Zyrtare: Stevens trajner i ri i Schalkes

Schalke ka konfirmuar në ueb faqen zyrtare se ata kanë caktuar Huub Stevens si trajner të ri të ekipit. Ish-taktiku i PSV ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2013.
Klubi gjerman ishte në kërkim të një trajneri të ri pas vendimit të Ralf Rangnick për të dhënë dorëheqje për shkak të problemeve shëndetësore javën e kaluar.

Ata ishin lidhur me ndihmës-trajnerin e Gjermanisë, Hansi Flick, dhe trajnerin e Baselit, Thorsten Fink, në ditët e kaluara, por kanë vendosur për 57-vjeçarin Stevens.

Stevens më herët kishte punuar te Schalke nga viti 1996 deri në vitin 2002, në të cilën kohë ai drejtoi ekipin drejt trofeut të Kupës UEFA (1997) dhe dy Kupave të Gjermanisë, DFB Pokal (2001, 2002).

Holandezi po ashtu ka drejtuar edhe klubet si Roda, Hertha Berlin, Koln, Hamburg, PSV dhe Red Bull Salzburg. Ai ka qenë i papunë që kur u shkarkua nga klubi austriak në prill të këtij viti.