Naum Prifti
|  Kujtime Të gjithë ata që e kaluan pjesën  më të madhe të jetës nën diktaturë, e kanë detyrë morale kundrejt  shoqërisë së sotme të shkruajnë kujtimet e tyre për personat me të cilët  kanë patur konfidencë, aq sa të flisnin pa drojtje për çdo temë, duke  shfaqur mendime e gjykime që binin ndesh me propagandën e partisë. Në  Shqipëri, për arsye të diktaturës së ashpër, disidenca e hapur nuk mundi  të zhvillohej, por disidenca e fshehtë, në rrethe të ngushta shoqërore  nuk mund të mohohet. Disidenca ishte lirim i presionit të brendshëm  psikologjik nga fyerjet që ndjenin, shfryrje e dufeve për padrejtësitë  që vërenin, nga poshtërimet që pësonin ata vetë, ose të njohurit e tyre.  Për t’u habitur se si sot pseudodemokratë Si konfident i tij për një kohë të gjatë, ndiej kënaqësi dhe lehtësim shpirtëror të sjell kujtimet e mia për të. Autori Skënder  Luarasi lindi në vitin e parë të shekullit XX, por ne të gjithëve na  dukej më i hershëm nga afërsia shpirtërore dhe aktivititeti që zhvilloi  për epokën e Rilindjes dhe për figurat më të shquara të Rilindasve. Ai  shkruajti monografi për Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Gjerasim  Qiriazin, si dhe artikuj për veprimtarë të tjerë si  Koto  Hoxhi, Sevasti Dako, Paro Kita, etj. Qe ura e gjallë që lidhte periudhën  e Rilindjes me pavarësinë dhe vitet pas Luftës së Dytë Botërore. I  mëkuar me idetë e rilindasve, djali i patriotit dhe mësuesit të shqipes  Petro Nini Luarasit, mbeti  deri në fund të jetës së tij një idealist i madh i shqiptarizmës, pa u trandur nga asnjë furtunë.  Jeta  e tij nisi me një tragjedi të rëndë familjare. Ishte njëmbëdhjetë vjet,  kur babain ia helmuan agjentët filogrekë të shtyrë nga rrethet  klerikale greke. Skënderi, si bir i denjë i babait të vet, e vazhdoi  rrugën patriotike po me atë pasion dhe këmbëngulje, po me atë zell, pa  përfillur asnjë lloj rreziku nga çdo anë që i vinte. Nga leximi i librit  të Guri Sevos “Mësuesi im i parë i shqipes” kisha formuar një ide për  karakterin e Petro Ninit, ndërsa pas njohjes me  Skënderin  vura re ngjashmëri të madhe midis tij dhe të atit. Dukej se Skënderi  ishte mishërim i proverbit popullor “bëmë o baba të të ngjaj.” At e bir  ishin gatuar me të njëjtin brumë karakteri. Të panënshtruar, të paepur,  mospërfillës ndaj çdo rreziku e pasoje, të aftë të mbronin pikëpamjet e  tyre, të gatshëm për debate me çdo kundërshtar, pa u merakosur për  postin dhe pozitën e tij.  Nuk  po zgjatem me biografinë e jetës së tij, mbasi ky shkrim ndjek qëllim  tjetër: Të plotësoj amanetin e tij, duke treguar sekretin që pati  mirësinë të ma besonte. DEPUTET I KOLONJËS Për  herë të parë e pashë Prof. Skënder Luarasin në Ersekë, në nëntor të  vitit 1945, kur isha djalë i vogël, trembëdhjetë vjeçar. Skena më ka  mbetur nder mend e gjallë, për shkak se qe krejt e veçantë. Ishte ditë e  mërkurë, dita e pazarit në qendrën e rrethit, kur fshatarët vinin me  kafshë ose në këmbë, për të blerë a për të shitur diçka. Pazari  zhvillohej te sheshi i qytetit, shtruar me kalldrëm, me një obelisk në  formë piramide në mes dhe me disa shelgje nga ana jugore. Në krye të  obeliskut dukej një shqiponjë  me krahë të hapur, vepër e  skulptorit Odhise Paskali, kurse në faqen e tij ballore, feksnin germat e  bronxta me emrat e dëshmorëve të Kolonjës që nga pavarësia deri në  Luftën e Parë Botërore. Ndërsa murlani shpështillte pa pushim flokë të  imtë dëbore, te shkallët e obeliskut, në mes të sheshit të qytetit, një  njeri po fliste me gjallëri. Pazarakët, kryesisht fshatarë me rroba të  zeza shajaku, rrinin grumbuj-grumbuj para tij dhe dëgjonin me vëmendje.  Kohë pas kohe trupat dhe fytyrat e tyre mjegulloheshin nga flokët e  dëborës që vërviste era.  Gojtari  po u fliste fshatarëve me pasion, herë duke e ulur zërin dhe herë duke e  ngritur. Njerëzit në vend të iknin të gjenin ndonjë strehë që t’i  ruheshin suferinës, rrinin në këmbë për të dëgjuar fjalët e tij.  Mbaj  mend se ai përmendi një sërë emrash të patriotëve kolonjarë të  Rilindjes dhe pavarësisë, shumica e të cilëve qenë krejt të panjohur për  mua. Pazarakët në fund duartrokitën dhe mitingu i improvizuar u  shpërnda. Grupe-grupe ata komentonin mes tyre fjalimin që sapo kishin  dëgjuar. “Ja këtij i them profesor unë, di të flasë mor vëlla, të bën  për vete.”  “Njerëz si ky nderojnë vendin,” “E po këtij sikur i kullon mjaltë nga goja,” “E dëgjon dhe nuk lodhesh, sepse   thotë fjalë të mençura.”   Vite  më vonë mora vesh se ai qe Prof. Skënder Luarasi, ardhur në Kolonjë për  fushatën elektorale të zgjedhjeve të para pas çlirimit. Fronti  Demokratik e kishte caktuar deputet të nënprefekturës së Kolonjës, si  personalitet i njohur antifashist dhe patriot, menjëherë sapo u kthye  nga kampi i internimit në Francë më 1945. Skënder Luarasi, ashtu si dhe  disa idealistë shqiptarë që e urrenin fashizmin, kishte vajtur vullnetar  në Spanjë me brigadat ndërkombëtare të luftonte për Republikën  Spanjolle.   Hollësitë  e tjera rreth fushatës zgjedhore në Kolonjë si kandidat për deputet, i  kam dëgjuar prej Myftar Tares, i cili qe ngarkuar nga partia ta  shoqëronte kandidatin në fushatën elektorale, bashkë me disa të rinj të  tjerë ish partizanë. Duhet thënë se kandidatura e Prof. Skënder Luarasit  ishte zgjedhje e zgjuar nga ana e partisë për të vjelë votat e  kolonjarëve, sidomos të pjesës që kishte qenë me ballin, mbasi familja e  tij njihej për ndjenja patriotike.  DARKË TE ALO KRESHOVAKandidati  për deputet, Prof. Skënder Luarasi, shfaqi dëshirën të takonte Alo bej  Kreshovën, çka ngjalli shqetësim te shoqëruesit e tij komunistë. Edhe  pse Alo Beu qe një nga figurat e njohura, që gëzonte respekt në Kolonjë  për të kaluarën e tij patriotike, për pasurinë që zotëronte dhe për  lidhjet e shumta me personalitete të tjerë, komunistët e shihnin  shtrembër. Gjatë luftës, ai kishte qëndruar neutral. As djemtë e tij nuk  i la të hidhnin armë krahut, as të merrnin pjesë në ndonjë betejë, por  dihej se lidhjet e tij shpirtërtore dhe miqësore ishin me nacionalistët,  me Ballin Kombëtar. Sidoqoftë ai e kishte mbajtur shtëpinë hapur edhe  për partizanët, prandaj ata as nuk e burgosën, as nuk e internuan pas  çlirimit. Aloja vazhdonte jetën e tij patriarkale në Kreshovën e vogël,  prej shtatëmbëdhjetë shtëpish, duke pritur e përcjellë miqtë e nderuar  si i pari i fshatit.  Skënder  Luarasi i dërgoi fjalë se donte t’i vinte për vizitë në shtëpi dhe  Aloja u përgjegj se do ta mirëpriste në çdo kohë që të vinte.  Shoqëruesit e tij komunistë besonin se Skënderi e kishte mik nga babai,  prandaj donte ta nderonte, po kjo nuk ishte e vetmja arsye. Patriotët  myslimanë e kishin mik për kokë Petro Nini Luarasin, e çmonin dhe e  mbronin, sepse ai ishte nga të krishterët e pakët që pati guximin të  hapte shkollat e para shqipe, duke iu kundërvënë dhespotit grek të  Kosturit, i cili e çkishëroi. I njohur për ndjenjat e tij patriotike, ai  gëzonte simpatinë dhe përkrahjen e gjithë atyre që kishin ndjenja  atdhetare.  Alo  Beu shtroi darkë të madhe, për njëzet e ca burra. Kryen e vendit ia  lëshoi Profesorit, si mikut më të nderuar, vetë zuri vend në krah të  tij, ndërsa më të rinjtë dhe shoqëruesit e deputetit pas tyre me radhë,  sipas pozitës dhe moshës.  Në  një hop kohe, kur sapo ishin ngritur dollitë e para, njëri nga të  rinjtë iu drejtua profesorit me lutjen: “O zoti kandidat për deputet, a  na lejon të këndojmë një këngë?” Skënder Luarasi, si kolonjar e dinte  mirë se kënga shoqëron çdo tryezë me pije dhe meze përpara, prandaj iu  përgjegj: “Si jo, kur të doni! Duhet t’u lutesha unë, ose zoti Alo se  kënga shton gëzimin e festës, po mirë që u kujtuat vetë.” “A t’ia marrim  asaj këngës së Safet Butkës?” Kërkesa qe provokuese, si për të zotin e  shtëpisë në tryezën e të cilit kishte edhe ish-ballistë, si për  profesorin, që e kishte patur Safet Butkën koleg dhe shok studimesh. Të  dy kishin studiuar në Grac të Austrisë dhe të dy ishin kthyer në  Shqipëri për të punuar në fushën e arsimit. Kënga satirike politike për  Safet Butkën  doli menjëherë pas vetëvrasjes së tij në  shtator të vitit 1943. Ajo do ta prishte atmosferën e unitetit që mtonte  deputeti, prandaj pyetjes iu përgjegj me pyetje: “Po pse asaj të  Safetit dhe jo asaj të Ganiut?” Sugjerimi qe këshillim, edhe qortim.  Ndërsa Safet Butka u vetëvra në teqenë e Melçanit, i rrethuar nga  komunistët, Gani Butka, vëllai i tij i madh, ra duke luftuar kundër  bandave rebele të Haxhi Qamilit në Pogradec më 1914, pra ishte dëshmor i  Rilindjes.  Të rinjtë e pranuan sugjerimin. Kur mbaroi kënga, Skënder Luarasi i drejtoi Alo Kreshovës  pyetjen:  “Po pse mor zoti Alo, pse, kur na erdhi i huaji te vatra nuk u ngritëm  të tërë si një grusht i vetëm për të mbrojtur atdheun, por u ndamë e u  përçamë ca andej e ca këtej?” Alo  Kreshova ishte plak i zgjuar. Pasi u mendua pak iu përgjegj. “Dëgjo  këtu, o zoti Skënder. Të ishte gjallë Petro Nini Luarasi dhe të na  thoshte këtej duhet të shkojmë, se kështu e do e mira e vendit, ne, dua  të them paria, do t’i vinim pas, se e dinim që e donte vatanin me  shpirt. Të qe gjallë Sali Butka dhe të na thoshte nga ç’anë duhej  shkuar, ne do ta kishim dëgjuar se e dinim që ishte patriot. Mirëpo të  dy ata i kishte ndjerë Zoti me vaft dhe nuk ishin mes nesh. Të ndodhej  këtu Skënder Luarasi dhe të na tregonte në cilën rrugë të shkonim, ne do  të mendoheshim pak, por gjene do t’i bindeshim se e dinim që edhe djali  në gjurmët e babait do të ecte. U ndodh këtu djali i Sali Butkës,  Safeti, ai na tha këtej e do e mira e vendit dhe ne i shkuam pas.”  Shpjegimi qe sa i thjeshtë aq dhe i vërtetë për parësinë e Kolonjës, të  cilët të mësuar të shkonin pas prijësave të njohur, nuk konceptonin  rrugë tjetër. Sapo erdhën në Kolonjë, dy emisarë të njohur, bij  patriotësh, si Prof. Safet Butka, i biri i Sali Butkës dhe Qazim  Prodani, djali i Zalo Prodanit, Balli Kombëtar pati rritje të vrullshme.  Dihej se Sali Butka, ashtu edhe Zalo Prodani kishin luftuar trimërisht  me çetat e tyre kundër andartëve grekë më 1914. Kurse lëvizja komuniste  në Kolonjë e Leskovik u ngrit dhe u organizua nga të deleguarit e  Qarkorit të Korçës. Udhëheqësit e krahinorit Josif Pashkoja dhe Petrit  Dumja, dy të rinj të panjohur, nuk gëzonin ndonjë farë prestigji në  popull. Krahu i  Ballit filloi t’i akuzonte komunistët e  Kolonjës në pikën më të dobët, se zbatonin urdhërat që merrnin prej  djemve të tregëtarëve dhe fajdexhinjve korçarë, të cilëve nuk mund t’u  besohej, se ata  si qytetarë nuk i dinin hallet e  fshatarëve dhe si gjithmonë do t’i gënjenin. Propaganda e tyre zuri vend  dhe lëvizja komuniste pësoi tkurrje, mbasi mjaft fshatra i prishën  këshillat e Frontit Nacionalçlirimtar. Meqë komunistët kishin çetë të  armatosur, edhe Balli Kombëtar armatosi ithtarët e vet, duke ngritur një  batalion. Debatet politike u ashpërsuan, hendeku u thellua dhe në gusht  të vitit 1943 ngjau përpjekja e parë vëllavrasëse. Nga historiku i  rrethit rezulton se betejat ndërmjet shqiptarëve, janë tre fish më shumë  se ato me pushtuesit. Humbjet nga të dy krahët qenë mjaft të mëdha,  hendeku i ndarjes mjaft i gjerë, ndaj Skënder Luarasi përpiqej të  mbylleshin sa më shpejt malcimet e trashëguara nga lufta.    VIZITË TE NJË FAMILJE NË ANËN E BALLIT KOMBËTAR   Ky  qëllim humanitar e nxiti të shkonte në Gostivisht dhe të shfaqte  dëshirën për të vizituar familjen N. Të rinjtë komunistë që shoqëronin  kandidatin për deputet si roje dhe si informatorë, i kujtuan se një  djalë i asaj familje ishte ballist dhe qe vrarë duke luftuar kundër  partizanëve. Duke besuar se kandidati për deputet nuk e dinte atë fakt,  ata e paraljmëruan se vizita do të binte në sy për keq. “E di, ua priti  Skënderi, por edhe ata i kemi votues, prandaj duhet t’i mbajmë afër.  Tani lufta mbaroi dhe ne duhet të përpiqemi si t’i shuajmë armiqësitë,  jo si t’i mbajmë ndezur. Sa më parë të pajtohemi me njëri-tjetrin, aq më  i fortë do jetë atdheu,” u tha shoqëruesve. Ata nuk e miratuan, por as  nuk mund ta ndalonin. Ai dërgoi lajm për vizitën dhe ditën e caktuar  zbriti në Gostivisht. Për habinë e të rinjve, nëna e djalit të vrarë  doli te porta me çember të bardhë në kokë, për të pritur kandidatin për  deputet. Pra jo vetëm që e prishi zinë, por e ktheu në dasmë, sepse pas  traditës, vetëm ditën e dasmës gratë e moshuara hedhin shami të bardhë  në kokë. Qëndrimi i tij pajtues binte ndesh me ideologjinë komuniste, që  po zhbinte armiqtë e deklaruar, ballistë e zogistë, kundërshtarët  politikë dhe ata që i damkoste reaksionarë. Në sytë e udhëheqjes  komuniste, deputeti i Kolonjës humbi shumë pikë me idetë e tij rilindase  dhe siç treguan faktet, ata përgjonin rastin për ta shkarkuar.  Dy  vjet më vonë, më 1947, Partia organizoi Konferencën e tretë e  Shkrimtarëve. Qëllimi ishte të shkarkohej Prof. Sefulla Malëshovën si  Kryetar i Lidhjes, pas përjashtimit të tij nga Byroja Politike dhe nga  posti i Ministri të Arsimit në kabinetin qeveritar. Sipas praktikës së  njohur, pjesëmarrësve iu kërkua të solidarizoheshin me referuesin, duke  goditur S. Malëshovën, mirëpo Dr. Ymer Dishnica deklaroi burrërisht se  nuk i hiqte asnjë presje parathënies së tij për librin “Vjersha” të S.  Malëshovës, ku ai e lavdëronte si poetin më të madh të kohës. Me të u  bashkua edhe Prof. Skënder Luarasi, duke argumentuar se Malëshova qe  njeriu më i përshtatshëm për postin e Kryetarit të Lidhjes. Të dy ata,  iu kundërvunë vijës së partisë, duke mbrojtur Malëshovën dhe  krijimtarinë e tij. Shevqet  Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Prof. Mark Ndoja dhe pasuesit e tyre e  kritikuan ashpër Prof. Sefulla Malëshovën dhe tok me të, edhe të dy  kokëfortët që e mbrojtën. Si përfundim Prof. Sefulla Malëshova, Dr. Ymer  Dishnica dhe Prof. Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja e  Shkrimtarëve, ndërsa Dhimitër S. Shuteriqi u zgjodh Kryetar në vend të  Sefulla Malëshovës. Pas  mbledhjes famëkeqe, Prof. Sefulla Malëshovën e transferuan në Patos të  Fierit, me detyrë magazinier te një depo me hekurishte. Në fakt e  internuan, sepse ishte i detyruar të paraqitej dy herë ditën, mëngjes e  mbrëmje, në postën e policisë. Dr. Dishnica u shkarkua nga posti i  Ministrit të Shëndetësisë dhe u dërgua mjek i thjeshtë në Spitalin Civil  të Tiranës, më vonë u transferua në Berat, ku punoi dhe jetoi deri në  fillim të viteve 90. Prof. Skënder Luarasin e emëruan  mësues në Shkollën Pedagogjike të Tiranës, duke e larguar përfundimisht nga Drejtoria e Teksteve në Ministrinë e Arsimit.  KRITIKA PËR PIKËPAMJE MIKROBORGJEZE  Pas  lufte, shumica e kuadrove të reja ishin me pozita, por pa arsim  përkatës, prandaj u pa e arsyeshme hapja e shkollave të natës. Natyrisht  edhe Shkolla Pedagogjike e Tiranës çeli klasat e mbrëmjes për ushtarakë  dhe civilë. Drejtoreshë Vangjelia, e   njohur si një nga  drejtueset më me autoritet në shkollat e kryeqytetit për zotësitë e saj  organizative, vigjëlonte për rregull dhe disiplinë. Skënder Luarasi pati  një përplasje të fortë me këshillin pedagogjik për shkak të një oficeri  që vinte rregullisht në klasë, por nuk qe i aftë të mësonte. Ai besonte  se diploma i takonte për merita lufte dhe mund ta merrte formalisht  edhe pa mësuar. Skënderi provoi disa mënyra për ta nxitur të mësonte,  por pasi e pa se qe e kotë, e këshilloi oficerin të mos humbte kohën kot  në shkollë. “Po çfarë të bëj, kur në ushtri nuk më mbajnë pa shkollë?” e  pyeti oficeri. “Mund të bëhesh çoban, të ruash dhëntë, ose lopët,”  erdhi përgjigjja nga mësuesi. Klasa u nemit. “Po, po, vazhdoi mësuesi,  çdo punë është më e mirë se sa të humbasësh kohën kot.” Oficeri u fye që  mësuesi po i sugjeronte të kthehej në origjinë, çoban dhensh a dhish,  ashtu sikurse kishte qenë para se të dilte partizan, prandaj iu ankua  drejtoreshës.  Vangjelia,  që mezi e priste një rast të tillë për të demaskuar pikëpamjet e mësues  Luarasit, menjëherë provokoi mbledhjen e këshillit pedagogjik. Nuk  përjashtohet mundësia që të kishte marrë udhëzime nga seksioni i arsimit  për trajtimin e kësaj çështjeje. Pritej që këshilli pedagogjik të propozonte përjashtimin e Skënder Luarasit nga detyra. Pas kritikave të renditura nga Drejtoresha, mësueset dhe mësuesit e tjerë e pasuan me zell, duke e akuzuar kolegun e tyre për pikëpamje mikroborgjeze. A nuk ishte skandaloze t’i thuhej një oficeri të ushtrisë popullore të linte kalemin dhe të mirrte kërrabën, se nuk ishte i aftë për shkollë? Në gjirin e tyre nuk kishte vend një mësues me koncepte mikroborgjeze. Kori i tyre qe i fuqishëm dhe të gjithë mendonin se vetëm autokritika e fortë mund ta shpëtonte mësuesin mëkatar. Me ato pikëpamje nuk e meritonte të qe edukator i brezit të ri.Skënderi  u ngrit dhe fjala e parë që tha qe: “Habitem kur dëgjoj se po  kritikohem për pikëpamje mikroborgjeze. Më duket se ato u përkasin juve,  jo mua. Po, është e vërtetë, unë i kam sugjeruar të bëhet çoban, të  ruajë dhëntë, a lopët, sepse atë detyrë e kundroj profesion të nderuar,  të barabartë me gjithë profesionet e tjera, kurse ju i paski ndarë në të  larta dhe në të ulëta. Çfarë të keqe ka qenia çoban,  a  nuk është punë e nderuar nga e cila shoqëria ka dobi?” Dhe vazhdoi ta  shpaloste mendimin e tij, sa atyre u vinte turp për akuzat e papjekura  që kishin shfaqur. Këshilli pedagogjik u shpërnda pa marrë asnjë vendim.  Skënder Luarasi, me zgjuarësinë dhe çiltërsinë e tij, kishte dalë  fitimtar mbi mediokritetin dhe konformizmin, duke ua kthyer akuzat mbi  kokë si bumerang.   PËRMBLEDHJA “MIGJENI”  Përjashtimi nga Lidhja e Shkrimtarëve nuk e pengoi Skënder Luarasin  t’u kushtohej aktiviteteve  letrare  që i pëlqenin. Ai qe shquar si përkthyes dhe si publicist, me artikujt e  tij nëpër gazeta e revista, duke filluar që nga revista e studentëve  shqiptarë në Austri, te “Vullnetari i Lirisë” në Spanjë dhe te botimet  periodike shqiptare. Skënder  Luarasi iu kushtua seriozisht botimit të plotë të veprës së Migjenit, i  cili deri në atë kohë njihej nga vëllimi i hollë me poezi Vargje të lira. Skënderi përmblodhi në vëllimin Migjeni edhe   skicat  në prozë dhe novelat e shpërndara në botimet periodike. Disa prej tyre,  si “A don qymyr zotni?” “Të hapen arkapijat,” “Studenti në shtëpi,”  trajtojnë  realisht aspekte nga jeta e qytetit të veriut në vitet 30, të cilat  lartësonin emrin e autorit dhe pasuronin letërsinë e varfër shqipe. Ato  krijime artistike meritonin të njiheshin nga brezi i ri.  Bashkëshortja  e Skënder Luarasit, Ollga, ishte motra e Migjenit, por jam i sigurt se  ai iu përvesh asaj pune jo për anë miqësie, por sepse  te  Migjeni shihte vlera të shëndosha letrare. Pasi e kompletoi  dorëshkrimin, e dorëzoi në Lidhjen e Shkrimtarëve. Sipas rregullit,  veprat para se të botoheshin duhet të miratoheshin  nga një komison ekspertësh.  Sikurse më ka thënë vetë Skënderi, disa muaj më vonë, ai u befasua kur e pa  librin “MIGJENI”  në  vetrinat e librarive me autor Gjovalin Luka. “Mund të kishim punuar  paralelisht, më tha Skënderi, pavarësisht nga njëri-tjetri, prandaj e  shfletova përmbledhjen me kujdes. Shkrimet, komentet, vërejtjet qenë të  miat, ndryshonte vetëm emri i përmbledhësit. Atëherë protestova në  Lidhje dhe në Ministrinë e Arsimit, e quajta përvetësim letrar, vjedhje,  por pa asnjë rezultat. Me sa duket Gjovalin Luka kishte marrë miratimin  e tyre për të vënë emrin e tij, me që emri im u vriste sytë, ose  ndoshta ma kishin hequr të drejtën e autorit pa më vënë në dijeni,” e  përfundoi komentin Skënderi. Skandali  për librin “Migjeni” u mbyll pa zhurmë, sikurse gjykoj tani, për shkak  të marrëveshjes në rang zyrtar, që vepra të mos botohej me emrin e tij. Ky  përvetësim skandaloz nuk ia theu aspak vullnetin Skënderit. Me  energjinë e tij të pashtershme, iu vu punës dhe hartoi një përmbledhje  më të plotë të veprave të Migjenit, të cilën e botoi disa vite më vonë.    PROFESOR LUARASI DHE REALIZMI SOCIALIST  Pas  atij skandali letrar për t’i dhënë sadisfaksion moral, apo për ndonjë  arsye tjetër, qëndrimi i ashpër zyrtar ndaj Skënder Luarasit, u zbut.  Ministri  i Arsimit, Bedri Spahiu, i njohur si njeri i rreptë dhe nursëz, e  thërriti në zyrën e tij Skënderin dhe e priti ngrohtësisht. E pyeti nëse  qe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. “Kam qenë para se të më  përjashtonin para dy tre vitesh,” iu përgjegj Skënderi. “A dëshironi të  bëni pjesë në të?” “Nuk besoj të më pranojnë,” u përgjegj kryelartë për  t’i treguar se nuk i bëhej vonë nga përjashtimi. Ministri e këshilloi të  shkonte në kryesinë e Lidhjes dhe të kërkonte me shkrim ose me gojë të  hynte sërish në gjirin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Skënderi  e kuptoi se për çështjen e tij, ai ishte marrë vesh me krerët e  Lidhjes, prandaj e pranoi sugjerimin. Ministri shtoi se e mira qe të  shkonte që atë çast. Skënderi u drejtua te Lidhja e Shkrimtarëve, në rrugën Hoxha Tahsin. Ngjiti shkallët dhe trokiti në zyrën e kryetarit. Po e prisnin Dhimitër Shuteriqi, me cilësinë e Kryetarit, Shevqet Musaraj, Sekretar i Përgjithshëm dhe Fatmir Gjata, sekretar i partisë për Lidhjen. E ftuan të ulej, por ai preferoi të rrinte në këmbë. “Shoku Skënder, ju keni shfaqur dëshirën të hyni në Lidhjen e Shkrimtarëve,” e hapi bisedën kryetari. “Po, ashtu më këshilluan,” erdhi përgjegja prej tij pa rrëfyer burimin. Kjo donte të thoshte se e kishin dërguar, mbasi ai vetë nuk e quante të nevojshme pjesëmarrjen në të. “Shoku Skënder, a mund të na thoni çfarë dini ju nga realizmi socialist?” e pyeti Fatmir Gjata. Pyetja e Fatmirit qe provokuese, me qëllim ta vinte profesorin në pozita poshtëruese, sikur ai kishte mbetur prapa kohës, me mësimet e shkollës borgjeze. Skënderi në çast iu përgjegj: “Po unë se s’di asgjë nga realizmin socialist, pa dua të hyj në Lidhje, përndryshe pse do ta kërkoja këtë?” Qe një përgjigje e hollë ironike, për të cilat Skënderi shquhej gjithmonë në debatet me kundërshtarët. Ato i kishte në majë të gjuhës, në çastet më kritike. Batuta e tij kaloi gojë më gojë dhe mbeti si një nga hazërxhevapet më të bukura të profesorit. Artistët shprehnin simpati për mënyrën elegante me të cilën profesori i kishte rrëshqitur përgjigjes. Kësisoj seanca e anketimit për realizmin socialist mori fund pa filluar. (Fund i pjeses I. Neser Pjesa II.) | 
DEMOKRAT I ANATEMUAR – PROF. S. MALËSHOVA 
Sefulla Malëshovën nuk pata rast ta takoja asnjëherë, por qëkur  lexova  poezinë “Si e dua Shqipërinë,” në antologjinë e klasës I të shkollës  unike, kisha simpati të madhe për të. Poezinë e mësova përmendësh, pa na  e dhënë  detyrë mësuesi. 
Më vonë, nga mesi i viteve ’50, dëgjova se  Sefulla  Malëshova ndodhej në Patos dhe punonte si magazinier te një nga depot e  ndërmarrjes së naftës. Këtë ma tha kunati im Dhori Çaushi,  i emëruar ndihmësmjek-dentist në Patos. Në fakt Sefullain e kishin  internuar  në Patos dhe sipas rregullit duhet të flinte në dhomë më vete, po për  ngushticë strehimi, e rrasën tok me 5-6 djem të rinj beqarë. Kjo ishte  një tjetër shëpërfillje për të. Flinin si në konvikt, me shtrate druri  ala-marinarçe, një poshtë, tjetri sipër. Dhori më tregonte se në stinën e  ftohtë të dimrit, profesori mbështillej me batanie dhe kërrusur mbi  shtrat lexonte ose shkruante. 
Në  periudhat e shkurtëra të zbutjes së luftës së klasave, Sefullai erdhi  disa herë në Tiranë për punë personale, sigurisht duke marrë lejë nga  Dega e Brendshme e Fierit. Zbutjet ishin si pranvera të hershme, të  cilat pasoheshin gjithmonë nga acare dimri më të hidhura. 
Një ditë, ndërsa ndodhesha përpara Liceut Artistik duke biseduar me Prof. Skënder Luarasin, pashë të  kalonte  te ana tjetër e trotuarit një burrë i moshuar, me ecje të qetë, paksa i  ngadalshëm, i përqëndruar, pa shikuar as majtas as djathtas. 
- E njeh atë burrë? – më pyeti profesor Luarasi.
- Më duket se jo, - i thashë. 
-  Profesor Sefulla Malëshova. – më tha ai. E thërriti me emër dhe  Sefullai ktheu kokën e përshëndeti me dorë, buzëqeshi hijshëm me  mirësjellje dhe vazhdoi rrugën e vet. – Në Tiranë ai u mënjanohet  takimeve se dyshon që e gjurmojnë. Tregohet i kujdesshëm, për të mos  vënë asnjeri në pozitë të keqe, - më tha ai. 
Prof.  Luarasi që shquhej për guxim qytetar, nuk druhej ta takonte e të  bisedonte me të internuarin Lame Kodra, pseudonimi letrar i S.  Malëshovës. Madje disa herë ngacmonte edhe kolegët e tij, që kalonin  pranë tyre dhe bënin sikur nuk i shihnin. “I dashur mik, a nuk po e njeh  Prof. Sefulla Malëshovën?” Paksa të turpëruar, kolegët i kërkonin të  falur, këmbenin dy fjalë formalisht dhe largoheshin me vrap, nga frika  se mos i shihte kush që po takoheshin me një person të damkosur nga  partia. 
Prof.  Sefulla Malëshova u përjashtua nga Byroja Politike qysh në vitin 1947, i  akuzuar si oportunist dhe properëndimor. Këto cilësime të PPSH janë të  mjaftueshme për ta ngritur figurën e tij në piedestalin e demokratëve. 
PARASHIKIM GJENIAL. Në Plenumin e Beratit tetor 1944,  Sefullai e kritikoi ashpër Enver Hoxhën për lëkundje të vijës së partisë midis  dy  ekstremeve, oportunizmit dhe sektarizmit. Vrasjet e kundërshtarëve  politikë nga njësitet guerrile a nga atentatorët, në rrugë e nëpër  lokale, të kryera  me urdhër të Partisë, ai i cilësoi akte  terroriste. Parrulla e përdorur prej tyre “në emër të popullit,” nuk  kishte asnjë bazë ligjore. Paralajmërimi i tij se po të  vazhdonte partia në këtë rrugë, do të katandisej në një grup vrasësish e kriminelësh,  të  cilat Enver Hoxha i servir si akuza te një nga veprat e tij, doli se  ishte parashikim gjenial, të cilin e vërtetoi koha. Ndërkohë Prof.  Malëshova po në vit bëri gabimin e pafalshëm taktik të propozonte  krijimin e postit të kryetarit të Partisë. Askush nuk mund ta  pretendonte atë post, veç Sefullait, që kishte të gjitha premisat e  mundshme në bagazhin e vet: aktivitet të gjatë patriotik që nga 1924 me  Fan Nolin, veprimtar i KONARE-së, (Komiteti i Çlirimit Nacional) e  krijuar në Vienë më 1925 nga emigrantët e majtë, universitar me diplomë,  pedagog filozofie në Bashkimin Sovjetik,  njohës i gjuhës ruse, aktivist me përvojë revolucionare, shkrimtar me krijimtari të pasur letrare e publicistike.  Kjo  iu duk sfiduese Enver Hoxhës, sepse detyrimisht sekretari do të  spostohej në plan të dytë, prandaj e hodhi poshtë si të panevojshme dhe  të parakohëshme.
Në  politikën e jashtme Sefullai tha se duhej mbajtur distancë e barabartë  midis Bashkimit Sovjetik, Amerikës dhe Anglisë, mirëpo vënia e Aleatëve  të Mëdhenj në të njëjtin plan, sfidonte Jugosllavinë dhe Bashkimin  Sovjetik, çka i dha rast  Enver Hoxhës ta damkoste si  oportunist. Në politikën e brendshme S. Malëshova kërkonte përkrahje për  zhvillimin e tregut privat, gjë që mjaftoi të kritikohej si liberal.   
Historikisht  të gjithë ata që guxuan ta kritikonin Enver Hoxhën në plenumin e  Beratit, e pësuan më vonë dhe u eliminuan njëri pas tjetrit nga  mjeshtri i “prapaskenave”  Enver  Hoxha. I pari e pësoi intelektuali Sefulla Malëshova. Për ta mënjanuar,  Enver Hoxha kërkoi përkrahjen e Koçi Xoxes, Pandi Kristos, Tuk Jakovës,  Kristo Themelkos, Gogo Nushit, Hysni Kapos, Manush Myftiut, njerëz me  shkollë fillore, ose të mesme, ose e shumta me një a dy vite arsim të  lartë. Kështu të pashkolluarit dhe gjysmë të shkolluarit, e hoqën qafe  me gëzim e lehtësim profesorin e nderuar, para të cilit ndiheshin të  bezdisur nga kultura dhe horizonti i tij. Kompleksi i inferiotetit mori  shpërblimin e merituar me përjashtimin e tij.
Pas përjashtimit nga Byroja Politike, filloi e tatëpjeta e përjetshme e  Prof.  Malëshovës. E shkarkuan edhe nga posti i Ministrit të Arsimit, madje  nuk e lanë as kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në gusht 1947, u  provokua Konferenca III e Lidhjes së Shkrimtarëve.  Dr.  Dishnicës iu kërkua të bënte autokritikë për parathënien e tij në librin  “Vjersha” të Sefulla Malëshovës ku ai i jepte atribute të çmuara si  poet e mendimtar. Ndryshe nga ç’pritej, Dr. Ymer Dishnica deklaroi se  nuk i hiqte asnjë presje parathënies që kishte shkruar. Kjo i zëmëroi  autoritet dhe si pasojë Sefulla Malëshova, e po ashtu Ymer Dishnica dhe  Skënder Luarasi që dolën në mbrojtje të tij, u përjashtuan nga Lidhja  dhe u hoqën nga detyrat që kishin. Sefulla Malëshovën e degdisën  (internuan) në Patos me detyrën poshtëruese magazinier te një depo me  hekurishte, Ministrin e Shëndetësisë Dr. Dishnicën e dërguan mjek të  thjeshtë në Spitalin e Tiranës,  pastaj e “transferuan” në  Berat, ku punoi gjithë jetën, deri sa u shemb diktatura, ndërsa Luarasin  e hoqën nga drejtoria e teksteve, pranë Ministrisë së Arsimit dhe e  emëruan mësues në Shkollën Pedagogjike. 
Në  Patos Malëshova qëndroi i internuar disa vjet, pastaj e transferuan në  Fier. Dy herë ditën, mëngjes e mbrëmje, duhet të paraqitej te Dega e  Brendshme në Fier, për të vërtetuar që ishte aty. Kureshtarët e shihnin  profesorin të kalonte para sportelit te dezhurni i Degës Brendshme, duke  ngritur dorën lart, si t’i thoshte: “jam këtu!” Ky ritual i  pandryshueshë
Shpesh  njerëzit pyesin si shpëtoi Sefullai? Si ngjau që Enver Hoxha nuk e  pushkatoi, madje as nuk e burgosi, ndërsa figura të tjera më pak të  njohura e më me pak peshë i capërleu? Përgjigja është e thjeshtë. Enver  Hoxha nuk shihte kurrfarë rreziku prej tij, as imediat, as në potencë,  mbasi Sefullai  ishte tip meditativ, i mbyllur në vetvete, njeri i letrave, pa shokë, pa shoqëri, i vetmuar si asket. 
PERKTHYES I TALENTUAR. Lame Kodra ka përkthyer poezi të zgjedhura nga një sërë autorësh me famë botërore,  “Ançari-n”  e Pushkinit, “Punëtorët e Avlemendit” të Heinrik Haines, “Mbreti i  Tulës” nga Gëte, tufë poezish nga Nekrasovi, prozë nga Bokaçio dhe F.  Argondica, dramën “Kopshti i qershive” të Çehovit, prozat poetike të  periudhës romantike të Gorkit, “Zgalemi” dhe “Stuhija.” Te prozat  poetike ai shpesh i nxierr  mbiemrat para emrave, “mbi të thinjin shesh të detit,” ose “si e zezë vetëtimë,” formë disi e huaj për natyrën  e gjuhës shqipe, por këtë e bën me qëllim  të ruajë  kadencën  dhe ritmin si në origjinalin rusisht. Thyerja e rregullit u jep  vargjeve bukuri dhe elegancë të veçantë pa krijuar kurrfarë disonance.   
“Mbi  të thinjin shesh të detit, era fryn dhe mblidhen retë. Midis detit edhe  reve, kryelartë shkon Zgalemi si e zezë vetëtimë. Prek me krahë ai  valët, si shigjetë ngjitet reve, dhe këlthet dhe retë gjegjin  gazin-klithmë të asaj shpese.” 
Në periudhën e zbutjes së tensionit,  në  kohën e Hrushovit, Malëshovës iu lutën të përkthente nga origjinali  dramën e Çehovit “Kopshti i qershive.” Ai e përktheu, por u zhgënjye keq  kur nuk e pa emrin e përkthyesit në frontespic. Protestoi te drejtoria e  Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri,” se e kishin mashtruar, se nuk ishte e  drejtë të mos figuronte emri i tij, por ankesa humbi si zë në  shkretëtirë, nuk u përfill. Duket se urdhëri për t’ia fshirë emrin,  kishte ardhur nga lart. Shtëpia Botuese iu lut të përkthente edhe vepra  të tjera, me kusht që të mos i vihej emri, por Lame Kodra, edhe pse  kishte kurdoherë nevoja të ngutshme të kompensonte rrogën e tij  qesharake si magazinier, nuk pranoi. Për të dinjiteti personal kishte më  shumë vlerë se shpërblimi material.   
RISIA QË PRURI MALËSHOVA. Në shtypin letrar shqiptar të viteve ’60-70 u ndez   një  diskutim interesant midis estetëve dhe kritikëve se kur e si filloi  realizmi socialist në Shqipëri, se kujt i takon nderi të jetë bartësi  apo nismëtari. Mendimi se themelet i vuri Migjeni,  u kundërshtua me argumentin se krijimtaria e tij artistike, nuk dilte jashtë  shtratit të realizmit kritik. Dhimbja, mjerimi e protesta ishin të modës në vitet ’30. As kryeveprat e Fan Nolit  “Anës  lumenjve,” “Marshi i Barrabait,” nuk u përshtateshin kallëpeve të  realizmit socialist. U permendën Qemal Stafa e Veli Stafa, këngët  partizane,  poema satirike “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Shevqet Musarait, por asnjë krijim nuk  përmbante  elementët bazë të realizmit socialist. Ndërkohë bartësin e vërtetë të  kësaj metode të re letrare, Sefulla Malëshovën, nuk guxoi ta përmendte  askush. Poezitë e tij të shkruara në prag të luftës dhe gjatë luftës dhe  të mbledhura në vëllimin “Vjersha” më 1945 çelën shtegun drejt metodës  së realizmit socialist, duke sjellë motive dhe një këndvështrim etik të  ri, pavarësisht se më vonë metoda degjeneroi duke u bërë shtesë e  politikës së partisë. Poezitë e Malëshovës  “Si e dua Shqipërinë” “Punëtori,”  “Si e dua Shqipërinë,”  janë modele të shkëlqyera të një konceptimi të ri për artin, nga këndvështrimi proletar. 
“S’kam çiflik, e s’kam pallate,
S’kam dyqan me katër pate,
Po e dua Shqipërinë, 
Për një stan në Trebeshinë,
Për një gardh e për një mur, 
............
Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mbi lëndinë, 
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëmb e gurgullon
Nëpër lisat gjethe-shumë,
Edhe zbret përposh në lumë...
Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhëmshëruar.
Vëreni sa bukur e jep portretin e dokerit  te poezia “Punëtori.” 
“Ku hamalli nëpër skela,
Ngarkon hekur e varela,
Këmbëzbathur bythëçjerrë
Punon vetëm për të tjerë.” 
Nuk  mungojnë as poezitë me motive shoqërore, të cilat shquhen për  muzikalitet me bukuri të jashtëzakonshme. Për këtë arsye ato mbaheshin  mend me lehtësi dhe recitoheshin nga njerëz  që as nuk e  dinin se të kujt ishin ato vargje. Njëherë, gjatë një stërvitje  ushtarake në vitet ’70, dëgjova një oficer të recitonte vargjet:
“Këmbëkryq përmbi selishte
Po nis këngën pleqërishte,
Ndez çibukun dhe kujtoj
Djalërinë që më shkoj.”
E pyeta nëse e dinte se të kujt ishin vargje. 
- Nuk e di, tha, por më pëlqejnë.
Nuk  e quajta të arsyeshme t’ia zbuloja autorin, se ndofta do të  skandalizohej, por u gëzova që poezia e Sefullait vazhdonte të jetonte  në formën e vargjeve popullorë, ose anomimë, e pëlqyer nga të rinj e nga  të moshuar.  
PARADOKSI:  Partia e eleminoi Sefulla Malëshovën duke e dënuar me vdekje civile të  ngadaltë, të harruar, të mënjanuar. Por krijimtaria e tij rronte. Në  mbyllje të çdo kongresi të PPSH, Byroja Politike dhe delegatët këndonin  bashkarisht “Internacionalen,”  e  poetit francez Eugjen Potje, përkthyer shqip nga liberal-oportunisti  Sefulla Malëshova. Internacionalja tingëllonte paradoksale në gojën e  komunistëve superdogmatikë shqiptarë, të vetëizoluar prej gjithë botës,  që bërtisnin vazhdimisht për bllokadë e rrethim të egër imperialisto-
Lame  Kodra me mendimet e tij demokratike, me krijimtarinë letrare, me  përkthimet e shkëlqyera, ka vendin e tij në historinë shqiptare, në  kulturën dhe në letërsinë shqipe.
Kujtime dhe kritikë letrare
KUTELI – MJESHTËR I FJALËS SHQIPE
            Shkrimtarët  e talentuar zbulojnë dhe ruajnë bukurinë e gjuhës amtare, vërteton  historia e çdo kombi. Lasgushi me të drejtë i quante shkrimtarët  “artistë të fjalës.” Një prej këtyre mjeshtërve të fjalës në letërsinë  shqipe, Kuteli, la pas një trashëgim të çmuar në prozë, në poezi, në  kritikën letrare dhe në letërsinë për fëmijë.
            Çuditërisht  Mitrush Kuteli nuk përmendet ndër autorët e letërsisë për fëmijë,  ndoshta për shkak të mungesës së vëmendjes nga studiuesit e letërsisë.  Duket sikur krijimet e tij për fëmijë janë eklipsuar nga veprat letrare  për të rritur, prozë e poezi.
KRIJIMTARIA E TIJ PËR FËMIJË. 
Në  mënyrë të thjeshtësuar krijimtaria e tij e kësaj fushe përbëhet prej dy  blloqesh. Në të parin hyjnë veprat e mirëfillta për fëmijë, ku renditen  respektivisht “Pylli i gështenjave” (1958), “Xinxifillua” (1962) dhe  “Tregime të moçme shqiptare” (1965),  ndërsa në të dytin tregimet e rrëfenjat me ngjarjet dhe kujtimet e  vegjëlisë së autorit, të shkruara midis viteve 1925-1944. Sadoqë këto  rrëfenja nuk janë shkruar posaçërisht për fëmijë dhe nuk u adresohen  atyre, ato gjenetikisht i përkasin atij trungu. Mitrush Kuteli ecën në  tragën e autorëve klasikë, Leon Tolstoi, Mark Twain, Alfons Dode, Maksim  Gorki, Turgeniev, Sadoveanu, etj, të cilët duke introspektuar  fëmijërinë e tyre, u zbuluan lexuesve një botë të mahnitshme, plot  njomështi e freski, duke ruajtur poetikën e papërsëritshme të moshës, të  kohës dhe të vendit të cilit i përkasin. “Lettres de mon Moulin” dhe  “Contes du Lundi” A. Dodeja nuk i shkruajti për fëmijë, se atëherë kjo  gjini ende nuk ishte ndarë më vete, por tregime si “Papa vdiq” dhe  “Mësimi i fundit” nuk harrohen kurrë pasi i ke lexuar njëherë. Letërsia e  mirëfilltë për fëmijë zuri vend në librat e leximit dhe antologjitë e  shkollave duke spostuar letërsinë didaskalike që zotëronte në botimet  shkollore. 
“NETË SHQIPTARE”   
Shkrimet  e bllokut të dytë u botuan herët, në një kohë kur letërsia për fëmijë  nuk ishte mëvetësuar, dua të them nuk veçohej nga letërsia për të  rritur. Madje asnjë nga librat klasikë për fëmijë të përkthyer e të  botuar gjatë pavarësisë si “Pinoku,” i Kolodit,  “Liza në  botën e çudirave” e Lewis Carrol, “Djemtë e rrugës Pal” e Ferenc Molnar,  etj., nuk përmbajnë qoftë edhe shënimin më të vogël se cilës moshe i  adresohen. Të drejtën e qytetarisë si gjini e veçantë për fëmijë, libri  artistik e fitoi shumë vonë, së paku tek ne. Si traditë, edhe në vendet e  tjera, kujtimet për fëmijërinë ose shkrimet mbi fëmijët u adresoheshin  të rriturve. “Tom Sojeri” dhe “Hekëlberi Fini” i Mark Twain u botuan jo  për fëmijët. Natyrisht edhe Kuteli nuk mund të vepronte ndryshe nga  parardhësit e njohur. 
Te  vëllimi i parë me rrëfime “Netë shqiptare” botuar në Bukuresht më 1938,  autori përmblodhi veprat e djalërisë, të shkruara midis viteve  1925-1930. Qysh atje  skicohet shtrati i temave të tij të  preferuara, qëndrimi ideo-emocional ndaj problemeve të botës shqiptare,  prirja ndaj gjuhës së folur dhe frazeologjisë popullore, interesi për  folklorin, mitologjinë dhe besëtytnitë. Struktura e vëllimit është mjaft  e thjeshtë. Secili nga të mërguarit rrëfen një ngjarje dhe kësisoj  jepet një tablo mjaft e gjerë historiko-shoqë
Skenat përshkruhen në mënyrë filmike, aq sa na duket sikur mërgimtarët i shohim ulur  rreth  zjarrit, duke ngrënë darkën e duke biseduar. Ndiejmë afshin e zjarrit  që u përskuq fytyrën dhe një afsh tjetër më të fortë e më të thellë,  afshin shpirtëror për vendlindjen në atë tokë të huaj. Duket si një  ishull shqiptar që vegjeton këmbëngulshëm ndaj asimilimit e shpërbërjes.  Në atë rreth shoqëror çdo gjë është pjesë e pandarë e botës shqiptare,  gjuha, zakonet, mënyra e të ndenjurit pranë zjarrit, psikologjia e  personazheve. Të krijohet mbresa se autori ka qenë vetë midis tyre,  mërgimtar si gjithë të tjerët, ose udhëtar që e  ka shpënë rruga rastësisht, i ftuar nga bashkëpatriotë
Nga  kjo përhumbje e këndshme na zgjon po vetë autori me shënimin “kujtim  fëmijërie” nën titullin “Xha Brahoja i Shkumbanores.” Këtu është autori  që rrëfen ngjarjen duke i dhuruar letërsisë shqipe një nga tregimet më  tronditëse për plagën e rëndë të mërgimit. Kuteli e trajton problemin në  plan moral, çka na befason edhe sot nga mprehtësia dhe thellësia e  këndvështrimit, duke na sjellë dy botë me mendime të kundërta që doemos  do të përplasen. I ndërtuar mbi kontraste të forta midis botës  patriarkale të brezit të vjetër dhe shthurjes morale të brezit të ri, i  mbrujtur me lirizmë e dhembshuri, tregimi shënon një nga kulmet e  krijimtarisë së Kutelit.
Afeksioni  i autorit është tërësisht në anën e Xha Brahos, mullisit plak, i cili  pret me mall kthimin e të birit nga mërgimi. Ai e sheh Qamilin si  shtyllën e vetme të shtëpisë, si mashkullin që do të sigurojë  vazhdimësinë e fisit, si shpresë për mirëqenien e familjes, përmirësimin  e gjendjes ekonomike dhe rindërtimin e mullirit të plakur si i zoti.  Qamili vjen për të zhgënjyer të atin përfundimisht dhe për t’i hapur  plagë më të thella se të parat. Nga Evropa e qytetëruar Qamili kthehet  kumarxhi, alkoholist dhe lapërdhar. Ai nuk ka forca të dalë nga rrethi  vicioz i veseve të këqia që ka përvetësuar dhe për më tepër, synon ta  vazhdojë atë mënyrë jetese edhe në vendlindje. Rruga më e lehtë për të  siguruar të hollat, - shitja e mullirit, prandaj ushtron presion mbi të  atin. Xha Brahoja, afërmendsh, nuk pranon, mbasi e ka të vetmen  mbështetje për të përballuar jetën. Shitja, a humbja e mullirit, do të  ishte vdekje për të, prandaj, sado me dhembje, e arrnis të birin. Pas  kësaj ndarje, ndihet disfata e afërt. Forcat e errta të natyrës e  rrezikojnë mullirin. Skenën e shohim me sytë e fëmijëve. Xha Brahoja,  besnik i një bote ngarkuar me paragjykime, mundohet ta presë rrebeshin  duke zbrazur dyfekun drejt qiellit, por mbasi e sheh se furia e natyrës  vazhdon njëlloj, futet mes valëve të egërsuara të mbrojë mullirin me  trupin e tij. Mundim i kotë. Mulliri shëmbet dhe në kujtesën tonë  tingëllon thirrja e hidhur e fëmijëve: “Obobo, o xha Braho!” ndërsa në  imazh na mbetet figura e një plaku mjekërbardhë që duket e zhduket midis  valëve. 
MJESHTËR QË RREZATOI NDËR BREZAT E ARDHSHËM 
Sa  herë lexojmë tregimet e para të Kutelit, mahnitemi nga bukuria  stilistike dhe gjuhësore, nga magjia e tingullit të fjalës shqipe, nga  qartësia dhe muzikaliteti i saj. Në këtë anë ai rrezatoi me mjeshtërinë e  tij te brezat e ardhëm të shkrimtarëve, duke pasur ithtarë besnikë,  ndër të cilët kritikët renditin Jakov Xoxën, Sotir Andonin dhe autorin e  këtyre radhëve në fillimet e krijimtarisë së tij letrare.
Po  marrim një pasazh nga tregimi i lartpërmendur për të ilustruar  harmoninë midis mendimit dhe fjalës, renditjen e fjalive me kadencë  muzikore e mbi të gjitha ndërtimin e përkryer sintaksor brenda natyrës  së gjuhës sonë. “S’di se qysh, besa, por edhe sot e kësaj dite–pas një  gjëme mërgimi–kur i kujtoj gjithato vise: mullirin e vjetër të  Shkumbanores të kërrusur ndën hijen e arrës, myshkyn e gjelbër të remës,  shkumbën e bardhë si dëbora dhe ujin e rrahur të pendës që e pinim e  nuk ndienim të nginjur, vjen e më rëndon në shpirt një mallëngjim i  vogël, pa krye e pa fund.”
Mendimi  kryesor që do t’i përçojë autori lexuesit, është ndjenja e mallit e  sigurisht mund ta thoshte më shkurt, mirëpo ai me qëllim ta mbajë  vëmendjen tonë më gjatë mbi objektin kryesor, e fokuson vështrimin te  mulliri duke na dhënë një sërë detajesh, që do të kenë zhvillim të  mëtejshëm gjatë shtjellimit të subjektit. Stilistika këtë lloj  përshkrimi e quan retardacion, ose vonesëzim, po qe do të  krijonim një kalk shqip. Vonesëzimi a ngadalësimi është e kundërta e  përshpejtimit dhe kombinimi midis të dyjave krijon ritmin e brendshëm të  prozës, i cili nuk vihet re lehtësisht si në poezi, por gjithsesi  ndihet.  Te ky pasazh, ndajshtimet e futura me mjeshtëri nga autori, krijojnë  një imazh të gjallë, gjithë ngjyra e lëvizje për të konkretizuar  ndjenjën e mallit, duke na dhënë cilësimet më shprehëse.
Muzikalitetin  e frazës shkrimtari e arrin me fjali të përbëra secila me nga pesë  fjalë, të alternuara me fjali dhjetë fjalëshe, të cilat ruajnë bukuri  poetike pa rënë në shtratin prokust të poezisë. Ai e ndien ritmin e  brendshëm të prozës në mënyrë intuitive, ndryshe nuk kishte pse të  shkruante në fjalinë e parë një ndajshtim bisedor, sikurse “besa,” që  mund të mos ishte, sepse nuk shton asgjë, por nga ana tjetër tamam kjo  fjalë i jep frazës së tij ngjyrën e dialogut, duke e siguruar lexuesin  me besë, se ka qenë pikërisht ashtu e jo ndryshe, e njëheresh ruan  muzikalitetin dhe ritmin e fjalisë në harmoni me gjithë ndërtimet që  vijnë më pas.
DËSHMI ETNOGRAFIKE E ÇMUAR
Kuteli  e ndien rrezikun e monotonisë dhe të shtampimit, prandaj ndërton e  përdor masa të tjera duke ruajtur gjithmonë harmoninë dhe ritmin e  brendshëm, pa mbetur skllav i një skeme të vetme. Mbaj mend një sentencë  nga Mitrush Kuteli: “Poezia është e bukur vetë, ndërsa proza duhet bërë  e bukur, prandaj është e mundimshme.” Nuk e di nëse sentencën e kishte  të huajtur nga ndonjë estet, por unë besoj se përkufizimin e kishte  nxjerrë nga përvoja e vet letrare.
Te  vëllimet e mëvonshme kujtimet e vegjëlisë dhe imazhet me skenat e  fëmijërisë do të zenë një vend më të madh. Disa prej tyre nuk janë  tregime, në kuptimin që ka marrë fjala sot, por skenëza nga jeta e  fëmijëve të një fshati me fizionomi të veçantë, me gjolin e me pyje  gështenjash pranë, që edhe pa ia përmendur emrin, kuptohet se flet për  vendlindjen e tij, Pogradecin. Rrëfimet përgjithësisht nuk kanë subjekt,  aty nuk zhvillohet ndonjë ngjarje, por ato pasqyrojnë besnikërisht  kohën e fëmijërisë së autorit, besëtytnitë, ritet e festave pagane, të  cilat të gjitha bashkë sot përbëjnë një dëshmi etnografike të çmuar.
Mitrush  Kuteli e pikturon me ngjyra të gjalla jetën te rrëfenjëzat “Për  kumbulla,” “Papu,” “Vendosa të shkoj në kurbet,” “Unë, Çuli dhe  Marinëza,” “Rusa Papusa,” “Bobolja” etj. Nga detajet e dhëna kuptohet se  autorit, duke i kujtuar larg vendlindjes, i fërgëllon zemra nga  nostalgjia për atë lloj lumturi rustike. Bota e fëmijëve gëlon e gjallë  mes dyndjeve të ushtrive të huaja, mes dhunës e pasigurisë, duke mbetur  si oaz i vetëm ku shpresa, gëzimi e optimizmi ruhen të paprekura.
Kuteli  pohon se lumtëria e kishte cakun të njëjtë me moshën e fëmijërisë në  kohën e tij. Sapo dilnin nga ajo periudhë, do të provonin mbi kurriz  hallet e jetës, mërgimin në dhera të largëta, punën e rëndë, shegertin e  përulur, padrejtësitë shoqërore, dhunën e të fuqishmëve. 
Rrëfenjëza  “Vendosa të shkoj në kurbet” tregon si pasqyrohen hallet dhe  shqetësimet e të rriturve në shpirtin dhe psikologjinë e fëmijëve. Në  këtë rrëfenjë, fëmija tetë-vjeçar që do të shkojë në kurbet, ndien  dhembje në shpirt se duhet të ndahet prej shoqes së tij të lodrave, nga  Marinëza e bukur. Disa detaje që kritika e cekët i cilëson si  erotizma  të parakohëshme e të pajustifikuara, brezi i moshuar që ka njohur  plagën e mërgimit midis dy luftërave botërore, i kundron realiste, pjesë  përbërëse të jetës. Në fshatin tim, fëmijët ndërtonin planimetri  shtëpish me zaje lumi a guriçka dhe luanin “mikezira” (vizita miqsh).  Djali dhe vajza që luanin rolin e  të zotërve të shtëpisë  nënkuptoheshin si bashkëshortë, që imitonin ceremonialin e qerasjes së  miqve. Ajo ishte lojë dhe njëkohësisht edukim për sjellje etike. 
 Te  “Papu” dhe “Bobolja” vizatohen njerëz altruistë, të cilët duke ndërtuar  me duart e tyre vepra publike, si çezma, ura, ose rrugë në vende të  thyera a midis shkëmbinjve, lenë pas kujtime të mira dhe emrin e tyre.  Të tilla dëshmi filantropike gjenden anë e kënd vendit tonë. Kjo traditë  e trashëguar nga kohët pagane, u përvetësua nga besimet fetare në  formën e porosive etiko-morale të pëlqyera nga Zoti.
Te  “Hanet e karvanet” përftohet mbresa sikur autori ekzalton karvanet në  kohën e automobilit, sikur ka nostalgji për ta, ndaj e sheh qytetërimin  me neveri. Ky gjykim do të ishte sa i çalë, aq edhe i padrejtë. Kuteli e  shkroi tregimin në vitin 1943, pas tragjedisë që i ndodhi në familje.  Fashistët italianë i vranë babain dhe ia dogjën shtëpinë në Pogradec.  Gjendja psiko-emocionale e autorit s’kishte si të mos ishte e rëndë tek  shihte të vozitnin nëpër arteriet e atdheut kamiona ushtarakë italianë,  autoblinda dhe tanke me zinxhirë, çka e shtyn autorin të shpërthejë me  duf: “Haneve u ra zjarri i llatinit dhe vreshtave sëmundja. Sepse qëkur u  hap rruga me rrota dhe qëkur zbriti llatini këmishëzi e shpirtdreq, me  qerre e hekura, u mbush vendi me kujë e vaj...” Njëlloj si arbëreshët  edhe Kuteli italianët i quan llatinë.
Në  rrëfimet e tjera ka vizatime të larmishme të botës shqiptare në  kapërcyell të shekujve XIX-XX. Zotëron tema e luftës për liri e  pavarësi, përpjekja për të mbrojtur nderin, pronën dhe dinjitetin  personal nga dhuna e bejlerëve dhe agallarëve të mbrujtur me moral  otoman.
Te  Kuteli ndihet e fuqishme protesta kundër feudalizmit dhe përfaqësueve  të tyre, bejlerëve të vendit, që s’ka të krahasuar me asnjë autor tjetër  të Pavarësisë. Ajo është britmë e mprehtë dhembjeje që i del nga çdo  qelizë e trupit, protestë qytetare për gjithë të këqiat që ka pësuar  shtresa e zanatçinjve dhe e fshatarëve nga arroganca e dhuna e tyre.
Në  rrëfimet e tij, M. Kuteli e ka sjellë botën shqiptare ashtu siç qe. Aty  gërshetohen e bashkëjetojnë për bukuri epizmi dhe lirizmi, teosofizmi  dhe mitologjia. Lugetërit, djajtë, kanxhallozët, hijet, yshtjet,  magjitë, janë të pranishme në kozmosin kutelian dhe ai e pikturon  besnikërisht, ashtu sikurse gjallonte e trashëguar nga kohët më të  lashta. Autori shpesh mjaftohet ta shprehë qëndrimin ideo-emocional me  ironi, me një buzagaz përdëllimtar, shprehje e karakterit të tij.
Te tregimi “Kryengritje për lugat” ai rrëfen se bota shqiptare filloi të  ndahej  nga paragjykimet dhe besimet e kota në vitet ’30, për hir të mendimit  shkencor që çante rrugë me përfaqësuesit e vet, sikurse Çuni i Qipros.  Djaloshi pohon haptas mendimet e veta, edhe pse merr mbi vete mërinë e  të tjerëve, madje e quajnë shkaktar për fatkeqësitë e rastit a të  fenomeneve të natyrës.      
Kuteli  sjell përfytyrimin e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë fshatarë për  Zotin. “...Perëndia ishte një plak i lashtë, i plotë nga shtati që  rrinte diku atje lart këmbëkryq e qepte me gjëlpërë shajak të bardhë...”  Sipas konceptit rustik, as Zoti nuk mund të rrinte pa punuar. 
Në tregimet e Kutelit fshihet me mjeshtëri kufiri midis autorit dhe rrëfimtarit, sa  nuk  dallohen. Atij i vjen kurdoherë më mbarë ta rrëfejë ngjarjen vetë,  madje edhe kur e vë rrëfimin në gojën e një personazhi, edhe atje ai  është “rrëfimtari,” që ruan të njëjtin intonacion, konceptim, botëkuptim  duke përdorur të njëjtat mjete stilistike. 
Frika se mos po harronte gjuhën e se mos nuk po shprehej shqip,  e  zuri autorin qysh kur ishte në mërgim. Ai pohon: “duke jetuar larg  Shqipërisë, po ndiej dendur e me dendur qysh kuvendi e pena më rëndohen  fort e më fort.” (Netë Shqiptare “Shpjegim për lëçitësin, f.  178). Ka të ngjarë që frika e shtyri të punonte me durim për ta mësuar  sa më mirë gjuhën, duke i vënë veshin gjuhës së folur, frazeologjisë
Kuteli  i ka shprehur pikëpamjet e veta rreth konceptit të gjuhës me pohimin:  “mua më duket se vdekja e një shkrimtari si shkrimtar, fillon atëherë  kur pushon të flasë me vetveten në gjuhën e tij. Nis atëherë përleshja e  shprehjeve dhe veshja e mendimeve me petka të huaja–ose me petka  balashe–të cilat ai vetë, i errësuar nga pikëpamja e gjuhës, s’ka qysh  t’i dallojë se janë të huaja.” (Sulm e lotë, f. 23).
Tregimet  me kujtime nga fëmijëria lexohen me ëndje, mbasi sjellin skenëza jete,  përshkrime ritesh e lodrash. Ato kanë vulën e kohës, janë të sinqerta,  ekspresive dhe sot përbëjnë dëshmi etnografike me vlerë për disa rite  pagane popullore të lëna mënjanë.
Pas  lufte Dhimitër Paskoja ishte nga nismëtarët për krijimin e Lidhjes së  Shkrimtarëve dhe veprimtar i shquar i revistës letrare “Bota e Re,” 1945-1947. Në faqet e saj u botua “Vjeshta e Xheladin beut,” një nga  tregimet e tij më të bukura, që pati jehonë të favorshme ndër rrethet  letrare. Autori e fokuson problemin te shthurja morale e klasës së  bejlerëve, te humbja e virtyteve, të cilat shpien në drama të rënda  familjare. Protagonisti përfundon me krizë psikologjike; ai çmendet kur  zbulon se ka dashur të përdhunojë vajzën e vet, fund krejt i natyrshëm,  larg kërkesave dogmatike të realizmit socialist.
Përjashtimi  i Sefulla Malëshovës nga Byroja Politike më 1947 u pasua edhe  shkarkimin e tij nga posti i Ministrit të Arsimit dhe kryetar i Lidhjes  së Shkrimtarëve. Pushkatimi i S. Totos me dhe i një sërë intelektualësh  të tjerë, dënimi i deputetëve të quajtur oportunistë, kishin krijuar një  klimë të ashpër mbushur me frikë e dyshime. Me urdhër të partisë u  mblodh Konferenca e III e Lidhjes së Shkrimtarëve, me qëllim të  përjashtonte Sefulla Malëshovën nga Lidhja.  Dr. Ymer  Dishnica nuk pranoi të bënte autokritikë për parathënien me nota të  larta lavdëruese të librit “Vjersha” të Lame Kodrës (pseudonim i S.  Malëshovës), përkundrazi me guxim qytetar e burrëri deklaroi se nuk u  hiqte asnjë presje atyre që kishte shkruajtur. Ymer Dishnica dhe Skender  Luarasi që mbrojtën Sefullahun, u etiketuan pasues të tij dhe u  përjashtuan nga Lidhja. Kryesia kaloi në duart e atyre që gëzonin  besimin e udhëheqjes. Ndërkohë Dhimitër Paskoja, ish drejtori i Bankës, u  burgos për shkak se kundërshtoi konventat skllavëruese midis Shqipërisë  dhe Jugosllavisë. U lirua pa e kryer plotësisht dënimin, pas demaskimit  të Titos dhe udhëheqjes jugosllave nga Bashkimi Sovjetik, se kishin  shkarë në pozita nacionaliste, (korrik 1948). Shpejt Tirana u prish me  Beogradin.  
Byroja  Informative që zëvendësoi Internacionalen Komuniste, nisi të botonte  gazetën me titullin kilometrik “Për një Paqe të Qëndrueshme – Për një  Demokraci Popullore.” Gazeta shtypej në Pragë anglisht, rusisht,  frëngjisht, italisht dhe në gjuhët e demokracive popullore, rumanisht,  çekisht, polonisht, hungarisht, etj., me përjashtim të shqipes.  Diskriminimi ndaj PKSH dukej qartë, por udhëheqja shqiptare e kapërdiu  poshtërimin duke vendosur ta përkthente komplet gazetën dhe ta ribotonte  në Tiranë. Dhimitër Paskoja u emërua në ekipin e  përkthyesve të asaj gazete. 
Firma  e Kutelit si shkrimtar, humbi disa vjet me radhë, pa ndonjë vendim  gjyqi a dekret. E drejta e botimit hiqej nga zyra e shtypit pranë K.Q.  duke u dhënë urdhër gojor organeve të shtypit të mos pranonin shkrime  nga i anatemuari. 
Në  rrethet partiake letrare Dhimitër Paskoja akuzohej si shqiptari i vetëm  që kishte kryer mëkatin e pafalshëm të luftonte kundër Ushtrisë  Sovjetike në frontin e Lindjes. E vërteta është se ndërsa ndodhej në  Bukuresht, e mobilizuan padrejtësisht, por ai asnjëherë nuk kapi armë me  dorë. Dhimitri shërbeu në prapavijë, nozullim, e cila kishte detyrë të  furnizonte ushtrinë me ushqime. U kthye në Shqipëri pas një rruge të  mundimshme. Vrasja e të atit dhe djegia e shtëpisë nga italianët lanë  gjurmë të thella në shpirtin e tij. Njeri me bindje antifashiste,  qëndroi mënjanë luftës, duke u marrë me studime letrare dhe ekonomike. U  bashkua me Lëvizjen në vjeshtën e ‘44, mori pjesë në mbledhjen e  Këshillit NAÇL në Berat, ku u formua qeveria demokratike shqiptare. Për  një kohë të shkurtër shërbeu edhe si këshilltar i Ministrisë së  Financave. Sipas dekretit të qeverisë, të gjithë ata që dolën malit,  qoftë edhe një ditë para 29 Nëntorit 1944, nderoheshin me Medaljen e  Çlirimit. Pati njerëz që e morën edhe me mashtrime, ose kot.  Nuk  di t’i jetë akorduar ndonjë medalje e tillë Dhimitër Paskos, madje  pjesëmarrja e tij në radhët partizane nuk përmendej kurrë. Veç  armiqësisë politike, të rritur artificialisht në shkallë të lartë nga  kolegët e tij, Kutelin e mënjanuan nga sfera letrare ambiciet dhe zilitë  e forta brenda Lidhjes. 
(Fund i pjeses I)
Kujtime dhe kritikë letrare
KUTELI – MJESHTËR I FJALËS SHQIPE
(Pjesa II)
KTHIMI NGA LETËRSIA PËR FËMIJË
Dhimitër  Paskoja punoi me përkushtim vite me radhë, në redaksinë e përkthimeve  te Shtëpia Botuese “Naim Frashëri.” Ai i fali letërsisë shqipe disa nga  kryeveprat e letërsisë botërore si “Shpirtëra të vdekur” të Gogolit,  “Tregimet e një gjahtari” të Turgenievit, “Vajza e Kapitenit” e  Pushkinit, “Tregime të zgjedhura” nga shkrimtari klasik kinez Lu Sin,  trilogjinë e Gorkit, novela nga Sadoveanu, poezi nga Eminesku dhe nga  një sërë autorësh të tjerë. 
Puna  me normë ishte rraskapitëse, por ai me durim dhe këmbëngulje e  plotësonte e ndërkohë vazhdonte edhe punën e tij krijuese letrare për  romanin “Në një cep të Ilirisë.”  Mitrush Kuteli renditet  ndër përkthyesit më të suksesshëm të pasluftës së bashku me Sotir Cacin,  Vedat Kokonën, Skender Luarasin, Bujar Dokon, Petro Zhejin, Spiro  Çomorën, Robert Shvarcin, Jorgo Bllacin, Halit Selfon, të cilët e  pasuruan traditën e krijuar nga Fan Noli dhe Konica.
Mitrush  Kuteli i ktheu sytë nga letërsia për fëmijë, si fushë ku mund ta  siguronte më lehtë të drejtën e botimit. Vepra e tij e tij e parë “Pylli  i gështenjave” u botua më 1958, çka na lejon të arrijmë në përfundimin  se iu deshën më shumë se dhjetë vjet që t’i dilte emri në vetrinat e  librarive.
Poema  hapet me parathënien e autorit për dobinë e pyjeve. Poema s’ka bosht  ngjarjesh, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por autori ka ditur ta  ndërthurë me pasazhe historike. Pyllin e gështenjave ai e shihte si  stoli të rrallë të natyrës fizike të Pogradecit, pa përmendur vlerat  ushqimore e drusore, prandaj atij i dhemb zemra nga dëmtimet që i  shkaktuan pushtuesit. Në tri këngët e para uniteti ruhet me anë të  personifikimit të gështenjës, ndërsa dy të fundit qëndrojnë paksa të  veçuara. Autori e ka ndërtuar poemën në bazë të modeleve të këngëve të  vjetra, shartuar me këngët rituale të fëmijëve. Hasen shpesh  prapashtesat zvogëluese me -zë, -za, -thë dhe -ë, duke i kthyer fjalët  nga paraoksitone në preparaoksitone si dallgëtë, gështenjëza, gjumëthin, të ëmbëlthin, liqenitë, për t’i dhënë vargut muzikalitet. Duket sikur Kuteli përpiqet të  rindërtojë tiparet e lashta të gjuhës shqipe, e cila dikur ka patur  theksa muzikorë, ndërsa theksat tonikë janë dukuri e vonshme. Natyrisht  Kuteli e dinte këtë tezë të shfaqur e të përkrahur nga disa albanologë  të shquar. Sidoqoftë tradita popullore i ka ruajtur prapashtesat zvogëluese te  “britmat,”  sikurse i quan Kuteli këngët rituale të fëmijëve. Ja dy shembuj: “Pty,  ty, ty, legëza,/ vajta për purtekëza,/gjeta zogjtë e malitë,/ia ngarkova  kalitë,”  ose te kënga humoristike “Cili, vili,  vilëza,/kush pret motovilëza,/i vdes gruaja dhe fëmijëza...” Te ky  vëllim gjinden edhe disa poezi të bukura për luftën e njeriut me  natyrën, si “Peshkatari” dhe një peisazh lirik për vendlindjen “Ndajnatë  në Poradec.” 
Kuteli arriti lartësi të lakmueshme letrare duke ritreguar, më sakt rikrijuar, motive të foklorit.  Këtë  rrugë ai e nisi herët, qysh te “Netë shqiptare” me rrëfimin për Bendo  Shapërdanin, luftëtar komit kundër Turqisë, për t’iu kthyer më vonë te  “Xinxifillua” me pjekuri më të madhe letrare. Te ky vëllim ai qëmtoi  përralla popullore dhe i ritregoi për t’i bërë të kuptueshme dhe të  asimilueshme për fëmijët. Mënyra limpide e rrëfimit, pasuria e madhe  leksikore dhe frazeologjike, mesazhet e qarta që përcjell, e bënë  “Xinxifillon” një nga librat më të dashur jo vetëm për fëmijët. Kjo i  dha krahë autorit të vazhdonte rrugën e filluar me një ndërmarrje sa të  vështirë, aq dhe fisnike, duke kthyer në prozë disa nga epet më të  bukura të Ciklit të Kreshnikëve dhe të këngëve arbëreshe për  Skënderbeun,  të cilat i botoi te vëllimi tashmë klasik “Tregime të moçme shqiptare.”  Autori shprehet: “Aty bashkohen në një njësi të plotë epika dhe lirika,  humori dhe tragjedia, tregimi dhe përshkrimi e dialogu, mençuria e  madhe e popullit, trimëria dhe qëndresa e fortë në çaste vështirësie.” 
Te  të dy qerthujt ai sheh të derdhura në poezi anët artistike të shpirtit  të popullit gjatë shekujve. I vetëdijshëm për barrën e rëndë që ka marrë  përsipër, ai e mban në dorë veprën disa vjet duke e ripunuar  vazhdimisht, madje dhe kur e dorëzon për botim shprehet me drojtje: “të  kthesh këngën në tregim është gati e pamundur, njësoj si të përpiqesh të  ngjeshësh tërë pranverën brenda në trastë.”
Megjithatë  ai i doli mbanë asaj pune të vështirë, duke u falur lexuesve ajkën e  folklorit, trashëgimin artistik të shpirtit të popullit. “Tregime të  moçme shqiptare” lexohet  me ëndje nga të vegjël e të  rritur, duke mbetur si model e pikë referimi për përpunimin e epeve dhe  të mitologjisë sonë, dëshmia më e lashtë e identitetit tonë kombëtar.  Synimi i tij ka qenë modest, t’i njihte fëmijët me bukurinë e folklorit  që t’i nxiste të lexonin foklorin origjinal, sapo të kapërcenin  vështirësitë dialektore të gjuhës. Mirëpo me punën dhe talentin e tij,  ai shkoi përtej synimit fillestar.
Kuteli  i mbetet besnik subjektit të këngës, rapsodisë a baladës, respekton me  përpikmëri ndërtimin kompozicional, ruan radhën e episodeve, karakteret e  personazheve dhe asnjëherë nuk i shton diçka nga vetja mesazhit a idesë  që ngërthehet në to. Megjithatë, po të krahasojmë dy vëllime të afërta  nga tema dhe përmbajtja, sikurse “Tregime të moçme shqiptare” dhe  “Trimat e Jutbinës” do të vëmë re ndryshime të theksuara. Arif Gjyli te  “Trimat e Jutbinës” i ktheu rapsoditë e kreshnikëve në prozë, me një  lloj konvertimi mekanik, ad literam, ose fjalë për fjalë, ndërsa Kuteli  tek “Tregime të moçme Shqiptare” kryen konvertim artistik, duke mbushur  boshllëqet me sensin prej prozatori me përvojë dhe kapërcimet që janë  karakteristike për krijimtarinë gojore, duke ndërhyrë me pasazhe të  kursyera, por të domosdoshme aty ku ia diktonte intuita artistike. Ai  arriti të jepte edhe në prozë–çka është e admirueshme–bukurinë artistike  të poezisë. “Tregime të moçme shqiptare” renditet ndër vëllimet më të  mira të trashëgimisë artistike gojore të popullit, një majë e cila është  vështirë të arrihet dhe ca më e vështirë të kapërcehet. 
NJOHJA ME KUTELIN
Si  autor Kutelin e njoha herët, qysh më 1945-46, kur lexova vëllimin e tij  me tregime “Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera” dhe novelën “Fshati im e  pi rakinë.” Atë kohë vazhdoja shkollën unike dhe interesi për librat më  ishte rritur falë disa shokëve të mi që kishin trashëguar libra nga  prindët e tyre. Zakonisht librat bliheshin në Korçë, ose në Tiranë,  mbasi në Ersekë s’mbahej mend të kishte patur ndonjë librari. Librat i  qarkullonim dorë më dorë, me huajtje. Mbaj mend se novela humoristike  “Fshati im e pi rakinë,” na befasoi të gjithëve me episodet e  jashtëzakonshme, aq sa edhe kur ia rrëfenim njëri-tjetrit, vazhdonim të  qeshnim. Natyrisht veprat me mjedise shqiptare ishin më tërheqëse për ne  se romanet e përkthyera “Zonja me Kamelie,” “Ura e psherëtimave,” “Bija  e mallkuar,” “Maska e zezë,” etj të cilat përshkruanin një botë shumë  të ndryshme nga bota dhe psikologjia jonë. 
Në  vitet ’50, ndërsa vazhdoja Politeknikumin Mjekësor në Tiranë, shoku im i  klasës Dhimitër Xhuvani më tha se gjatë liridaljeve shkonte për vizitë  te Paskot, me të cilët kishte miqësi familjare nga e ëma. Njëherë  Dhimitri u kthye nga vizita shumë i gëzuar, me një pako librash në dorë.  Paskoja i kishte falur nga një kopje të librave të botuara deri në atë  kohë. Nga ajo dhuratë përfitova edhe unë, duke lexuar me ëndje të gjitha  vëllimet e tij. Më pëlqeu veçanërisht përmbledhja me tregime “Kapllan  Aga i Shaban Shpatës.” 
E  njoha Kutelin personalisht dhjetë vjet më vonë, ndërsa punoja redaktor  te revista “Ylli.” Veç rubrikave të tjera, duhet të siguroja për çdo  muaj një tregim origjinal prej autorëve tanë dhe një tregim nga autorët e  huaj. Njëherë m’u desh të shkoja në shtëpinë e Dhimitër Paskos dhe t’i  lutesha ta përkthente tregimim e s’di kujt autori brenda javës. Ishte  mbrëmje. E gjeta duke punuar në kuzhinë, e cila shërbente edhe si dhomë  ndenjje, edhe si dhomë pritje. Mbi tryezë disa libra të hapura. U bëra  kureshtar dhe e pyeta me se po merrej. Më tha se po krahasonte  përkthimin e “Iliadës” së Homerit  me variantet e  përkthimeve italisht, rumanisht, frëngjisht, rusisht. Rreshtat apo  fjalët ku përkthimi nuk përkonte me origjinalin, i kishte nënvizuar me  kalem. Më vuri në dijeni disa pasaktësi që kishte pikasur. E pyeta nëse  atë detyrë ia kishte ngarkuar redaksia e përkthimeve e Shtëpisë Botuese,  apo ndonjë redaksi. “Jo, m’u përgjegj, e shoh për qejfin tim, nga  kureshtja profesionale.” Vetëm një njeri me pasion të madh e kulturë të  gjerë mund t’i vihej një pune aq të mundimshme krahasuese të të njëjtit  tekst në tre katër variante.
 Më  1962 u botua te revista “Nëntori” novela e tij “Net me përralla në  fshatin e qepëve,” e cila pasqyronte Pogradecin në kohën e pavarësisë,  duke gërshetuar mjeshtërisht anët e hidhura e komike të jetës. Edhe sot i  kam parasysh karakteret e spikatura, nënën me halle familjare, krushkun  e pasur “trambaluqin,” dhe sidomos Fijen, vajzë e zgjuar, e bukur,  punëtore dhe djallushkë. Ia shfaqa admirimin Kutelit për këtë figurë  duke i thënë se kisha dashur ta shkruaja edhe unë një karakter të tillë,  por tani do të hiqja dorë, sepse nuk shpresoja të arrija tipizimin e  tij. Më këshilloi të mos stepesha. “Kur të vjen për të shkruar ,  shkruaje, se krijimi është tekanjoz, kërkon punë, por edhe frymëzim,  ngarkesë emocionale, pa të cilin proza tingëllon e thatë.” 
Megjithëse  e dija që vuante nga zemra, nuk më vinte ta besoja, mbasi fytyra e tij e  mbushur dhe e qetë, të krijonte idenë e gabuar se gëzonte shëndet të  mirë. Nga ana tjetër ai kurrë nuk ankohej. Sa herë takoheshim rastësisht  në rrugën e Dibrës, me që banonim afër njëri-tjetrit, e shihja të hapte  një kuti të vogël, të mirrte një kokërr dhe ta fuste në gojë. “Rroj me  trinitrina,” më tha një ditë. “Sa herë ndiej vështirësi në frymëmarrje a  ndonjë pickim në zemër, fut një hapje në gojë dhe e mbaj nën gjuhë.” 
Bisedat  tona vërtiteshin rreth letërsisë dhe autorëve, duke mënjanuar temat dhe  komentet politike. Por njëherë gjatë vitit 1967, disa muaj pasi  shkrimtarët dhe artistët ishin shkartisur nëpër provinca, ferma e  fshatra, gjasme “për të njohur jetën” më pyeti se ku ndodhesha e me se  merresha. “Mësues i shkollës tetëvjeçare në Divjakë të Lushnjës,” i  thashë. U interesua të dinte sa kohë do të qëndroja atje. “Nga tre deri  në pesë vjet, kështu na premtoi Kryesia jonë kur na nisi poshtë në  bazë.” “Për ç’arësye? Dua të them cili është qëllimi i këtyre  transferimeve?” më pyeti. “Për t’u freskuar,” iu përgjegja me termin  burokratik të kohës. E dalloi ironinë, se pas pak shtoi: “Ai që rri nën  dush pak kohë freskohet, ai që rri shumë, ftohet.” Sentenca e tij e  shkëlqyer për qarkullimin, më pëlqeu aq shumë, sa ua thosha të besuarve,  pa përmendur kurrë emrin e tij. Vitet  e ekzilit të  detyruar ishin të vështira dhe të trishtuara. Ç’mund të përfitonte një  artist i mbërthyer në kufijtë e një fshati a të një qyteti të vogël? 
Një  ditë, papritur, pashë në shtyllat e telefonit dhe në kuadratet e mureve  të afishimit, lajmërimin e vdekjes së papritur të Dhimitër Paskos. Edhe  tani e kam parasysh fotografinë e tij në lajmërimin e vdekjes. Dhimitri  buzëqeshte me dashamirësi si t’u linte lamtumirën që po ndahej prej  tyre. Edhe ne fotografi spikaste karakteri i tij. Ishte i butë, i  arsyeshëm dhe i shkueshëm me të gjithë njerëzit. Nuk ndodhesha në Tiranë  kur e varrosën dhe më mbeti peng që nuk mora pjesë në funeralin e tij.  Nga Dr. Misto Markoja, nipi i tij që jetonte në Pogradec, mësova se u  nda nga jeta duke lënë të papërfunduar një roman për lashtësinë dhe  vepra të tjera. Mitrush Kuteli për mua ishte një nga mjeshtrit e  tregimit, prej të cilit jam ndikuar dhe kam mësuar. Ai dhe Ernest Koliqi  kanë qenë udhërrëfyesit e mi shpirtërorë të letërsisë, sadoqë drejtimet  e tyre ishin të ndryshme. Të dy janë mjeshtër të pikturimit të  mjediseve dhe karaktereve shqiptare.
Në  vitin 1990, Sh.B. “Naim Frashëri” nisi botimin e serisë me autorë të  traditës, ku renditej edhe Kuteli. Shkrimtari Teodor Laço dhe unë u  ngarkuam nga redaktorja  Rozeta Uçi të recensiononim  krijimtarinë e Kutelit. Me Laçon patëm pikëpamje identike në  përzgjedhjen e veprave të Kutelit. Lamë mënjanë disa artikuj  publicistikë që s’kishin më vlerë. Për ato nuk na erdhi aspak keq, kurse  novelën “Pranvera në Transilvani” edhe pse e pëlqyem të dy, e  sakrifikuam duke e lënë jashtë botimit, ngaqë nuk donim të ngacmonim  folenë e grerëzave, duke përmendur mobilizimin e tij në frontin e  Lindjes, me pasoja aq të hidhura. Por sidoqoftë ajo vepër ishte botuar  dhe veprat e botuara rrojnë më shumë se kriteret e imponuara nga  sistemet dhe qeveritë. Nga Kuteli u botuan rreth dymijë faqe në katër  vëllime me kopertinë të fortë. 
Nuk  më kujtohet të kem lexuar poemën e tij “Poem Kosovar.” Ka të ngjarë që  redaksia ta ketë hequr nga recensionimi. Me udhëzim nga lart  mënjanoheshin botimet që mund të shkaktonin protesta diplomatike nga ana  e Jugosllavisë për nxitjen e irredentizmit në trojet shqiptare. Shpesh  shkrimet me subjekte nga Kosova liheshin mënjanë nga shtëpitë botuese  dhe shtypi periodik. Fakti që këtë poem nuk e përmend as Nasho Jorgaqi  në parathënien e gjatë biografike-kritike që hap serinë e botimeve Mitrush Kuteli, Vepra letrare 1, le të dyshohet se harresa nuk është aksidentale. 
Qysh  në verën e vitit 1944 Kuteli e ndieu shtypjen e madhe që ushtrohej mbi  shqiptarët, po ashtu edhe rrezikun e emigrimit me forcë në Anadoll,  gjasme se ishin turq, prandaj e ngriti zërin duke mbrojtur të drejtat e  tyre, duke theksuar se ishin autoktonë në tokën e tyre. Dashuria për  liri e pavarësi është filli që përshkon poemën. Nga fryma patriotike ajo  zë vendin e nderit ndër krijimet letrare të botuara para lufte për  Kosovën, duke tingëlluar si pamflet politik. Do të mjaftonte të sillnim  disa pasazhe nga pesë këngët e saj për të vërejtur frymën epike,  brendinë dhe forcën protestuese. 
Jam shqiptar
e Kosovar
Zot e krenar
-Zot e bujar-
mbi këtë dhe
Q’e kam si fe
E përmbi fe:
E kam Vatan!
E kam atdhe!
“Jam eshtër madh,
i vrazhdët jam
e bojalli.
Jam si më sheh
E si më njeh:
kësul-bardh e krye-lith,
krye-lith me një shami,
me tri shami
Për trimëri!”
Dhe më tej:
Më thanë të ik
Ku qelli puthet me dhenë:
Në Stamboll,
Anadoll,
E më tej,
Se vetëm andej
Ka dhé për ne
-Popull pa zot-
Vend boll.
Mirëpo kosovari është i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për të drejtën e tij legjitime historike, prandaj vikat:
Unë jam këtu nga moti
Kur vetë Zoti
E bëri fushën—fushë
E malin—mal.
Unë jam këtu 
E do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri!
Petraq  Ktona, miku familjar i Dhimitër Paskos, i cili erdhi pas lufte nga  Rumania në SHBA, e ribotoi “Poem Kosovar” më 1980, si libër më vete, me  shpenzimet e tij, duke kryer një gjest fisnik ndaj autorit, çështjes së  Kosovës dhe letërsisë shqipe. Libri hapet me shkrimin e tij In Memoriam, “Si e njoha Dhimitër Paskon,” ku ai jep të dhëna me interes nga jeta  dhe veprimtaria shkencore e Paskos në Rumani. Në atë kohë Petraqi  ndodhej me familjen e tij në Bukuresht, ashtu si shumë shqiptarë të  tjerë nga Korça e Pogradeci. Midis të tjerash ai hedh dritë mbi të  ashtuquajturin “mëkat mortor” të Dhimitër Paskos. Pasi e mori fuqinë  Antonesku, me prirje diktatoriale fashiste, pohon ai, “si shumë  intelektualë të tjerë edhe Dhimitër Pasko që nuk pajtohej me drejtimet  politike të qeverisë, u pushua nga puna dhe u dërgua me forcë në frontin  Rus, ndonëse nuk ishte nënshtetas rumun... Më në fund, miqtë dhe disa  personalitete rumune mundën të bindin autoritetet ushtarake që të mos  sakrifikonin një dijetar kaq të vlefshim.” (faqe iii-iv). Prof. Sami  Repishti në Mbasthanie-n që mbyll librin shpreh konsiderata të larta për  poemën duke e cilësuar “një pjesë e pandashme e ciklit epik ilirian.”  Ai shpjegon se Paskoja u dërgua në Kosovë për të zbuluar “kush vjedh e  si vjedh,” por atje me vetëdijen e intelektualit atë e preokupon një  problem tjetër më i rëndësishëm, qëndresa e kosovarëve në tokën e tyre  amtare kundër politikës sllave të shpërnguljes drejt Anadollit. Ky  shqetësim e nxiti të merrte penën e të shkruante me vrull “Poem  Kosovar,” dy nga pesë këngët e të cilit mbajnë titullin kuptimplotë  QËNDRESA. Në komentin për cilësitë artistike të poemës, prof. Repishti  vëren: “Zanoret e gjata fundore tingëllojnë si zanet e bariut që kërkon  bagëtinë e humbun ose frikëson bishën mishngranëse. Ato zane rrokullisen  me vrullin e nji orteku, në fraza të shkurta, si mallkime, me  pasthirma, si klithma zemrash të plagosuna, ndjekin njeni tjetrin si  shkambij qiklopikë epopeshë...”
Interes  të veçantë paraqet për lexuesin diskutimi i Dr. PAS me vetveten: “Një  fjalë mbi dy shokë e mbi veprëzën e tyre” ku ekonomisti Pasko, diskuton  me Izedin Jashar Kutrulinë dhe Mitrush Kutelin–shkrimtarin, poetin,  eseistin–pse iu desh të merrej me letërsi. Kuteli aty shpalos pikëpamjet  e tij estetike, duke zbutur rivalitetin midis shkencëtarit dhe artistit  si pasojë e detyrimeve morale. Ai i zbulon lexuesit se Izedin Jashar  Kutrulia, pseudonimi i tij i pëlqyer, e ka zanafillën prej Kosovës, se  ai është person fizik, të cilin e njohu  në Prizren në maj të vitit 1943. Shënimet e Dr. Pas mbajnë datë 21 shkurt 1944.
E  lexova me ëndje poemën e fuqishme të Mitrush Kutelit dhe e kam dëgjuar  të recitohet disa herë në aktivitetet politike dhe festive të  komunitetit shqiptar në Amerikë, sidomos gjatë vitit 1999, kur ziente  lufta në Kosovë. 
Dr.  Nasho Jorgaqi vëren: “Poezia e Kutelit është kënga e një këngëtari të  sinqertë, këngë e mbrujtur me ndjenja të pastra dhe mendime fisnike.”
Gjatë  dhjetëvjeçarit të fundit, Mitrush Kutelit iu botuan veprat, u  rivlerësua si shkrimtar duke zënë vendin e tij të merituar në letërsinë  shqipe. Por ai është si një minierë e pasosur dhe brezat e ardhshëm do  të gjejnë te veprat e tij vlera të tjera të çmuara. Kuteli është një  liman i qetë plot hijeshi, ku udhëtari mund të çlodhet e të soditë me  përmallim peisazhin duke ndierë puhinë e duhmën e tokës amtare nëpërmjet  gjuhës së tij të pasur e të pastër.





