Mposhtet sërish Shqipëria

Pas humbjes nga Franca në Tiranë, përfaqësuesja e Shqipërisë është mposhtur sërish, kësaj radhe nga skuadra inferiore, Luksemburg.
Kombëtarja kuqezi asnjëherë më parë nuk kishte humbur nga kundërshtari i të martës mbrëma, ndërsa kësaj radhe dështoi me rezultat 2-1.

Gilles Bettmer ia solli epërsinë skuadrës së tij (27’) dhe gjysma e parë u mbyll me epërsi minimale për vendasit.

Në gjysmën e dytë gjërat u vështirësuan edhe më shumë për kombëtaren shqiptare, pasi që Ansi Agolli u përjashtua me karton të kuq (54’).

Megjithatë, kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe dhjetë minuta më vonë e barazuan rezultatin, ndërsa realizues ishte Erjon Bogdani (64’).

Mungesa e një lojtari në fushë bëri që Luksemburgu ta rikthente epërsinë përmes Aurelien Joachim (78’), ndërsa përjashtimi i Bogdanit me karton të kuq (85') shoi shpresat e Shqipërisë për të nxjerrë një barazim.

Pas kësaj humbjeje, Shqipëria mbetet e parafundit në Grupin D me tetë pikë, katër më shumë se Luksemburgu që gjendet i fundit.