Nga Lis Bukuroca
Më thuaj të lutem pse nuk mundem pa Ty
Ndoshta pse kam dro nga vetmia
Nga boshësia
Nga heshtja
Nga uturima e veshëve
Nga zhurma vetëm e hapave të mi
Apo
Ndoshta pse tutem me folë vet me vete
Me ia lexue vetes titujt e gazetës me zë:
Gazmoret, ngjarjet tronditëse, lajmet…
Apo pse kam frikë me hangër darkën vet
E me i thanë vetes: Të bëftë mirë
E me dëgjue vetëm zhurmën e lugës time në pjatë
E me rrufit vet kafen e mëngjesit duke vështruar nga dritarja:
Plakat me shporta në dorë
Fëmijët me çanta në shpinë
Xhintë duke nxituar në punë
Shiun e mërzitshëm
Apo diellin e hareshëm…
Ndoshta pse vetmia grimcon shpirtin
Kur perëndon dielli
E kur ndizet qiriu
E kur zbrazet shishja e verës
Apo pse kam frikë nga moscakërrimi i gotës
Nga mosshikimi në sytë e Tu plot shkëlqim
Apo pse nuk kam me kë të zihem
Me kë të pajtohem
Kujt t’ i kërkoj ndjesë
Kujt t’ i falë
Apo pse shqetësimi Yt është arsyetim i jetës
E ngushëllimi im pasojë?!
Të dua vetëm për kënaqësinë time
Apo kam parasysh edhe Tënden
Timen, Tënden, edhe tonën?
Është dashuria egoizëm egocentrik
Centrim pasioni
Dhe vartësie
Apo altruizëm dhe një lloj empatie
Apo edhe përplasje alegorike e dy egoizmave të pasigurt?!
Apo edhe dëmshpërblim i Perëndive?
Je Ti që më donë?
Apo jam unë që të pushtoj çdo ditë
Jam unë që të dua?
Apo je Ti që më magjepsë çdo ditë
Je Ti mëkatare?
Apo jam unë shkaku?
Jam unë mëkatar?
Apo je Ti motivi?
Apo jemi të dy fajtorë me paramendim?
Apo thjesht pavetëdijshëm
Na ka rënë flama kronike e quajtur Dashuri
E vite të tëra mashtrojmë njëri tjetrin?!
Unë nuk e di
Por me ty jetohet pëllumbeshë
Dhe mashtrimi Yt
Është kulmi ëmbëlak i Dashurisë!
Më mashtro tutje të lutem!
Më lejo të të mashtroj tutje, të lutem!
Sepse kjo është Dashuri!
Me dashtë dhe me pasë dëshirë për njëri tjetrin
Edhe atë pa shtrëngim
Sepse vetëm kjo shfaqje është Dashuri!
Kuptove tani pse nuk mundem pa Ty?
Kuptove tani pse trishtohem nga vetmia e madhe?
Sepse më zë tmerri mos me nderue e mos me dashtë më Gruan…





