VEPRAT LETRARE:
POEZI: “Shtreza në fjalë” 1984, “Nyja e Gordiut” 1992, “Albanoi” 1992, “Pse ashtu Pandorë” 1993, “Ç’të bëj me dhembjen” 1993, “Satanai me fytyrë tjetër” 1994, “Eklipsi i diellit” 1997, “Përballje me vdekjen” 1999, “Shqiptari vdes duke kënduar” 2000, “Kohë për të folur gurët” 2001, “Sipërfaqja e padukshme” 2003, “Në një jetë pas Krishtit” 2010.
PUBLICISTIKË: “Vrasja e deputetit – monografi”, 2003, “Pikëpamje dhe reagime” 2008, “Beteja e Koshares”- publicistikë 2009.
Naim Kelmendi jeton dhe është editor në redaksinë "Rugova-Art""Prishtinë.
ËSHTË VETËM KUJTESË
Përjetësisht ekzistojmë
vetëm brenda kujtesës
sepse pjesë e kohës sonë
mbetet harresa që shkelë
pamëshirshëm t’gjitha fletët
e një kujtimi t’shkruar dikund hirshëm
qëndrojmë si hije në retrospektivë
në ritmet e këngës apo n’periudhën e fjalisë
nëse u hyjmë në punë t’na përmendin
për tharmë mendimi n’kohë të shkrimit
hiri i kujtimit përcëllon
në vizionin e ëndrrës…
ne ishim vetëm kujtesë e çastit
që s’shuhet kurrë brenda mendimit
në kohën tjetër
fatkeqësisht s’ekzistojmë
me hirin tonë, t’mirin
le t’iu japin pak shpirt kohëve n’vegim
dhe, s’ka asgjë përtej
është vetëm kujtesë…
asgjësë i harbohemi marrëzisht
me epshin e mendimit pse erdhëm
pse jemi pse vishemi e zdishemi kaq shumëherë
në ndërgjegjen tonë prej njeriu nateditë
për kund vemi për tjetër formë
a thua pse ishim vizitorë të përkohshëm
apo pse nuk dijmë pse jemi nga ky tharmë njeriu
a mos ishte një ekskursion ardhja jonë këndej në jetë
për ta mësuar prekjen e gjithçkaje dhe gjetjen e emrit
të harruar me vite në fakturat e papaguara të rrymës
e dashura ime, mos u bë marroqe, shpalosi vithet
jepi të drejtë epshit në mbretërinë e erosit
jemi numër rendor në sistemin kaotik të qenies
dhe, s’ka asgjë përtej asaj që s’e dijmë
përfundimisht njëjshëm është vetëm kujtesë…
ÇDO MINUTË NDODHË
Saktësisht çdo minutë ndodhë
një lindje një vdekje një diçka
që duhet domosdo të ndodhë
pa e ditur ne dhe përse ndodhë
pa praninë tonë e pa dijen tonë
pra përse dhe kur do të ndodhë
në mesditë në mesnatë në mëngjes
sepse në një fije floku është kufiri
në mes jetës dhe vdekjes së secilit
e gjërave që i ndjejmë mendueshëm
por assesi nuk i shohim përtej
pamjes që na mungon përtej shikimit
pra, ne s’dijmë as për jetën tonë
sepse çdo minutë diçka ndodhë
edhe me ne edhe me fatin tonë n’asgjë
sepse ne jemi pjesa e çdo minute jete
e mbështjellë në plazmën brenda shumësisë
në këtë energji lëvizëse brenda universit
saktësisht çdo minutë diçka ndodhë
na mbetet veç fuqia e lutjes përgjërueshëm
që t’mos jemi njëra nga grimcat e tragjedisë
prandaj kjo që në çdo minutë diçka ndodhë
është saktësisht një proces që kurrë nuk kryhet
E PAFALSHME
Nuk ia fal vetes
mosnjohjen
e rrethit
rreth t’vërtetës
mbi një zhgënjim
u dvirr dhe shpirti im
nuk ia fal as jetës
mosnjohjen e rrethit
rreth t’pavërtetës
JA, SECILI JEMI NGAPAK…
Secili duam të pushtojmë
territor më shumë n’botën e tjetrit
të sundojmë hapësirat paqësore të tjetrit
duam ta përligjim sundimin
në botën e qetësisë së tjetrit
ja, pse jemi ngapak
bishë në vetvete -
secili dhe saherë që vrasim të drejtën
trishtueshëm në kohën e tjetrit
e duam ta përligjim tonën përmbi tjetrin
asnjëherë përfundimisht nuk i vëmë pikën
kërkimit n’pushtim hapësirash gjelbëruese të tjetrit
ja, se secili jemi ngapak
bishë në vetvete –
LUKUNITË
Ana e errët e mendjes i ngjallë lakmitë
e tyre t’zeza e nxjerrin sheshazi egërsinë
e llojit drejtë qëllimit final
erdhën e panë e bënë e u ngjitën
në degën e pemës dhe kokrruan
dhe u dehën me shijën e lotusit
harruan rrugën e kthimit
tek njeriu tek e mira e tij
tek stina e dashurisë njerëzore
tek mirëqenia e kohës tek ekzistenca e tjetrit
viktimë jam unë, ti je, secili nga ne
i duan të gjitha për vete mor
s’e kanë kurrë për komb as për fe
na e shitën shtrenjtë lëkurën
e kohës kur s’ishim aty ku s’ishim
n’orën e ekzistencës dhe t’vetes
hyjnë e dalin paturpësisht kohëve t’vocrra
BABAI
Kam të ftohtë baba kaq vite
të ftohtë kam dhe frikë
nga e pamundshmja ime
për t’më kuptuar e për t’i kuptuar
të gjitha t’paaritshmet e jetës
t’panjohurat e saj të mistershme
e di, ti s’ke asnjë faj
për pamundësinë e takimit
të fëmiut me prindin
qoftë edhe në një ëndërr
në të shumtën jam rritur e forcuar
me dashurinë ëngjëllore të nënës
por kam ende të ftohtë, baba, kaq vite e tehu
të ftohtë kam dhe frikë nga e pamundshmja ime
e tashmë ti je veç një fije kujtimi në mua
që banon brenda kujtesës sime, kaq gjë –
kujtesa bëhet bishë e egërsuar
me dritat e neonit natën, saherë
nxjerrin krye vargjet për të shenjuar
status quo-n e gjendjes së t’jetuarit pahetueshëm
dhe në mendësi, saherë andej e këndej harrimit
unë krenohem përgjithmonë se jam i yti –
ZEMËRATË
Pse hyre aq rrëmbyeshëm
në këtë këngë të etur
hyre si Uji i Madh
vërshove muret
arrite brigjet
preke dhembjen
u ke rënë këmbanave
si në kishë të dielave
ke trandur me rrëmbim
tëra caqet e një mendimi
në rrugë dallëndyshesh
dhe ke përmbysur
çdo gjë rrëmbimthi
në secilën ditë zogu
fluturon, endet n’imagjinatë
duke kërkuar çerdhen
një zot e di kur të prek
hyrja e dytë aq përzjarrshëm
aq më rrëmbim
e për ta larë mëkatin…
Prishtinë,2011





