir Sejdiut besojnë se nominimi duhet të vijë nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së.
“E vetmja rrugë për nominimin e kandidatit të LDK’së për president është Këshilli i Përgjithshëm”, ka thënë një burim i afërt me ish-Presidentin Sejdiu.
Por, kështu nuk mendon edhe Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova.
“Nuk është e obligueshme të votohet në Këshillin e Përgjithshëm. Por edhe aty mund të shkojmë pa asnjë problem”, ka deklaruar Rugova, të dielën, për Express.
Sipas tij, nominimi mund të bëhet nga organe të tjera.
“Nuk është e shkruar në statut, nuk ka ndonjë nen që e përcakton këtë. Por normal që Kryesia e LDK’së, Kryetari i LDK’së - në konsultim dhe marrëveshje me Kryesinë - mund të bëjë nominimin e kandidatit tonë për president”, ka shtuar ai.
Nënkryetari Rugova sqaron se deri më tash, LDK’ja nuk ka asnjë kandidat zyrtar për këtë post.
Por, ai nuk heziton të shfaqë preferencat e tij për kandidatët e mundshëm.
“Nuk ka shanse”, thotë ai, kur pyetet për mundësinë që LDK’ja të garojë në zgjedhjet presidenciale me Veton Surroin.
Ndryshe flet për Sabri Hamitin.
“Do të ishte dëshirë e madhe e imja të ishte z. Sabri Hamiti. Mirëpo, zyrtarisht nuk është kandidat. Derisa nuk është, mbetet i tillë. Përndryshe, për mua do të ishte OK”, thotë ai.
Haki Rugova pranon se në LDK është diskutuar disa herë çështja e kandidaturave për president të Kosovës.
“Kemi diskutuar, por nuk e di se si do të shkojë ky proces. Fillimisht, a do të aprovohen ndryshimet kushtetuese apo jo... Janë disa procese që do të ndodhin paraprakisht dhe ne do të dalim zyrtarisht me emrin tonë në momentin e shpalljes së zgjedhjeve presidenciale”, thotë Nënkryetari i LDK’së.
Ndryshe, shumë më jotransparente në këtë aspekt janë partitë e tjera.
Kohët e fundit, në PDK është folur për mundësinë që Hashim Thaçi të garojë për President të Kosovës, por në një intervistë të dhënë javën e kaluar, vetë Kryetari i PDK’së e ka mohuar këtë.
Në AAK, po ashtu, nuk e dinë se cili do të jetë kandidati i tyre, për shkak se Kryetari i saj, Ramush Haradinaj, po gjykohet për krime lufte në Tribunalin e Hagës.
Vetëm AKR’ja tashmë e ka emrin e kandidatit të saj për president. Ai është Kryetari i saj, Behgjet Pacolli.
Beqiri: S’kemi ende emër për president
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj shkrimit në Gazetën Express rreth mundësisë që kjo parti të garojë me Sabri Hamitin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Sekretari i Përgjithshëm Ismet Beqiri, tha se këto janë pjesë e spekulimeve, dhe në LDK sipas tij asnjëherë deri sot nuk është përmendur asnjë emër.
“Në LDK deri më sot asnjëherë nuk është biseduar për emra, këtë e them me kompetencë të plotë ato tjerat janë në sferën e spekulimeve, dhe siç e thash nuk është diskutuar kurrë për emra. Ajo që e kemi thënë më herët LDK ka shumë kandidatë, ka potencial e njerëz intelektual me bagazh kombëtarë që i plotësojnë kushtet për të garuar për president, por nuk është vendosur për asnjëherë emër”, ka sqaruar Beqiri.
Ndryshe Nënkryetari i LDK'së, Haki Rugova deklaroi dje se kjo parti ka diskutuar rreth emrave të mundshëm për President të Republikës. Derisa nuk ka hezituar të shfaq simpatinë e tij për Sabri Hamitin.
“Do të ishte dëshirë e madhe e imja të ishte z. Sabri Hamiti. Mirëpo, zyrtarisht nuk është kandidat. Derisa nuk është, mbetet i tillë. Përndryshe, për mua do të ishte OK”, thotë Nëkryetari Rugova.