Nga Christian Schwarz Schilling
Përderisa qasja politike e Serbisë vazhdon të mbetet larg realitetit, një dialog i sinqertë mes Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhjen e çështjeve të hapura do të jetë i pamundur
Pas vizitës së Kancelares Gjermane Angela Merkel në Beograd, gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung publikoi një artikull interesant të autorit Michael Martens. Ai kritikon me të drejtë Misionin e BE-së EULEX, i cili prej vitesh nuk ndërmerr asgjë kundër zhvillimeve të rrezikshme në veri të Kosovës, për çka edhe ka ardhur deri të shndërrimi i strukturave paralele që gjenden nën mbrojtjen e posaçme te shtetit serb, në struktura kriminele. Tani nga këto struktura kërcënohet i gjithë rajoni, dhe vetëm me ndërhyrjen e shpejt të KFOR-it, muajin e kaluar, u parandalua shpërthimi i një konflikti serioz. Martens konstaton me te drejtë që: “Prishtina dhe Beogradi nuk do mund ti ikin një marrëveshje paqeje, po që se duan të integrohen në BE”. Mirëpo për të arritur një marrëveshje të tillë nevojitet një përpjekje intensive e faktorit ndërkombëtar me qëllim që të mund të bindin Serbinë të heqë dorë përfundimisht nga ambiciet e vjetra për të përfshirë këtë pjesë të rajonit brenda kufijve të saj.
Edhe përkundër fjalëve të qarta të Kancelares Merkel Presidenti Tadiç përsëriti disa herë publikisht që Serbia nuk do ta njohë kurrë Pavarësinë e Kosovës. Edhe për një vazhdim konstruktiv te bisedimeve me Kosovën, Tadiç nuk foli asnjë fjalë, prandaj përderisa qasja politike e Serbisë vazhdon të mbetet larg realitetit, një dialog i sinqertë mes Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhjen e çështjeve të hapura do të jetë i pamundur. Kosova nuk mund ta ndryshojë këtë gjendje edhe pse të dy vendet gjithmonë këshillohen që të gjitha çështjet e hapura ti zgjidhin me mjete paqësore. Në këtë rast duhet të apelohet më shumë në vullnetin e mirë të Serbisë dhe për këtë nevojitet një gjuhë më e qartë e Evropës. Përndryshe dialogu mes dy vendeve është i pamundur dhe rruga e tyre drejt Evropës mbetet e bllokuar.
Ndërsa konkludimi i z. Martens për një “status special për veriun e Kosovës të përshtatshëm për Beogradin” është plotësisht i pakuptimtë, sepse kjo do të nënkuptonte një kthesë, por një kthesë në drejtimin e gabuar. Apo nuk e mori Evropa para pak kohësh një mësim të mirë nga Ballkani për të shtyrë gjërat në drejtimin e duhur? Shembulli më i mirë për këtë është Kroacia e cila tregoi se si zgjidhet një situatë e tillë: Kroatët në Bosnjë Hercegovinë një kohë të gjatë besuan që në këtë vend do të marrin një status të veçantë dhe orientoheshin ekskluzivisht drejt Zagrebit, duke besuar po ashtu që në një të ardhme do ti bashkëngjiteshin territorialisht shtetit të Kroacisë. Kur Kroacia, kroatëve në Bosnjë, ju bëri me dije që përkatësia e tyre në shtetin e Bosnjë Hercegovinës është jashtë çdo diskutimi dhe se ata duhej që të drejtoheshin përfundimisht drejt Sarajevës, atëherë ndryshoi dukshëm edhe situata politike. Ky qëndrim i Kroacisë ishte stabilizues për rajonin dhe përmirësues i marrëdhënieve mes dy shteteve në fjalë. Pra nëse Serbia kërkon të drejta të posaçme autonome për serbët në veri të Kosovës, atëherë mund të zbatohet propozimi i Ahtisarit, por ky propozim i cili parasheh një decentralizim të Komunave dhe më këtë edhe të Komunave të reja të cilat administrohen nga pakica serbe, vazhdon të kundërshtohet nga vetë Serbia. Në Jug të lumit Iber i cili de facto ndanë zonat e ndikimit mes Prishtinës dhe Beogradit ky plan është zbatuar me sukses. Në anën tjetër në veri të vendit ky proces ka dështuar për shkak se është penguar nga Beogradi – me pasojat e rënda të muajit Korrik.
Fakt është që për t’i shtyrë gjërat në drejtimin e duhur, janë të domosdoshëm hapat si në vijim: E para: EULEX-i nuk guxon të kërruset para çdo konflikti që ka të bëjë me statusin e Kosovës dhe kështu të shndërrohet në një protokollant të një gjendje joligjore. Mandati i EULEX-it duhet të përfshijë edhe masat përmes të cilave do mund të zbatonte ligjin edhe në veri të vendit. E dyta: Bashkësia ndërkombëtare posaçërisht BE-ja duhet të shtojë presionin mbi Beogradin, në mënyrë që të ndalojë sabotimin e proceseve paqësore. E treta: Qytetarët e veriut të Kosovës e posaçërisht ata të pakicës serbe janë qysh tani viktima të strukturave mafioze dhe vazhdojnë të mbesin peng i konfliktit. Qortimi ndaj Beogradit, në funksion të zbatimit të domosdoshëm të ligjit, duhet të shtohet në Bruksel përmes masave përkatëse. Këtu hyjnë sqarimi definitiv i qëndrimit të Evropës i cili do të manifestohej përmes përcaktimit të duhur të misionit evropian të EULEX-it. Nëse kjo pengohet, sepse pesë vota kundë - përballë 22 shteteve do e paralizojnë aftësinë e BE-së për të vepruar, atëherë ndaj këtyre shteteve duhet të ndërmerren masa adekuate ndëshkuese.Autori është politikan i njohur gjerman. Shkrimi është botuar së pari në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”