Prokurorë
të EULEX-it, Shërbimin Informativ të Kosovës e shohin si një organizatë
kriminale që financohej nga pastrimi i parave, trafikimi me drogë e
armë. Këtë bindje e kanë demonstruar gjatë intervistimit të dëshmitarëve
e të dyshuarve për përfshirje në veprime të paligjshme.
Përveç kësaj, prokurori special Erwin Petilos, beson se ky shërbim
sekret që ka vepruar në Kosovë për një dekadë është përfshirë edhe në
vrasjen e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“A keni njohuri që SHIK-u ishte financuar me pastrim parash dhe drogë
e armë”, e ka pyetur ky prokuror ish-komandantin e përgjithshëm të
UÇK-së, Azem Sylën, gjatë marrjes në pyetje disa muaj më parë në
cilësinë e të dyshuarit për krim të organizuar. Deputeti Syla i është
përgjigjur me mohim, derisa prokurori ndërkombëtar e ka pyetur sërish
atë se “a ka qenë SHIK-u ndërmarrje kriminale për të pastruar para nga
aktivitetet e krimit të organizuar”?
“Është punë e juaja t’i bëni këto pyetje, por jo dhe jo”, i është
përgjigjur Azem Syla prokurorit gjatë intervistës. “Gjatë dhe pas luftës
ata kryenin punët e tyre me mundësitë që kishin. Ata kanë ndihmuar pas
luftës dhe mendoj nuk e di se kanë pasur kontakte të rregullta me
KFOR-in dhe me shërbimet e disa shteteve me të cilat kishin komunikim të
mirë”, ka shtuar ai.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës është marrë në pyetje në Prokurorinë
Speciale të Kosovës pas akuzave që kishte hedhur kundër tij Nazim
Bllaca, i cili pretendon se ka qenë agjent i SHIK-ut dhe se ka kryer
krime me urdhër të Azem Sylës. Ky i dyshuar i ka mohuar të gjitha këto
akuza. Ai ka thënë se nuk e njeh fare Nazim Bllacën, por e ka pranuar se
njihet me disa prej njerëzve të cilët nuk e kanë mohuar njohjen me
Bllacën dhe bashkëpunimin me të në fushën e biznesit. Për Shpresim Ukën
ka thënë se e ka të martuar mbesën e tij, me hallën e Fahredin Gashit ka
thënë se ka qenë në burg, derisa Shaban Sylën ka pohuar se e ka
familjar.
Syla ka folur për luftën e UÇK-së, për SHIK-un, bashkëpunimin me
Fatos Klosin, si dhe për përplasjet me Lidhjen Demokratike të Kosovës
dhe FARK-un, formacion ky ushtarak i krahut të Bujar Bukoshit. Këtë
formacion ai e ka quajtur të vogël, për të shtuar se shumë pjesëtarë të
tij i ishin bashkuar UÇK-së për të bërë luftën





