Namik Selmani 
Nusja e kombit
Në vend të një parathënieje për librin “Nusja nga Çamëria” të autorëve Drita Braho dhe Remzi Basha
Në  vetrinat e librarive shqiptare, por dhe ato botërore nuk është i  panjohur shkrimi dhe botimi i një libri nga dy autorë, ndonëse është një  fenomen i rrallë letrar dhe nuk mund të gjendet lehtë. Breza kryesore  të një familjeje, miq të ngushtë , shokë të një shkolle, njërëz të një  profesioni, etj mund të krijojnë këtë dualitet miqësor letrar që në një  tryezë shkronjash të vënë pjesën e tyre para lexuesve pa e kuptuar kurrë  se si mund të ndahet copa e lavdisë për secilin. Të bashkojnë emocionet  e rrëfimet, të bashkojnë urimet e jetët njerëzore.  
Libri  i autorëve Drita Braho dhe Remzi Basha  duket se është vërtet një risi  në letërsinë tonë. Jo thjesht nga përmbajtja , ndërtimi i librit, por së  pari nga ai mesazh emocional kombëtar që jepet në këtë libër. Është një  risi se si mund të shkëmbehen aq miqësisht dhe zyrtarisht vlerat  shpirtërore të një kombi që, për shumë kohë ka jetuar i ndarë dhe së  bashku  kanë patur të ndara, lëndinat, dasmat, trojet, kullat, djepet,  mullinjtë, lëmenjtë, këngët e padyshim edhe ….edhe shkronjat.
Të  vendosur larg njëra-tjetrës Kosova e Çamëria kanë patur një Kod të  veçantë Mbijetese duke bashkuar brenda qënies së tyre ëndrrën e madhe e  të përgjakur të lirisë, ninullat e djepeve, tupanet e betajve dhe të  dasmave, vikamat e morteve, dashuritë fytyrëskuqura, bakllavatë e  bajrameve dhe të festave të shumta… Duket se ky libër që mban dy emra që  i përkasin dy pjesëve të kombit tonë, është bukurisht zëdhënësi  shpirtëror më jetëgjatë këtij bashkimi të ëndërruar të paktën tash 100  vjet, i historive jetëtragjike të dy pjesëve të kombit shqiptar. Është  një risi e re në këtë fillimshekulli XXI kur ëndrra e bashkimit tani po  shihet në dritë të ditëve që po jetojmë, të rrugëve që po ndërtojmë, po  preket,  po ndjehet, po bëhet pjesë e së ardhmes…
Me  një përvojë jo të pakët sidomos në poezi, autorja Drita Braho nga  Markati i Konispolit  dhe Remzi Basha nga Kosova sjellin  dy rrëfime  tronditëse. I pari të çon në Çamëri. Në Pargën magjike dhe tragjike  njëkohosisht ku shkruhen tragjeditë më të thekshme të shekullit XX.   Tjetra të dërgon në Luftën e Kosovës të para 10 viteve që solli pastaj  lirinë në këto troje i sajuar për lahutarë të zot, duket se bashkimi  kërkon doemos një libër të ri si është edhe ky që po marrin në duar  lexuesit e të dy krahinave.Brenda këtij rrëfimi futet edhe kujtesa për  poetin zëtragjik Bilal Xhaferri nga Ninati që ka kënduar për lirine e  Çamerisë e te Kosoves madje edhe është ndëshkuar për këtë atdhetarizëm  të pashoq
Tablotë  epike dhe ato lirike që i lënë bujarisht vendin njëra-tjetrës duket se   sjellin më pranë lexuesit ehon shpirtërore të shqiptarit. Me një leksik  të zgjedhur nga të dy krahinat,  
me  një subjekt interesant, me një odise luftrash që të dërgon herë në  Pargë, Filat, Paramithi e herë në Drenicë, herë në Jon e herë në malet e  Kosovës që po presin pranverën , me një folklor të zgjedhur nga ai  hambar i pafund këngësh të të dy krahinave, 
Libri  të rrëmben me romantizmin e epizmin e vet në secilin rresht të tij.  Mesazhi i një historie të njëjtë, i betejave dhe fitoreve që përqafen në  subjekt aq qartë me  dramave  e përbashkëta  me dhimbje, me amanete të  thëna e të pathëna, romani është një fletë e hapur që duhet lexuar.
Personazhet  e romanit i përkasin të dy brezave. Në qendër të tyre është bukuria  fizike, shpirtërore, motivi i fortë i ditëve që ata jetojnë. Dilua,  Bujari, Sadetja, Aisheja, gjyshja të mbeten në kujtesë. Në roman zënë  vend shumë figurat femërore të të dy krahinave gjë që nuk  e kemi parë  dhe aq shumë në romane të tilla me temën hiastorike Në to ka shumë shumë  dritë. Dritë peisazhesh që të trondisin me bukuritë e tyre. Një dritë e  re  që buron edhe nga Forca e Jetës , nga dashuria për të . Kullat e  Kosovës dhe shtëpitë çame në Jug janë shumë afër me njëra-tjerën e nuk  harohen lehtë. Një histori tragjike dhe heroike për lirinë lamë pas.   Një historie re na pret. E mesazhierë të kësaj ardhjeje fisnike  janë  sot modestisht këta dy autorë Drita Braho dhe Remzi Basha me romanin e  tyre të parë të përbashkët “Nusja nga Çamëria”.





