Italia në morsën e stanjacionit ekonomik

Gjergji Kajana

 

Prej rreth 3 muajsh, kriza e gjatë shoqërore italiane është rënduar. Deklaratat optimiste ciklike të Kryeministrit Berluskoni se Italia do ta tejkalonte pa pasoja të thella krizën globale nisur në 2007-n tregjet financiare po i përgjigjen me mosbesim, duke rritur normat e interesit mbi titujt e shtetit italian. Prej gushtit rezulton vendimtare blerja masive e këtyre titujve (bashkë me ata spanjollë) prej Bankës Qendrore Europiane, që kështu tenton të pengojë rritjen e mëtejshme të normës strategjike të interesit. Gjithmonë nën shtytjen e Bankës Qendrore, qeveria ka ndërhyrë disa herë në projektbuxhetin financiar miratuar në korrik. Rritja e TVSH-së në 21%, shpallja e objektivit të eliminimit me dekret ligjor kushtetues të enteve autonome lokale të quajtura provinca e deklarimi i një lufte të paepur ndaj evazionit fiskal kanë për synim barazimin e bilancit publik në 2013-n. Qeveria ka deklaruar një ulje të shpenzimeve prej 54 miliardë eurosh deri në 2013-n, por tregjet financiare mbeten skeptike dhe BE-ja i druhet një skenari grek në Romë.

Rome-italy

Origjina e largët e krizës ekonomike italiane ndodhet në rritjen e pakontrolluar të borxhit publik në vitet '80. Ky tregues ndodhet sot në nivelin 120% të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) dhe përbën gati 1/4 e borxhit publik total të eurozonës. Për më tepër, në vite shpenzimet administrative publike shtetërore kanë ardhur në rritje, ndërsa rritja ekonomike ka mbetur anemike dhe larg niveleve të vendeve të tjera të zhvilluara. Shkalla e papunësisë rinore është 27,9% dhe shpenzimet për arsimimin janë ndër më të ulëtat në BE. Një pjesë e madhe e opinionit publik etiketon sot klasën politike italiane si "Kasta", emërtim prej një libri të suksesshëm botuar para 4 vjetësh prej dy gazetarësh të së përditshmes "Corriere della Sera". Prej 2008-s politikat ekonomike të ministrit të Ekonomisë Tremonti përqendrohen në shkurtime horizontale të shpenzimeve shtetërore, por mbetet stratosferik niveli i shpenzimeve të një politike joeficente e jokompetente. Kostot për mbajtjen në poltrona të "Kastës" janë të larta dhe rruga e liberalizimeve ekonomike apo uljes së trysnisë së lartë fiskale mbi ndërmarrjet nuk është ndërmarrë prej Berluskonit e Tremontit. Shoqata e industrialistëve Konfindustria, përmes një manifesti publik, këshillon qeverinë të nisë shitjen e pasurive të veçanta publike dhe të investojë në infrastruktura (rast emblematik joeficensë prodhuese mbeten kantieret e pambyllura të autostradës në ndërtim Salerno-Rexho Kalabria në Jug) e energji. Synimi ambicioz i Tremontit për të rikuperuar shuma të qenësishme me intensifikimin e luftës ndaj evazionit fiskal shihet me sy kritik nga shumë analistë, për shkak të vetë natyrës jotransparente të këtij fenomeni. Gjithsesi, kriza ndodhet në një pikë vlimi dhe parashikimet për rritjen ekonomike këtë vit e deri në 2012-n mbeten modeste (për FMN-në 0,6% e PBB-së në 2011-n e 0,3% vitin tjetër). FMN-ja është pesimiste për arritjen e barazimit të bilancit publik në 2013-n. Si Greqia, Irlanda, Portugalia e Spanja, Italia ka jetuar prej vitesh mbi mundësitë e veta dhe stanjacioni real ekonomik rrezikon stabilitetin e saj të brishtë shoqëror.

Nën shtytjen e krizës, politika është në lëvizje. Presidenti Napolitano, figura politike më popullore e vendit, ka rritur aktivizimin duke mbrojtur unitetin kombëtar ndaj deklaratave me tone separatiste të Ligës së Veriut, aleati kryesor i partisë së Berluskonit. Pakënaqësia në rritje e elektoratit ndaj qeverisë u duk në maj me fitoren e së majtës në zgjedhjet bashkiake të majit (veçanërisht lënduese edhe në nivelin psikologjik për berluskonianët humbja e Milanos, kryeqyteti ekonomik i vendit) dhe hedhjes poshtë me referendum në qershor të projektligjeve qeveritare mbi privatizimin e rrjetit të shpërndarjes hidrike e sigurimit të një imuniteti për organet e larta shtetërore ndaj procedimeve gjyqësore përgjatë periudhës së ushtrimit të mandatit, shuplakë në fytyrë për një Kryeministër me disa procese në kurriz. Në vend bien tamburet e zgjedhjeve të parakohshme vitin tjetër dhe një iniciativë e suksesshme referendare për ndryshimin e sistemit elektoral synon të jetë kryefjala politike në muajt në vazhdim. E majta dhe aleatët e saj kanë arritur të mbledhin firmat e nevojshme (mbi 1 milion nga 500000 të kërkuara prej Kushtetutës) për një referendum të mbajtshëm në pranverën e 2012-s për të zëvendësuar sistemin aktual, i cili lejon vetëm votimin e një liste të bllokuar kandidatësh të emëruar prej partive. Ai parashikon zgjedhjen e parlamentarëve përmes një sistemi 75% mazhoritar me turn unik (pa mundësinë e balotazheve) e 25% proporcional. Suksesi masiv i mbledhjes së firmave tregon ambicien e elektoratit për të rimarrë sovranitetin politik në zgjedhje, pasi sistemi aktual lejon vetëm votimin e një liste të bllokuar kandidatësh të emëruar prej partive.

Ajo që historiografia e ka njohur si Republika e Dytë italiane, në jetë prej fundit të Luftës së Ftohtë, është në agoni. Protagonisti i saj absolut është Berluskoni, një manjat ekonomik kthyer në 1994-n në një personazh politik impulsiv e populist që premtoi një "mrekulli të re italiane" pas asaj të dekadave pas Luftës së Dytë Botërore. Në 17 vjet kjo shpallje solemne e 1994-s, përsëritur në 2001-n përmes një "kontrate me italianët" firmosur prej Kryeministrit në televizion, ka mbetur thjesht një mirazh demagogjik. Bashkë me tkurrjen e gjatë ekonomike, është ulur edhe pesha ndërkombëtare e Italisë, e pacituar prej Obamës në OKB në falënderimin prej tij të aleatëve pjesëmarrës në luftën libaneze të NATO-s. Ai që vendasit e quajnë "Belpaese" ("Vendi i Bukur") po kthehet në hallkën që rrezikon të thyejë mbajtjen në jetë të euros. Ndërsa "retë" e Akropolit po përfshijnë edhe Koloseun, BE-së i intereson që ekonomia italiane të rimarrë veten në planin afatmesëm, me qëllim që bashkimi monetar e politik europian të mbijetojë.

Università degli Studi di Roma "La Sapienza"