
Në letrën e tij të hapur, kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi shpreh indinjatën e tij për librin dhe filmin që i kushtohet historikut apo figurave të ballisto-nacionalistëve. Duket se tehun kryesor, Alimadhi e ka mprehur kundër historianit Uran Butka të cilin e akuzon për abuzime historike në këto 20 vjet. Midis të tjerave, ai thotë: “Vlerat e padiskutueshme të Ballit Kombëtar dhe rruga heroike e ndjekur në këto 72 vjet, kundërshtojnë premierën e filmit kushtuar shërbestarit të Kombit Mit’hat Abdyl Frashërit, me skenarist, Aleko Gjerkon dhe me konsulent Uran Butkën. Njëkohësisht, dua të informoj lexuesin, se ky film është mbushur me të pavërteta. Dhe ato janë marrë nga libri “Gjeniu i Kombit”, shkruajtur nga Uran Butka. Parimet e Ballit Kombëtar më dhanë forcën për ta kundërshtuar penën, filmin, shkrimet dhe aktivitetin e Uran Butkës dhe për t’i thënë atij, që nacionalizmi shqiptar nuk mund të ndahet, sipas orekseve të ndryshme dhe interesave personale të Butkës. Dua ta them me sinqeritet se, u mendova shumë për këtë letër të hapur, ndaj z. Butka, sepse nuk dua që të fillojnë mosmarrëveshjet, sharjet, mëritë, burrëritë, etj midis dy fiseve tona. Të gjithë e dimë se nuk është e lehtë të kundërshtosh një gënjeshtër dhe të japësh një të vërtetë, gjithsesi, duke parë që opinioni publik shqiptar po gënjehet dhe atij po i serviret një mashtrim, në këtë rast, mua me takon të reagoj fuqishëm, kundër prapaskenave, dëmeve që i sillen Ballit Kombëtar! Duke qenë kryetar i Ballit Kombëtar, me njohjen time të historisë së Ballit Kombëtar unë kam detyrimin të them të vërtetën. Në fillim duhet të shpjegoj se marrëdhëniet midis dy fiseve tona kanë një lidhje të gjatë historike, një shekull bashkëpunim në vazhdimësi të frymës kombëtare dhe patriotike, Fjala këtu është për familjen Butka dhe Alimadhi. Nebi Kuçi, (Alimadhi) xhaxhai i babës tim ishte komandant i çetës së Tomoricës, në Skrapar, ndërsa, Sali Butka duke dëgjuar mbi veprimtarinë e familjes Alimadhi dhe të çetës së Nebiut, bashkëpunoi me çetën e Nebi Kuçit, (sot Alimadhi), i cili u vra, në vitin 1914, duke luftuar në krah të çetës së Sali Butkës, nga andartët grekë. Sot është dëshmor i kombit. Bëmat e tij, Kolonja i ka ngritur në këmgë. Por nuk është vetëm kjo. Kur kthehet nga internimi i Ventotenës (Itali). Safet Butka, vjen te familja Alimadhi, në vitin 1943. Tashmë, kauza e familjes Alimadhi, ishte përcaktuar. Më vonë gjithçka vazhdoi mirë, por sot, Urani ndryshe, nga rruga e të parëve të tij, nuk ka zgjedhur këtë përmbajte. Përse e them këtë? Një ditë në përkujtimin e 14 shtatorit, të vitit 2004, ditës së dëshmorëve të Ballit Kombëtar, në vendin e quajtur Gerhot, aty ku është vrarë Hysni Lepenica, me 35 komandantë çetash të Ballit, vjen edhe Uran Butka për të bërë homazhe. Unë shkoj në orën e caktuar për të zhvilluar aktivitetin përkujtimor, por çfarë ndodh?! Urani kthehet në Tiranë dhe shkon e përkujton me Hysen Selfon, në mbrëmje, 14 shtatorin. Në një televizion lokal ai jep një intervistë, ku, midis të tjerave shprehet, se, “Alimadhi u fsheh në Virua”. Këtë thënie e boton ditën tjetër edhe në një gazetë. Për të saktësuar këtë, e kam marrë në telefon Z. Butka dhe i thashë: “çfarë ke shkruajtur kështu të lutem, kundërshtoje, që të mos krijojmë probleme midis dy fiseve tona”. Në fakt, ai u soll sikur s’dinte gjë por nuk e kundërshtoi. Z. Butka, mendoj që erdhi koha ta them publikisht, që unë nuk e njoh as fshehjen dhe as frikën. Urani është treguar njeri që hedh gurin dhe fsheh dorën. Në libër dhe në film ka masakër mbi të vërtetën, në lidhje me figurat dhe historinë e Ballit Kombëtar. Nga ana tjetër, gjithmonë, Urani, ka qejf‚ t‘u rekomandoj njerëzve të diasporës se kush është burrë i mirë dhe kush është burrë i keq. Ai do vetëm që ata ta financojnë për të marrë ca të mira para, se pa ato para nuk shkruan dot, por ata nuk e njohin mire, se çfarë përmbajtje dhe kontributi ka ky njeri dhe çfarë dëmi i sjell Ballit Kombëtar, kurse për historian, do ballafaqojmë faktet. E para, dua të jap alarmin për të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, që kur financojnë dhe vënë në lëvizje njerëz, intelektualë, profesorë, historianë, akademikë etj, (e kam fjalën për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare, pranë Ministrisë së Kulturës, të bëjnë shumë kujdes, kur i japin kontributet financiare, ose të paktën t‘i drejtohen institucionalisht, subjektit në të cilin Mit’hat Frashëri, ky personalitet me përmasa të mëdha kombëtare e ka krijuar dhe ideuar vetë Nacionalizmën Shqiptare, (sot Balli Kombëtar). Ose të paktën të bazohen mbi dokumente dhe akte, të cilat t‘i japin shoqërisë shqiptare krejtesisht, të drejtën dhe vetëm të vërtetën. Dhe tani le të fillojmë me librin! Po çfarë broçkullash, ke shkruar në libër, more Uran, madje ke edhe fuqinë ta bësh film, këtë gënjeshtër! Kjo ndodh ngaqë ju dini vetëm t’a përçani atë. Por shkaqet dihen. Masakra e Butkës me historinë nuk është atentati i vetëm ndaj Ballit Kombëtar. Sulmet nda Ballit kanë qenë të brendshme e të jashtme, pikërisht nga ata që nuk e kanë dashur Shqipërinë. Por kjo nuk pritej nga Butka. Dikur komunistët, vranë 4000-6000 shqiptarë. Kjo ndodhi në vitet 1943-1945 dhe këta shqiptarë ishin nga familjet më të mira të nacionalizmit të kulluar shqiptar. Kurse ju flisni për Ballin Kombëtar Demokrat! Po a mundet të n’a thoni çfarë parimesh ka pasur kjo farë partie, “Balli Demokrat”, e krijuar nga ty? Po këto parimet e Ballit Demokrat a do t’i ndiqte vallë, Safet Butka, Abaz Ermenji, Hasan Dosti, Hysni Lepenica, Skender Muçua, Besnik Çano, Qeramudin Sulo, Hamid Troplini,Tefik Sfiri, Hazis Sharra, Hazis Çami, Dhimitër Fallo, Bexhet dhe Xhevdet Bulgareci dhe të gjithë dëshmoret e vrare te Ballit Kombetar me qindra dhe mijra? Çfarë t’u themi këtyre, “çohuni ju, 6000 dëshmorë se Balli Kombëtar është shndërruar në “Parti Balli Demokrat”? Po si more Uran, ku vajti gjaku i 6000 dëshmorëve, të Shqipërisë Etnike, të cilët janë të shpërndarë në arat e këtij kombi dhe në shtete të ndryshme të botes, të renë për Nacionalizmin e kulluar Shqiptar. Ky është amaneti, që këta dëshmorë na kanë lënë për ta vazhduar përpara? Gjithsesi, me duhet të them, se u kuptua që ky film, kishte për qëllim promovimin e krijimit të Partisë “Balli Demokrat”, nga ju dhe pozicionin tuaj. Kuptohet, që e ke krijuar me shumë dëshirë dhe kënaqësi të madhe, vetë Ballin Demokrat, por nga ana tjetër me këtë premierë damkose Ballin Kombëtar dhe rrugën e Mit’hat Frashërit, më keq, se sa e bënë komunistët. Por jam shumë i sigurt dhe këtë e them me bindje të plotë që edhe kjo përpjekje, gënjeshtër, do dështojë si shumë të tjera, që i janë ngjitur në rrugëtim e sipër Ballit Kombëtar. Më duhet të them për opinionin publik mbarëkombëtar, shqiptar, se partia Balli Demokrat u krijua në vitin 1998-të, kur kandiduan përballë njëri tjetrit, i ndjeri Prof. Abas Ermenji dhe Hysen Selfo, pra Balli Demokrat, u krijua për dëshirat dhe tekat e Selfos dhe të një skenari të caktuar politik. Besoj që edhe këtë e dini, apo mos të them unë që ju, keni pasur kënaqësinë, që ta krijonit vetë Ballin Demokrat, Z. Butka? Në fund të fundit, po ju drejtohem drejtpërdrejtë : “E kush jeni ju, që të bëni kosulentin e filmit, për kryetarin e Ballit Kombëtar dhe për vetë Ballin Kombëtar, çfarë ju shtyn ju, ku doni të dilni, përse e bëni këtë? Për të marrë ca të mira, para? Unë, personalisht, e kam kuptuar më parë dorën tuaj, se e keni bërë veten, vetëm për para. Se edhe kur ju ftova në 70- vjetorin e Ballit Kombëtar, më kërkuat 100$, për kumtesën tuaj. E pra, Z. Butka, ju hiqeni se e doni kaq shumë këtë rrugë, e po të ishte gjallë Safet Butka, do të thoshte: “Për rrugën e babait paska kërkuar lekë, ky njeri”? Prandaj, kur shkruan me lek, dhe boton me lek, nuk mund ta njohësh dhe ta kuptosh Nacionalizmin dhe Patriotizmin e pastër shqiptar. Dhe në fund, më duhet t’i kërkoj ndjesë lexuesit dhe të gjithë shqiptarëve për gjuhën që kam përdorur se, nuk kam pasur dhe nuk kam kurrë dëshirë t’ju kundërvihem njerëzve, apo të krijoj polemika me ta, po kur mbushet tenxherja edhe ajo derdhet. Dhe kur nuk ndalen këta njerëz me gënjeshtra, me shpifje, madje duke ju servirur edhe filma shqiptareve, duke i lënë këto prova të pavërteta, që të ngelen në histori, mendoj se ka edhe një “SOS”. Në fund, nuk mundet të dëgjohet dhe lexohet më ky njeri. Duhen kundërshtuar dhe duhet thirrur me të madhe që shoqërinë shqiptare ta mësojmë, edukojmë vetëm dhe vetëm me të vërtetën, me dashurinë ndaj kombit, ashtu siç e dëshironte vetë Mit’hat Frashëri. Në këto momente e ndjej të nevojshme t’ju drejtohem të gjithë nacionalistëve shqiptarë, të bashkohen rreth idealit, amanetit të Mit’hat Frashërit, se fryma e tij ka qenë vetëm: “Bashkim dhe vëllazërim kombëtar, midis Shqiptarëve”. Kësaj rruge kombëtare pavarësisht, se ju ngjitën rrugës degë të ndryshme, të cilat kanë dashur ta dëmtojnë dhe ta mbajnë të përçarë,përsëri askush nuk mund t’i bëjë dot gjë. Një hije anti- kombëtare e ka ndjekur gjithmonë Ballin Kombëtar, por duhet theksuar se, ato degëzime në histori erdhën duke u tharë plotësisht dhe trungu i tij, i plotë ka vazhduar përpara. Kjo është historia e vërtetë e kombit shqiptar. Më mirë le ta mbyllim me fjalët e shërbestarit të Shqipërisë Mit’hat Frashëri, në 26 Gusht, të vitit 1949, kur krijoi Komitetin Demokrat Shqipëria e Lirë. Ai tha: “Vija jonë do të jetë kurdoherë, vija e drejtë. Duam që shqiptari ta ketë shpirtin dhe mendjen gjithmonë për të mirën e Shqipërisë. Do të përpiqemi të themi kurdoherë fjalën e drejtë dhe të rrëfejmë udhën e mirë. Kjo është lutja jonë ndaj Zotit të madh dhe lusim që të gjithë shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë Shërbëtorët e Shqipërisë”. Dhe jo ta përçajmë atë, siç bëjnë skenaristi i filmit, Aleko Gjerko dhe konsulenti, Uran Butka, në premierën e filmit, kushtuar Mit’hat Frashërit, por, që në fakt iu kushtua Ballit Demokrat, të krijuar nga Uran Butka”. Kështu mbyllet letra e kryeballistit Alimadhi ndaj historianit Safet Butka.