Ky është Interi! (VIDEO)

Ish-kampioni i Evropës, Interi, ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në transfertë te CSKA Moska me rezultat 3-2, nën kushte të vështira si atmosferike ashtu dhe të lojës së pavendosur deri në momentet e fundit.

Interi e filloi furishëm këtë takim kur Lucio pas vetëm gjashtë minutave lojë shënoi për 1-0 dhe epërsinë e Nerazzurëve në këtë takim.

Zi-kaltrit vazhdojnë me dominimin, i cili u kurorëzua me një gol nga Giampaolo Pazzini (23’), i cili shënoi nga afërsia pas harkimit të ulët të Yuto Nagatomos.

Shpresa vendasve të cilët u ringjallën ne fund të pjesës së parë me një shtyllë pingule dhe një penalti të pa akorduar kontraverse, i mbajti Alan Dzagoev (45’) me një eurogol nga goditja e dënimit me distancë 21 metra.

Në pjesën e dytë dominuan plotësisht vendasit. Pas shumë rasteve të pa konkretizuara, Vagner Love me një goditje nga gjysmëdistanca arriti që ta barazojë rezultatin dhe ta ndezë kryeqytetin rus, 2-2 (77’).

Gëzimi i tifozëve të flaktë të CSKA-s në Luzhniki zgjati vetëm 120 sekonda, pasi një asistim të jashtëzakonshëm nga Esteban Cambiasso e shfrytëzoi më së miri Mauro Zarate i cili shënoi për 3-2 dhe fitoren e madhe të Interit.

Interi pos që ka shënuar fitoren e parë në Grupin B, ka treguar se nën Claudio Ranierin po tregon shenjat e atij ekipi të vjetër i cili dy sezone më parë e fitoi garën për të cilën po flasim, Ligën e Kampionëve.